Liderët shqiptarë ngushëllojnë për vdekjen e Elizabeth II
BKT
Foto: BBC
Lajme

Liderët shqiptarë ngushëllojnë për vdekjen e Elizabeth II

Kimete Kasumi/ RTKlive

(Plotësuar) Liderët shqiptarë kanë shprehur ngushëllime me rastin e humbjes së Mbretëreshës Elizabeth II.

Osmani: Qytetarët e Kosovës, thellësisht të pikëlluar për vdekjen e Mbretëreshës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen mbretërore dhe popullin britanik për vdekjen e lartmadhërisë së saj Mbretëreshës Elizabeth II.

Osmani ka shkruar në rrjetin social Facebook, se populli i Mbretërisë së Bashkuar na erdhi në ndihmë në ditët tona më të errëta, ndaj sot ne bashkëndjejmë me zemër të rënduar për këtë humbje të madhe së bashku me Familjen Mbretërore dhe të gjithë qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës, krahas miliona njerëzve anë e mbanë botës, janë thellësisht të pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Lartmadhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeta II. Mbretëresha Elizabeta e udhëhoqi Mbretërinë e Bashkuar me zell, me hir e përulësi dhe e vendosi shërbimin dhe detyrën ndaj vendit të saj mbi çdo gjë tjetër. Ajo ishte një udhëheqëse e vërtetë dhe një grua e jashtëzakonshme. Vdekja e Lartmadhërisë së Saj shënon fundin e një epoke si monarkja më jetëgjatë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, por trashëgimia e Elizabetës së Madhe do të vazhdojë të frymëzojë breza të tërë. Populli i Mbretërisë së Bashkuar na erdhi në ndihmë në ditët tona më të errëta, ndaj sot ne bashkëndjejmë me zemër të rënduar për këtë humbje të madhe së bashku me Familjen Mbretërore dhe të gjithë qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar. U prehtë në paqe Lartmadhëria e Saj”, ka shkruar ajo.

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti

Rama: Mirupafshim Mbretëreshë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas ndarjes nga jeta në moshën 96-vjeçare të Mbretëreshës Elizabeth II.

Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, teksa ka ndarë një foto, Rama ka shkruar “Mirupafshim Mbretëreshë”.

Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, ka vdekur në Balmoral në moshën 96-vjeçare, pasi mbretëroi për 70 vjet.

Kurti mesazh ngushëllimi për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II

Emine Hoti/RTKlive

Kryeministri i Kosovës , Albin Kurti ka ngushëlluar familjen mbretërore dhe popullin britanik për vdekjen e Madhërisë së Saj Mbretëreshës Elizabeth II.

Përmes një postimi në Twiter, Kurti ka thënë se përkushtimi, puna dhe përulësia e saj janë një frymëzim për të gjithë ne, veçanërisht në këto kohë të vështira.

“Populli i Kosovës dhe unë i shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes mbretërore dhe popullit britanik për vdekjen e Madhërisë së Saj Mbretëreshës Elizabeth II. Përkushtimi, puna dhe përulësia e saj janë një frymëzim për të gjithë ne, veçanërisht në këto kohë të vështira. ë prehsh ne paqe” ,ka shkruar Kurti .

Krasniqi: Elizabeth II rrezatoi mirësi, paqe dhe mirëkuptim mes popujve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur ngushëllime me rastin e humbjes së Elizabeth II.

Ai ka  thënë se Mbretëria e Bashkuar, sot mbeti pa mbretëreshën më jetëgjatë në histori, pa Lartmadhërinë e Saj, Mbretëreshën Elizabeth II.

“Ne i bashkohemi dhembjes së qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar dhe gjithë Commonwealth-it për këtë humbje të madhe, për personalitetin e jashtëzakonshëm që rrezatoi mirësi, paqe dhe mirëkuptim mes popujve” ka shkruar ai në Facebook.

Mbretërimi i saj do të mbahet mend për përparimin dhe vendin e shquar të Mbretërisë së Bashkuar nga kohërat e Luftës së Ftohtë e deri më sot, si fuqi globale, duke dhënë shembull me jetën dhe veprën e saj” ka përfunduar ai.

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti

Haradinaj: Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë falënderues për kontributin që dha Mbretëresha, për pavarësinë e vendit tonë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime për gjithë familjarët e Mbretëreshës Elizabeth II, e cila vdiq sot në moshën 96 vjeçare.

“Mbretit Charles III, popullit të Mbretërisë së Bashkuar dhe shteteve të Commonwealth, iu shprehim ngushëllimet më të përzemërta, për humbjen e Mbretëreshës Elizabeth II.

Populli i Kosovës, gjithmonë falënderues për kontributin e saj dhe të Britanisë së Madhe për lirinë e pavarësinë e Kosovës.U prehtë në paqe!”, ka shkruar Haradinaj.

Mund të jetë një imazh i 1 person


MË SHUME NGA Lajme