Konjufca për Mbretëreshën Elizabeth II: Në kujdesin e saj ishte edhe Kosova
E.Hoti/RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka ngushëlluar Familjen Mbretërore dhe popullin e Mbretërisë së Bashkuar për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca ka thënë se përkushtimi, udhëheqja dhe trashëgimia që ajo la do të frymëzojnë edhe brezat që vijnë.
“Jemi thellësisht të pikëlluar kur mësuam për ndarjen nga jeta të Lartmadhërisë së saj - Elizabetës së Dytë, Mbretëreshë e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore. Ajo ia kushtoi tërë jetën e saj shërbimit publik me integritet dhe udhëheqje për shtatë dekada me radhë”, ka shkruar Konjufca .
Ai ka thënë se vlerat për të cilat ajo u angazhua ishin ndër vlerat më të larta njerëzore: dinjiteti, uniteti, respekti, puna e palodhshme dhe dhembshuria.
Sipas tij në kujdesin dhe kontributin e saj ishte edhe vendi ynë, Kosova.
“Ajo ishte një model i mrekullueshëm përkushtimi në shërbim të popullit gjatë gjithë jetës. Në kujdesin dhe kontributin e saj ishte edhe vendi ynë, Kosova. Do ta kujtojmë më mall personalitetin e saj të mahnitshëm, punën e palodhur dhe shërbimin besnik".
"I dërgojmë ngushëllimet tona më të përzemërta djalit të saj, Mbretit Çarlsit të Tretë, Familjes Mbretërore, popullit të Mbretërisë së Bashkuar dhe mbarë Komonuelthit. Faleminderit Mbretëreshë dhe u prehsh në paqen e Perëndisë”, ka shkruar tutje Konjufca.























