Lajçak: Kishim diskutime të rëndësishme, procesi vazhdon
N. Mekolli /RTKlive.com
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se sot kishte diskutime të rëndësishme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ai, në një postim në Twitter, tha se me këto takime po kërkohen opsionet për përparim në dialog dhe paralajmëron se procesi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
“Sot, së bashku me këshilltarët e lartë të politikës së jashtme të presidentit francez dhe kancelarit gjerman, pata diskutime të rëndësishme, të thelluara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiq, për të eksploruar opsionet për përparim në Dialog.
Procesi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, ka shkruar Lajçak.
I dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune qëndruan të premten edhe në Kosovë, ku takuan kryeministrin Albin Kurti.
“Ishte një diskutim i thellë dhe i rëndësishëm. Besoj e kuptoni se nuk mund të japim detaje, sepse do të kemi diskutim të njëjtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Lajçak pas takimit me Kurtin.
























