Viktimat e dhunës seksuale, viktima edhe të policisë
Rtklive
Në Fokus

Viktimat e dhunës seksuale, viktima edhe të policisë

REL

Rrugicat pa ndriçim është mësuar t’i shmangë natën kur është e vetme, në të njëjtën mënyrë siç është mësuar t’i mbyllë edhe dyert e veturës derisa pret dritën e gjelbër në semafor.

Këto i bën me shpresën se askush nuk do të arrijë t’ia cenojë hapësirën personale.

Megjithatë, ngacmimet seksuale nuk i shmang dot as në këtë mënyrë.

Këmbësorë e vozitës veturash thotë se ia bëjnë të pamundur.

Ardiana Shala Prishtina, një aktiviste nga Kosova, thotë për Radion Evropa e Lirë se i ka raportuar disa herë rastet e tilla të ngacmimit seksual.

Por, “po të thirrja policë sa herë që është nevoja, mbetem duke pritur veç policë rrugëve”, thotë ajo.

Kodi Penal i Kosovës e përkufizon ngacmimin seksual si “cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike, të natyrës seksuale”. Dënimi për të varion nga gjoba deri në tre vjet burgim.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 27 gusht në një park të qytetit në Prishtinë.

Ai është bërë shkas i disa protestave të mbajtura me thirrjet për më shumë mbrojtje të vajzave dhe grave.

Në njërën prej tyre, protestuesit kanë përdhosur ndërtesat e Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorit të Shtetit, duke i fajësuar për trajtim joadekuat të rasteve të viktimave të ngacmimit dhe dhunës seksuale. Faj është hedhur edhe mbi Policinë.

Në një status në Facebook, të cilin pranoi ta ndajë me Radion Evropa e Lirë, Ardiana ankohet për qasje joprofesionale të policëve.

“Të internalizuar, shumica prej tyre [policëve] i kanë patriarkalizmat e njëjtë si ngacmuesit seksualë, e kur hasin në ndonjë ngacmues, nuk iu duket se është bërë nami nëse veç paska folur”, shkroi Ardiana.

Ajo, po ashtu, tregoi se në një rast të raportimit të ngacmimit seksual, nuk është marrë seriozisht nga një polic vetëm pse, siç tha, nuk kishte “dëme fizike”.

“Policia i kryen detyrat me profesionalizëm”

E pyetur për procedurat që ndiqen nga zyrtarët policorë në Kosovë për trajtimin e rasteve të tilla, Zyra e Informimit e Policisë thotë se ndiqen “procedura standarde”.

“Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, sigurohet që me profesionalizëm t’i kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e saj, duke iu nënshtruar procedurave kompetente të parapara me Procedurat Standarde të Operimit dhe ligjeve të aplikueshme në fuqi”, thuhet në deklaratën dhënë REL-it, por pa u ofruar detaje të tjera.

Sipas statistikave të Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK), afro 50% e kosovarëve përjetojnë ngacmim seksual gjatë jetës së tyre dhe gratë përbëjnë numrin më të madh.

“Pavarësisht se kohëve të fundit vajzat dhe gratë janë më të informuara për të drejtat e tyre, përsëri gratë dhe vajzat marrin kërcënime të shumta dhe nuk ndihen të lira të raportojnë dhunën - qoftë fizike, psikike ose seksuale - në organet kompetente [për shkak të trajtimit joadekuat]”, thotë për Radion Evropa e Lirë Besarta Breznica, koordinatore në RRGK.

Trajtimi i rasteve të ngacmimit dhe dhunës seksuale nga institucionet shtetërore ka marrë vëmendje ditëve të fundit, pasi është bërë publik rasti i përdhunimit të një vajze 11 vjeçe nga pesë persona të dyshuar.

Lidhur me sjelljen e policëve, gjatë vitit të kaluar, Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se ka hetuar 213 punonjës policorë, ndërsa ka rekomanduar suspendimin e 85 prej tyre.

Tre zyrtarë policorë janë hetuar për veprat penale: ngacmim seksual, sulm seksual dhe dhunim.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga IPK-ja statistika të këtij viti lidhur me ankesat për policë gjatë hetimit të rasteve të ngacmimit dhe dhunës seksuale, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

A ka trajnime specifike për policë?

Në planin e trajnimeve për vitin 2022 në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) nuk figuron asnjë trajnim specifik për trajtimin e rasteve të ngacmimit apo dhunës seksuale. Megjithatë, nga AKSP-ja thonë për REL-in se ato janë ndër trajnimet bazike për policë.

“Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në kuadër të Trajnimit Profesional për zyrtarët policorë ekzistojnë tema që trajtojnë hetimin e veprave penale kundër integritetit seksual. Trajnimi profesional është trajnim bazë nëpër të cilin kalojnë zyrtarët policorë”, thonë nga Zyra e Informimit e AKSP-së.

Sipas katalogut të trajnimeve, të publikuar në faqen zyrtare të AKSP-së, trajnimi profesional për policë të rinj zgjat dy vjet dhe përbëhet nga 11 module të detyrueshme dhe katër zgjedhore. Trajnimi për hetimin e veprave penale dhe kundërvajtjeve është njëri nga modulet e detyrueshme, mirëpo nuk është trajnim specifik për vepra penale kundër integritetit seksual.

Hulumtimet e RRGK-së gjejnë se zyrtarët policorë dështojnë t’i vënë në praktikë njohuritë teorike që fitojnë gjatë trajnimeve.

“Policia e Kosovës ende ka qëndrime që e fajësojnë viktimën, kur viktima raporton dhunën. Hulumtimet e RRGK-së tregojnë se Policia e Kosovës, por edhe institucionet tjera kanë nevojë ende për trajnime, posaçërisht për dhunën seksuale”, shprehen nga RRGK-ja.

Trajnime shtesë për policë për trajtimin e këtyre rasteve sugjeroi edhe misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, në raportin “Vlerësimi i Trajtimit të Rasteve të Dhunimit nga Sistemi i Drejtësisë në Kosovë”, i cili u publikua në korrik të këtij viti.

Sipas EULEX-it, Policia e Kosovës ka nevojë veçanërisht për trajnime në lidhje me qasjen ndaj viktimës, teknikat e intervistimit të viktimës dhe teknikat e hetimit të këtyre rasteve.

Protokoll shtetëror për trajtimin e dhunës seksuale

Për të përmirësuar, siç është thënë, trajtimin e viktimave të dhunës seksuale nga institucionet përgjegjëse, Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka paralajmëruar në mars të këtij viti hartimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Dhunimeve Seksuale.

Puna për hartimin e tij ka filluar në prill dhe pritet të përfundojë në nëntor.

“Protokolli do të definojë qartë veprimet dhe përgjegjësitë e secilit [institucion] karshi viktimës/të mbijetuarit/të mbijetuarës së dhunës seksuale, do të vërë theksin mbi nevojat e grupeve të ndjeshme/cenueshme të shoqërisë, si edhe do të tentojë të përafrojë përgjigjen e institucioneve me standardet që parasheh Konventa e Stambollit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Drejtësisë, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Kjo konventë, e hartuar nga Këshilli i Evropës, shërben si kornizë ligjore për luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Në Shqipëri, Protokolli i Menaxhimit të Rasteve të Dhunës Seksuale specifikon se policët duhet të kufizohen në bërjen e pyetjeve vetëm për çështjet e nevojshme për identifikimin dhe gjetjen e të dyshuarit dhe se viktima ka të drejtë të refuzojë të përgjigjet në pyetje për jetën private, që nuk kanë lidhje me veprën penale. Për më tepër, viktima pyetet menjëherë nëse do të preferonte të intervistohej nga një polic apo prokuror i së njëjtës gjini.

Nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se gjatë vitit 2021 në Kosovë janë iniciuar 54 raste të ngacmimit seksual, kurse në periudhën janar-qershor të këtij viti janë raportuar 38 raste të tilla.

Raste të dhunimit, në vitin 2021, janë iniciuar 102, kurse në periudhën janar-korrik 2022 - 41 raste.


MË SHUME NGA Në Fokus