Liderët politikë të Kosovës përkujtojnë 11 shtatorin 2001
Rtklive
Në Fokus

Liderët politikë të Kosovës përkujtojnë 11 shtatorin 2001

Naser Mekolli /RTKlive

Liderët politikë të Kosovës sot kanë përkujtuar 11 shtatorin 2001, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u goditën nga sulme terroriste, që lan prapa mijëra njerëz të vdekur dhe të plagosur.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar 21-vjetorin e sulmit terrorist në SHBA.

Konjufca, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova me mendje e zemër është pranë dhimbjes së familjeve të viktimave, popullit amerikan dhe përkrah ShBA-së.

Ai, përkujton 11 Shtatorin e vitit 2001, kur Nju Jorku, Washington DC dhe Pensilvania u goditën nga një seri sulmesh të koordinuara terroriste, që lan prapa mijëra njerëz të vdekur dhe të plagosur.

“Mizoria që tronditi botën nuk ishte goditje vetëm kundër popullit amerikan dhe ShBA-së, por edhe sulm brutal mbi vlerat e lirisë, demokracisë, mirëqenies, civilizimit dhe paqes globale.

Edhe sot, në 21-vjetorin e kujtimit të njërës ndër ditët më të tmerrshme në historinë e botës, populli dhe shteti ynë, Republika e Kosovës, me mendje e zemër janë pranë dhimbjes së familjeve të viktimave, popullit mik amerikan dhe përkrah shpëtimtarit e aleatit tonë më të fuqishëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Gërvalla-Schwarz: Më 11 shtator u sulmua shteti i lirë, ku demokracia vlen

Donika Gërvalla-Schwarz, ministre  e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), njëherit edhe zëvendëskryeminister e Kosovës, Donika Gërvalla, ka përkujtuar sulmet e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo. në një postim në rrjetin social, Facebook, ka shkruar se 21 vjet më parë, më 11 shtator 2001, nuk u sulmuan vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por e tërë bota e lirë dhe demokratike.

“Terroristët nuk goditën vetëm dy Kullat Binjake dhe Pentagonin, por sulmuan shpirtin dhe vlerat themelore njerëzore të popullit amerikan dhe të gjithë atyre shteteve dhe popujve, të cilat ndajnë të njejtat vlera. Këto vlera Republika e Kosovës, atëherë dhe sot, i ndan me aleatin e saj më të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vazhdon t’i mbrojë dhe kultivojë me ngulm.

Më 11 shtator 2001 u sulmua shteti i lirë ku demokracia vlen njëjtë për të gjithë, ku të gjithë i gëzojnë të drejtat themelore pavarësisht bindjeve, prejardhjes apo përkatësisë që kanë. Këto ishin sulme kundër lirisë, vlerave të saj, modelit të jetës perëndimore amerikane pa ngulfatje, pa persekutime ndaj atyre që jetojnë dhe mendojnë ndryshe.”

Gërvalla-Schwarz thotë se kurrë nuk do ta harrojmë 11 shtatorin, dhe se 21 vjet më vonë përkulemi para mijëra jetërave të humbura nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe shpirtin e pamposhtur e liridashës të popullit amerikan.

“Në një ditë si kjo kujtojmë edhe kontributin e pakrahuesueshëm të SHBA-ve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për ndaljen e gjenocidit dhe krimeve serbe në Kosovë. I jemi përjetësisht mirënjohës popullit amerikan.  Sot Republika e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, qëndron partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën e përbashkët kundër terrorizmit. Qoftë e bekuar gjithmonë miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Gërvalla-Schwarz.

 

Krasniqi: 11 shtatori , vetëm sa i bashkoi SHBA-në dhe botën demokratike

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) tha se, sot me dhembje kujtojmë 11 shtatorin e vitit 2001, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u goditën nga sulmet terroriste, që morën jetën e rreth 3 mijë personave.

Ai, në një postim në rrjetin social, Facebook shkruan se megjithatë, ajo që ishte menduar të ishte goditje për SHBA-të dhe botën demokratike, vetëm sa i bashkoi të gjithë

“Megjithatë, ajo që ishte menduar të ishte goditje për SHBA-të dhe botën demokratike, vetëm sa i bashkoi të gjithë, për tu ngritur më fuqishëm e më guximshëm se kurrë kundër terrorizmit dhe në mbrojtje të më të shtrenjtës: Lirisë!

Frontit të përbashkët global kundër terrorizmit, që udhëhiqet nga SHBA-të tash e 21 vjet, i është bashkuar edhe Kosova”, shkruan Krasniqi.

Njëherit, shtoi se në përvjetorin e 21-të të kësaj ngjarjeje që ndryshoi drejtimin e historisë së re, qëndrojmë pranë popullit mik amerikan, për të kujtuar këtë ditë dhe për të ndarë dhembjen dhe pikëllimin me ta.

Abdixhiku: Sot ne kujtojmë dhe nderojmë viktimat, familjet e tyre

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar sulmet e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Abdixhiku, në një postim në Twitter, ka shkruar se sot kujtomë dhe nderojmë viktimat e këtyre sulmeve terroriste.

“21 vjet më parë, 3 mijë jeta humbën në sulmet terroriste të 11 shtatorit. Sot ne kujtojmë dhe nderojmë viktimat, familjet e tyre dhe heronjtë që ndihmuan në atë kohë kur ishte e nevojshme”, ka shkruar Abdixhiku.

Haradinaj: 11 Shtatori i vitit 2001, ndryshoi përgjithmonë kursin e globit

11 Shtatorin e vitit 2001 e ka përkujtuar sot edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Ai, në një postim në Facebook, ka thënë se 11 Shtatori i vitit 2001, ndryshoi përgjithmonë kursin e globit.

“Në një ndër ditët më të zeza të historisë moderne, sulmi terrorist i paprecedent kundër Shteteve të Bashkuara, lëkundi botën por nuk e theu shpirtin e madh amerikan. Qëndresë, fitore, liri dhe demokraci.

Në njëzetenjë vjetorin e 9/11, ashtu si çdo ditë, jemi pranë miqve amerikan, pranë botës demokratike, duke kujtuar me respekt viktimat e asaj dite. Në rresht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haradinaj.

Kurti kujton sulmet e 11 shtatorit: Bashkëndjejmë me SHBA-në

Kryeminsitri i Kosovës Albin Kurti, ka kujtuar sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai, në një postim në rrjetin social, Facebook, ka shkruar se sot Kosova bashkëndjen me SHBA-për këtë akt terroristë, duke shtuar se së bashku me ta nuk do ta lejojnë që terrorizmi të triumfojë.

“Pak më shumë se dy vjet kishin kaluar nga çlirimi i Kosovës. Ende nuk i kishim pastruar mirë rrënojat e luftës dhe aroma e shkrumbit akoma ndjehej nga shtëpitë e djegura.

Amerika po sulmohej! Një vrull ndjenjash të përziera mes frikës, zemërimit dhe pafuqisë për t’i dalë në ndihmë vendit që ndali gjenocidin dhe na ndihmoi të fitonim lirinë, përcillnin pamjet apokaliptike të rrëzimit të rrokaqiejve binjakë në New York dhe të shkatërrimit të një pjese të Pentagonit, në afërsi të kryeqytetit amerikan, Washington, D.C”, shkruan Kurti.

Ai shton se pavarësisht se sa vite kalojnë, mjafton të përmendet data 11 shtator dhe ne kthehemi mënjëherë në atë ditë të errët.

“Sot kujtojmë për të mos i harruar kurrë gati 3 mijë jetë të bukura, nga më shumë se 90 shtete, që u morën mizorisht”, shkruan ai.

Kurti thotë se, ata që sulmuan shpresuan që përmes frikës dhe terrorit ta dobësonin, por ShBA-të qëndruan këmbëngulëse dhe dëshmuan se asnjë akt terrori nuk ndryshon karakterin e kombit amerikan të themeluar mbi besimin se të gjithë janë të krijuar të lirë dhe të barabartë.

“Ne sot bashkëndjejmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së bashku do të sigurohemi që terrorizmi dhe ligësia nuk do të triumfojnë kurrë”, ka shkruar kryeministri Kurti.


MË SHUME NGA Në Fokus