Nagavci-SBASHK-ut: Merreni shembullin e Norvegjisë për grevë të sinqertë
Fadil Sertolli / RTKlive.com
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përmes një shkrimi të gjatë në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, u ka treguar SBASHK-ut se si bëhet një ‘grevë e sinqertë’ duke ua përmendur grevat në Maqedoninë e Veriut dhe në Norvegji.
Ajo shkruan se greva është instrument demokratik dhe legjitim për vënien në pah të problemeve të punëtorëve, në secilin vend demokratik.
Sipas saj, përtej specifikave historike e ligjore të secilit vend, praktikat gjithandej Evropës dhe botës e tregojnë një gjë: kur grevat janë të sinqerta dhe përdoren për t’i sjellë në agjendë të vendim-marrësve kërkesat e punëtorëve, ato nuk vazhdojnë edhe nëse nuk plotësohen 100% të kërkesave menjëherë.
Nagavci shprehet se kur nuk e kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të punëtorëve, por shantazhimin e palës tjetër, fshihen pas barrikadës së 100% të kërkesës, dhe atë menjëherë.
Ajo tha se mësimdhënësit që hynë në grevë në Maqedoninë e Veriut muaj më parë, nuk kanë pritur që t’u plotësoheshin 100% të kërkesave, por sipas saj, ndërprenë grevën kur Qeveria ua plotësoi një pjesë të kërkesave menjëherë.
“Sindikalistët maqedonas u siguruan që, kur qeveria ua plotësoi vetëm një pjesë të kërkesave të tyre, mësimi të vazhdojë e nxënësit të mos pësojnë”, shkruan e para e arsimit në vend.
Po ashtu ajo ka treguar edhe për grevën e mësimdhënësve në Norvegji, duke thënë se sindikalistët norvegjezë sigurohen që, paralelisht me trajtimin e kërkesave të tyre, mësimi do të vazhdojë e nxënësit nuk do të pësojnë
“Në Norvegji, nga qershori mësimdhënësit janë duke kërkuar rritje të pagave, nëpërmjet grevës. Por, tre sindikatat më të mëdha me short përcaktojnë nga 2-3 mësues në shkollë që do të mbajnë grevë në ditët përkatëse. Sepse, sindikalistët norvegjezë sigurohen që, paralelisht me trajtimin e kërkesave të tyre, mësimi do të vazhdojë e nxënësit nuk do të pësojnë.
Para disa vitesh, mësuesit bullgarë hynë në grevë duke kërkuar dyfishim të pagave. Greva u ndërpre kur Qeveria ua rriti pagat 48%, dhe atë vetëm 22.5% menjëherë ndërsa pjesën tjetër pas një viti. Sepse, sindikalistët bullgarë u siguruan që, kur qeveria ua plotësoi vetëm një pjesë të kërkesave të tyre, mësimi të vazhdojë e nxënësit të mos pësojnë”, shkroi ajo.
Nagavci përmes këtij shkrimi nuk ka lënë pa i përmendur grevat e SBASHK-ut ndër vite, duke thënë se atëkohë grevat i kanë ndërprerë vetëm me oferta, ndërsa kësaj radhe kanë vendosur të injorojnë jo vetëm ofertat, sipas saj, shumëfish më të mira, por edhe veprimet tashmë të ndërmarra që i afrohen shumë kërkesës së tyre.
“Ndërkohë, veprimet e Qeverisë Kurti jo vetëm që janë duke i arritur, por duke i tejkaluar kërkesat e SBASHK. Një pjesë menjëherë, një pjesë me reforma sistematike”, tha ajo.
Sipas saj, ofertat e ofruara nga Qeveria, SBASHK-u është i informuar, por kanë vendosur t’i injorojnë, pasi sipas saj, arsyeja e injorimit nuk ka të bëjë me realizimin e kërkesave sindikale.
“Përkundër kësaj, Qeveria dhe MASHTI do të vazhdojë ta bëjë punën që e ka në mandat për ta përmirësuar cilësinë e arsimit në Kosovë.
U bëj thirrje edhe njëherë mësimdhënësve që të vazhdojnë procesin mësimor sa më parë, duke reflektuar mbi gjitha veprimet e deritashme të Qeverisë e duke i dhënë mundësi reformave tjera gjithëpërfshirëse që janë në proces e do të përfundojnë së shpejti”, tha ajo.























