Vuçiq në takim me diplomatët e BE-së: Nuk do të ketë njohje të Kosovës
BKT
Lajme

Vuçiq në takim me diplomatët e BE-së: Nuk do të ketë njohje të Kosovës

Anamari Repiç / RTK / Beograd

Nuk do të ketë njohje të Kosovës. Kështu tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq në fillim të bisedës me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesit e Francës dhe Gjermanisë, Emanuel Bonet dhe Jens Plettner.

Vuçiq tha se këto janë biseda për të ardhmen e Serbisë, mirëpo Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Presidenti serb ka shkruar në rrjete sociale se ai është gjithmonë i gatshëm për një zgjidhje kompromisi, në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Pas takimit të Vuçiqit me të dërguarit evropianë, të cilët erdhën në Beograd pas vizitës në Prishtinë, nuk pati deklarata për media. Vlerësohet se me këto takime, për herë të parë, Berlini dhe Parisi janë përfshirë drejtpërdrejt në dialog, me qëllim të eksplorimit të mundësive se si të çohet shpejt procesi përpara në një kohë kur ka tensione.

Në kuadër të analizave të vizitës në Serbi thuhet se kjo është pjesë e rritjes së aktiviteteve diplomatike të aktorëve ndërkombëtarë për t'i përfshirë në mënyrë më aktive të dyja palët në proces dhe të përpiqen për të gjetur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Ndryshe, situata në lidhje me Kosovën do të diskutohet nesër në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e cila do të drejtohet nga presidenti Vuçiq.


MË SHUME NGA Lajme