Bislimi: Brenda këtij viti synojmë aplikimin për anëtarësim në BE
RTKlive
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim një delegacion parlamentar nga Lituania, kryesuar nga kryetarja e Grupit të Miqësisë, Dr.Laima Andrikienė.
Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi prioritetet e Qeverisë në agjendën e integrimit evropian.
“Pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, synojmë të aplikojmë për anëtarësim në BE brenda këtij viti”, ka thënë Bislimi, njofton kryeministria.
Çështje tjetër me rëndësi ishte dhe tema e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ku u theksua nevoja për përfundimin e këtij procesi të gjatë për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kosova është shtet i vogël, demokraci e re, me potencial të madh. Avancimi përmes shënimit më të lartë ndonjëherë të zbatimit të reformave dhe masave në agjendën evropiane, si në reformat në drejtësi, në luftimin e korrupsionit, në formalizimin e ekonomisë, në digjitalizim, në tërheqjen e investitorëve strategjikë e shumë fusha të tjera, është reflektuar dhe në përmirësimin historik të pozicionimit të Kosovës në renditjet botërore.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi delegacionin parlamentar të Lituanisë për vizitën dhe përkrahjen e vazhdueshme të tyre ndaj Kosovës.























