Zemaj: Duhet unifikim i spektrit politik për dialogun me Serbinë
Blerim Halimi / RTKlive.com
Deputeti nga radhët e LDK-së, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se qasja e Qeverisë ndaj dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë proaktive, derisa ka kërkuar unifikim të spektrit politik në vend në këtë çështje.
Duke folur në “Info Plus” në RTK për intesifikimin e ardhjeve të figurave kyçe të BE-së dhe shteteve partnere të vendit tonë për lehtësim të dialogut, Zemaj ka thënë se qasja proaktive e Kosovës në raport me dialogun dhe pozicioni politik e mbi të gjitha shtetëror, jo vetëm tash por që nga fillimi ka qenë i domosdoshëm për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Dialogu duhet të jetë interes nacional dhe jo vetëm i një grupi të caktuar edhe pse në të kaluarën është munduar që të ketë edhe njëfarë lloj etiketimi se dikush po e tradhton Kosovën dhe se ka marrëveshje të interesave. Tash po dokumentohet e kundërta se ajo qasje ka qenë e gabuar. Spektri politik duhet të jetë unifikues. Kemi të bëjmë me një shtet agresor në të kaluarën dhe jo miqësor në të tashmen, por interesi është që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke e përfshirë edhe pakicën serbe të jenë të integruar dhe ta shohin veten pjesë të shtetësisë së Kosovës dhe ta kalojmë edhe këtë sfidë“, ka theksuar Zemaj, raporton RTKlive.
Sipas tij nuk duhet të mbesim peng i një dialogu të stërzgjatur, por procesi duhet ecur përpara me një kërkesë të përqafuar nga i gjithë spektri politik për marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë ndërmjet dy shteteve.
Ai ka thënë se marrja e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore e mbi të gjitha fuqizimi i subjektivitetit të Republikës së Kosovës në raport me fqinjët është shumë i rëndësishëm.
Zemaj ka thënë se rritja e interesimit të partnerëve ndërkombëtar nuk ka ardhur tash, por kjo sipas tij ka derivuar nga mos të qenurit i aftë për me marrë përgjegjësi se si duhet të trajtohet dialogu.
“Të gjithë e dime se kryeministri Kurti ka deklaruar se dialogu nuk është prioritet i yni. Është munduar ta zhvendosë në pikën e 7 apo të 8 të deklarimeve edhe para Kuvendit edhe para qytetarëve. Qasja joserioze na ka vendosur në një situatë tjetër, ku edhe ne si opozitë tani dëshirojmë të shohim një qasje proaktive, mos të jetë proaktive vetëm nga faktori ndërkombëtar”, ka shtuar Zemaj.
Ai tutje ka thënë se Kosova duhet t’i kryejë detyrat e veta dhe spektri politik të jetë i unifikuar rreth dialogut. Po ashtu, ai kërkuar që në këtë proces të ketë transparencë dhe të implikohet edhe Kuvendi, i cili derivon nga vullneti i popullit.
Sa i përket mundësisë së një marrëveshje finale me Serbinë, deputeti i LDK-së ka thënë se nuk duhet të flitet me data sepse është një proces i vështirë.
“Duhet të punojmë, duhet të jemi serioz në këtë drejtim. Nuk jam idhtar të japim data sepse nuk është problem i lehtë. Edhe ne nëse do të ishim në pushtet do të jepja të njëjtën përgjigje. Ajo çfarë është kërkesë e jona është vetëm të jemi serioz, mos të kemi demagogji por të jemi konkret, të jemi veprues, operativ dhe komunikues me të gjithë, veçmas me ata që kanë përvojë dhe që ja duan të mirën Republikës së Kosovës”, ka nënvizuar Zemaj.
Ai ka folur edhe për grevat në arsim, ku ka kërkuar nga Qeveria që të dialogojë me sindikalistët për ta zgjidhur këtë çështje, në mënyrë që fëmijët t’i kthehen procesit mësimor sa më shpejt që është e mundur dhe mos ta shfaqë arrogancën e numrave në Kuvend.























