Presidentja në Bërdo-Brijuni: Këtë vit presim vendim pozitiv për vizat
BKT
Foto: Borut Pahor/Twitter
Lajme

Presidentja në Bërdo-Brijuni: Këtë vit presim vendim pozitiv për vizat

Leonora Bërbatovci & Jeton Musliu/RTK

(Plotësuar: 16:00) Pas përfundimit të samitit Bërdo-Brijuni të mbajtur në Slloveni, ku u miratua edhe një deklaratë e përbashkët e gjashtë vendeve pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor, para medieve, foli presidentja Vjosa Osmani.

Ajo deklaroi se Kosova është një vend në Ballkanin Perëndimor, me aspirata për anëtarësim në BE.

Presidentja Osmani u shpreh se arkitektura e sigurisë, kërkon  veprime të duhura e me kohë, dhe sipas saj, është koha që sa më shumë  të ketë BE në Ballkan, aq më shumë paqe do të ketë në rajon.

“Si në çdo takim të samitit Bërdo-Brijuni, Kosova do të qëndrojë si anëtare e barabartë e vendeve të rajonit e ku edhe i kemi dhënë propozimet tona, që janë marrë parasysh”, u shpreh  e para e  shtetit.

“Duam të ritheksojmë rëndësinë e këtij samiti dhe duam të shprehim vlerësimin tonë për nikoqirët, sepse ashtu sikurse Sllovenia, edhe Kroacia, kanë qenë mbështetëse edhe më parë për Kosovën, e vazhdojnë të jenë, derisa ta fitojmë vendin tonë në OKB, BE e NATO”, u shpreh presidentja Osmani.

Presidentja në Bërdo-Brijuni: Qëndrimet e Kosovës, në deklaratën 6 pikëshe

E pyetur nëse ka pasur mbështetje nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që Kosovës t’i liberalizohen vizat, presidentja e republikës, u shpreh se tashmë janë miratuar gjashtë pika në këtë samit.

“Ato janë mbështetur nga të gjitha vendet dhe nuk pati asnjë vend që kundërshtoi, por duhet ditur se jo të gjitha vendet e  Ballkanit Perëndimor janë pjesëmarrëse në vendin ku merret vendimi për liberalizim”, u shpreh ajo.

Osmani rikujtoi e Kosova ka biseduar me aleatët e saj, si është Republika Çeke  dhe shtete të tjera anëtare të BE-së.

“Nuk ka vend të BE-së që na thotë se janë kundër liberalizimit dhe besoj se kemi momentumin  e duhur për liberalizim dhe momentumi është i shkëlqyer. Prandaj shpresojmë se gjatë tetorit të mblidhet grupi punues për viza  dhe në samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor, që pritët të mbahet nga muaji tetor, të dihet më shumë”, tha ajo.

Sipas presidentes Osmani, me rëndësi është që gjatë presidences çeke të BE-së, të merret ky vendim, gjatë këtij viti.

“Kemi biseduar me vendet e  BE-së dhe është më rëndësi që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Slloveninë e Kroacinë, të flasim me një zë kur flitet për liberalizim të vizave”.

Presidentja Osmani u shpreh se ky proces ka të bëjë edhe me vetë  kredibilitetin e BE-së, por duhet kujtuar se Kosova ka zgjedhur rrugën euro-atlantike.

“Në fund të vitit do të aplikojmë për kandidaturën për anëtarësim në BE. Kosova qëndron dhe i mbron vlerat e BE-së”, u shpreh presidentja e Kosovës.

“Ne besoj se e meritojmë statusin  e vendit kandidat sa më shpejt të jetë e mundur”.

Presidentja e Kosovës edhe një herë rikonfirmoi se deklarata e përbashkët  në samitin Bërdo-Brijuni është e miratuar njëzëri dhe është tejet e rëndësishme.

Ajo nënvizoi edhe një herë se BE-ja i ka premtuar Kosovës që në vitin 2018, liberalizimin e vizave, sepse vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Askush nuk humb nga ky liberalizim. Deklarata u pranua nga të gjithë pjesëmarrësit dhe nuk kemi pasur biseda bilaterale”.

Ajo risolli në vëmendje se ka shumë mospajtime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe këto  mospajtime janë publike.

“Serbia ende nuk e  pranon realitetin e pakthyeshëm se Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe sa më shpejt ta kuptojë këtë, do të jetë më mirë edhe për vetë Serbinë”, u shpreh ajo.

“ Kosova është shumë e angazhuar për dialog dhe në këtë dialog besoj se realiteti duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe me këtë edhe vetë Serbia do të ecte rrugës evropiane”.

Osmani tha se ka shumë gjëra me të cilat nuk pajtohet me Vuçiqin, por dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të përqendrohet tek njohja e ndërsjellë.

“Nëse Serbia angazhohet në mënyrë konstruktive të arrijë marrëveshje përfundimtare me njohje të ndërsjellë në qendër, atëherë kjo njohje është ajo që sjellë paqen e dëshiruar dhe na sjellë më afër BE-së, që është edhe synimi ynë”.

6 konkluzionet e samitit Bërdo-Brijuni, kërkohet heqja e vizave për Kosovën

Leonora Bërbatovci & Jeton Musliu/ RTK

(Plotësuar: Ora: 14:45) Presidenti i Sllovenisë, ka publikuar gjashtë konkluzionet e samitit të Bërdo-Brijunit. Në llogarinë  e tij në Twitter, ai shkroi se të gjashtë vendet pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor që përfaqësohen nga presidentët, janë pajtuar në këto pika.

Në samitin e 11-të të Bërdo-Brijunit, presidenti slloven u shpreh se konkluzionet janë këto:

 1. Ritheksojmë rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtën e paqes dhe stabilitetit në rajon, zgjerimi është më shumë se gjeopolitikë,

 2. Ne bëjmë thirrje për një proces më të shpejtë të integrimit në BE, në përputhje me kushtet e njohura për anëtarësim, 

3. Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit kandidat për Bosnje dhe Hercegovinën deri në fund të vitit 2022,

 4. Ne bëjmë thirrje për heqjen e regjimit të vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022, 

5. I bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor në zbutjen e pasojave të krizës ekomomike dhe energjetike,

 6. Ne afirmojmë përkushtimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për të kapërcyer dallimet dhe çështjet e hapura në rajon.

Në këtë samit, ku nikoqir janë presidenti i Sllovenisë Borut Pahor dhe ai i Kroacisë, Zoran Milanoviq, Kosova përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, Shqipëria nga presidenti Bajram Begaj, Mali i Zi nga Milo Gjukanoviq, Maqedonia e Veriut nga Stevo Pendarovski, Bosnje e Hercegovina nga tre përfaqësuesit e presidencës boshnjake dhe Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

 

Bisedimet Kosovë-Serbi, temë e procesit të Bërdo-Brijunit

(E plotësuar, ora 13:35) Dy nikoqirët, Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe rëndësinë e ruajtjes së paqes në rajon.

Pahor dhe Milanoviq kanë bërë thirrje për dialog si rruga e vetme e gjetjes së zgjidhjes dhe ruajtjes së paqes në rajon, raporton RTK.

Teksa presidenti Pahor është shprehur i rezervuar për t’i bërë thirrje direkte Serbisë për njohjen e Kosovës, ai kroat Milanoviq tha se pavarësia është rrugë pa kthim dhe se ai vazhdimisht bën thirrje që vendet që nuk e kanë njohur Kosovën të bëjnë një gjë të tillë.  

Ndërsa presidenti slloven Borut Pahor tha se nuk i ka kërkuar Serbisë njohjen e Kosovës por sipas tij thirrja që është bërë është që të dyja vendet të vazhdojnë rrugën e dialogut.

“Ne kemi dhënë shumë deklaratë këtë vit, ne u kemi bërë thirrje të dy palëve që të vazhdojnë dhe ti zgjedhin çështjen, sepse paqja do të ruhet në këtë formë në rajon, ky është komenti im i fundit për këtë gjë”, tha ai, raporton RTK.

Osmani dhe Gjukanoviq diskutojnë për bashkëpunim |Foto-Video

(E plotësuar), Në margjinat e Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet Bërdo-Brijun, presidentja e vendit, Vjosa Osmani është takuar me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.

“Diskutuan zhvillimet aktuale në Evropë dhe rajonin tonë dhe theksuan rëndësinë themelore të bashkëpunimit që synon promovimin e paqes, stabilitetit dhe të ardhmes sonë euroatlantike”, ka shkruar ajo në Twtter”.

Begaj:Mbështetje të plotë dialogut Kosovë-Serbi

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj po merr pjesë në Samitin në Slloveni. Ai tha mbështetje të plotë dialogut Kosovë-Serbi, është e vetmja mënyrë për zgjidhje të qëndueshme dhe që i shërben paqes, sigurisë dhe progresit në rajon. May be an image of 3 people, people standing and suit

" I nderuar të merrja pjesë sot në takimin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, platforma më e lartë politike në Ballkanin Perëndimor. Shumë e rëndësishme të diskutonim hapur për nxitjen e bashkëpunimit rajonal si dhe dërgimin e mesazhit të përbashkët se procesi i zgjerimit është tashmë një cështje gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Një rrugë e përshpejtuar e afrimit me BE-në është e domosdoshme tashmë", ka shkruar ai në "Facebook".

Vazhdon Samiti në Slloveni, Osmani mban konferencë në orën 15:00|Video

(E plotësuar, ora 13:00) Liderët e Ballkanit Perëndimor ende po mbajnë takimi i Bërdo-Brijunit. Pas takimit do të ketë konferencë për media nga nikoqirët, ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbajë konferencë në ora 15:00.

Nis Samiti në Slloveni, foto e përbashkët me të gjithë presidentët|Video

(E plotësuar, ora 11:00) Liderët e Ballkanit Perëndimor kanë arritur në vendin ku do të mbahet takimi i Bërdo-Brijunit. Para se të fillojë takimi, të gjithë pjesëmarrësit kanë bërë një foto të përbashkët.

Për ecurinë e takimeve, presidentja Vjosa Osmani, në faqen e saj zyrtare në Facebook, ka postuar një video.

Liderët e Ballkanit Perëndimor bashkë në procesin e Bërdo-Brijunit

(E plotësuar, ora 09:30) Liderët e Ballkanit Perëndimor janë bërë bashkë në procesin e Bërdo-Brijunit

Pjesëmarrja në Procesin Bërdo-Brijuni i cili këtë vit po mbahet në Slloveni është konfirmuar nga të gjithë drejtuesit e iniciativës: bashkëdrejtuesi i Iniciativës, presidenti kroat Zoran Milanović; Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu: Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj; tre anëtarë të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës: Zheljko Komshiq, Milorad Dodik dhe Shefik Xhaferovic; Presidenti malazez Milo Gjukanoviq; Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Takimi i liderëve të Procesit Brdo-Brijuni do të jetë një mundësi për të vlerësuar situatën aktuale në rajon dhe mbi të gjitha për t'u bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit.

Në një atmosferë joformale, liderët do të jenë në gjendje të shkëmbejnë mendime edhe për çështje të tjera aktuale, raporton Radiotelevizioni I Kosovës.

Nisma e Procesit Bërdo-Brijuni u formua në vitin 2010 kur kryeministrat e atëhershëm slloven dhe kroat, përkatësisht Borut Pahor dhe Jadranka Kosor, pas nënshkrimit të marrëveshjes për arbitrazhin mes dy vendeve, dëshiruan të jepnin shembull për liderët e Ballkanit Perëndimor dhe t'i inkurajojë ata të zgjidhin çështjet dypalëshe dhe të rrisin ritmin e integrimit në BE.

Në më shumë se një dekadë, Procesi Brdo–Brijuni është zhvilluar në iniciativën më të rëndësishme politike të këtij lloji në Evropën Juglindore dhe më pas i dha fill Procesit të Berlinit. Që nga viti 2013, takimet në kuadër të Procesit Bërdo-Brijuni janë mbajtur çdo vit; liderëve u janë bashkuar disa herë edhe të ftuar specialë: Presidenti i Republikës Franceze François Hollande (2013), Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë Angela Merkel (2014), Presidenti Federal i Republikës së Austrisë Heinz Fischer (2015), Zv. Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden (2015), Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk (2015 dhe 2018), Presidenti i Republikës Italiane Sergio Mattarella (2016), Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Ëalter Steinmeier (2017), Presidenti i Këshillit të BE-së Boyko Borisov (2018), Presidenti i Republikës së Polonisë Andrzej Duda (2019) dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Federica Mogherini (2019).

Sot mbahet samiti i Bërdos, Kosova përfaqësohet nga presidentja Osmani (Ora 06:07)

Afet Bela / RTKlive

Sot në Kranjë të Sllovenisë mbahet samiti i njëmbëdhjetë i liderëve të Procesit Bërdo-Brijunit

Presidenti slloven, Borut Pahor do t’i pres sot  liderët e vendeve të Evropës Juglindore, në samitin që ka për qëllim zhvillimin politik dhe të përgjithshëm në Evropën Juglindore.

Kosova në këtë Samit përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.

"Temat të cilat do të diskutohen në këtë takim përfshijnë perspektivën e integrimit evropian për vendet aspiruese të Ballkanin Perëndimor, të cilat i përmbushin kushtet për integrim dhe të cilat i bashërendojnë politikat me ato të Bashkimit Evropian, tejkalimin e sfidave të përbashkëta si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, përfshirë krizën energjetike dhe sigurinë ushqimore; si dhe përkushtimin për demokraci, paqe dhe dialog", thuhet në komunikatën e presidencës së Kosovës.

Presidentja Osmani do t’i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces, përfshirë thirrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të vendit tonë, raporton RTKlive.

Ndryshe takimi i Procesit Bërdo-Brijunit do të mbahet në Bërdo afër Kranjit në Slloveni nën udhëheqjen e presidentit të Sllovenisë Borut Pahor dhe presidentit të Kroacisë, Zoran Milanović.

Ky samit, kontribuon në procesin e zgjerimit dhe në të njëjtën kohë trajton disa çështje delikate të politikave globale dhe rajonale.

Sipas presidencës sllovene, sivjet ky Samit do të jetë një mundësi për të vlerësuar situatën aktuale në rajon dhe mbi të gjitha për t'u bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit.

Kjo nismë e quajtur Procesi i Bërdo-Brijunit u formua në vitin 2010 nga kryeministrat e atëhershëm slloven dhe kroat, Borut Pahor dhe Jadranka Kosor.


MË SHUME NGA Lajme