Të enjten deputetët i kthehen Kuvendit, debatohet për grevat
BKT
Elmina Osmani/RTK
Lajme

Të enjten deputetët i kthehen Kuvendit, debatohet për grevat

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

( E plotësuar) Më 15 shtator do të mbahet seanca e parë plenare e sesionit vjeshtor të Kuvendit, e para seancë me Rregulloren e re që u miratua në korrik e u fuqizua në gusht.

Kryesia e Kuvendit nuk pati kuorum të mjaftueshëm për të mbajtur mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor, por me dakordim të atyre që ishin të pranishëm, Kryetarit e dy nënkryetarëve si dhe shefave të Grupeve Parlamentare  nga Vetëvendosje, PDK, LDK AAK e Grupi Multietnik u vendos që seanca e parë plenare për sesionin vjeshtor të mbahet këtë të enjte.

Në këtë mbledhje përveç kryeparlamentarit si drejtues i Kuvendit të pranishëm ishin vetëm dy nga pesë nënkryetarët e Kuvendit, ai nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj si dhe i LDK-së, Kujtim Shala.

Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari- Lila ka folur për rendin e ditës që do të ketë seanca e parë e sesionit të ri, ndër të tjera tha se do të plotësohet e ndryshohet Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe  për Ministrinë e Mbrojtjes e pas tyre do të jetë edhe debati për grevat i thirrur nga opozita.

“Sot ishte e thirrur mbledhja e parë e Kryesisë për sesionin vjeshtor megjithatë nuk kishte kuorum. Me dakordim të atyre që ishin prezent u vendos që seanca e parë për sesionin vjeshtor të mblidhet më 15 shtator nga ora 10:00, pra ditën e enjte. Sot përfaqësuesit e opozitës propozuan debatin për grevën e përgjithshme, pikë kjo që u dakorduam ta kemi si pikën e 8-ë të rendit të ditës pas plotësim-ndryshimeve të Grupeve Parlamentare të deputetëve në Komisionet Parlamentare”, ka thënë Kusari- Lila.

Ndërkohë, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se nuk ka se si të fillojë ky sesion vjeshtor pa debatin për grevat.

“Sot GP i PDK-së në mbledhjen e  parë të mbajtur në këtë sesion vjeshtor ka propozuar një debat parlamentar rreth grevave në arsim e të Shërbyesve Civil. Nuk ka se si të fillojë ndryshe ky sesion pa një debat rreth grevave që po ndodhin në Republikën e  Kosovës. Është java e tretë, është e hëna e tretë që do të duhej të fillonte mësimi në Republikën e  Kosovës dhe si rezultat i një kryeneçësie nga Kryeministri e Qeveria, në mungesë të një dialogu social me Sindikatat  kemi ardhur në një situatë ku greva po vazhdon e ata që po humbin më së shumti janë fëmijët, nxënësit e Republikës së Kosovës”, tha para gazetarëve ai.

Ai ka thënë se greva duhet të ndalet sa më parë dhe shpreson që shkollat të hapen deri të enjten ende pa u zhvilluar debati në Kuvend.

Për grevat foli edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.

Ai tha se AAK-ja ka kërkuar që ta ketë në interpelancë ministrin Hekuran Murati, por meqë gjendja sipas tij  në sektorin publik e privat është e rëndë, tema e grevës është një temë me rëndësi.

“Për Grupin Parlamentar të AAK-së gjendja është e jashtëzakonshme dhe nuk mund të sillemi zakonshëm as si Kuvend as si vend e as si shoqëri. Ne do të mbështesim e ta adresojmë këtë temë”, ka thënë Tahiri.

Ai tutje ka treguar prioritete që i kanë si Grup Parlamentar për këtë sesion e i pari prioritet tha se është miratimi i Ligjit të Pagave.

“I pari prioritet është miratimi i Ligjit të Pagave dhe fillimi i zbatimit me 1 janar. Nuk ka logjikë që ky Ligj të vazhdojë të jetë pjesë e konsultimeve publike e të thuhet se do të hyjë në fuqi tek në fund të vitit të ardhshëm”, ka thënë tutje ai.

Tahiri nuk la pa përmendur edhe dialogun me Serbinë duke thënë se për partinë që ai përfaqëson në Kuvend  ky proces është i një rëndësie të veçantë.

“Ne kërkojmë që sa më shpejtë të jetë e mundur Kosova të arrijë një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, që krijon njohje reciproke nën lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar Tahiri.

Nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e para për sesionin vjeshtor

Zyrtarisht ka filluar sesioni vjeshtor i Kuvendit të Kosovës me mbledhjen e Kryesisë të prirë nga kryetari, Glauk Konjufca.

Në këtë mbledhje përveç kryeparlamentarit si drejtues i Kuvendit shihen vetëm dy nga pesë nënkryetarët e Kuvendit, ai nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj si dhe i LDK-së, Kujtim Shala.

Në këtë takim nuk po marrin pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvend.

Ndërkohë, në nivel shefash të grupeve aty janë Mimoza Kusari-Lila nga Vetëvendosje, nga PDK-ja Abelard Tahiri, nga LDK-ja, Arben Gashi, nga AAK-ja Besnik Tahiri si dhe Enis Kervan nga Gruipi Multietnik.

Prapa dyerve të mbyllura Kryesia e Kuvendit bashkë me kryetarët e Grupeve Parlamentare pritet të trajtojë një varg pikash të mbetura nga sesioni i kaluar, madje pika të mbetura që mbajnë edhe datën e para gjashtë muajve.

Për trajtim sipas rendit të ditës janë pika të shkurtit, marsit, prillit e qershorit të këtij viti deri te seanca e fundit e 4 gushtit.

Ndërkohë janë edhe 14 pika të tjera që janë propozuar të jenë në rend dite për seancën e re e cila pas më shumë se një muaji do t’i kthejë deputetët në sallë plenare.

Gjithashtu do të shqyrtohen edhe propozime e kërkesa të tjera, dhe mbetet të shihet nëse do të trajtohet edhe kërkesa e AAK-së e shtruar me datën 2 të këtij muaji përmes së cilës kishte kërkuar interpelancë të Ministrit Hekuran Murati lidhur me situatën e fundit të krijuar me grevat në vend.

Kuvendi i Kosovës iu kthye punës pas më shumë se një muaji pushim. Seanca e fundit ishte mbajtur të enjten e 4 gushtit.

Në këtë sesion deputetët do të punojnë me Rregullore të re e cila hyri në fuqi vetëm pesë ditë pasi deputetët dolën në pushimet verore.

Ky dokument mbi të cilin bazohet puna e deputetëve u plotësua e ndryshua pas 12 vjetësh, i fundit ndryshim ishte bërë në prillin e vitit 2010.

Sipas platformës “Vota ime” deri tash në Kuvend janë miratuar  87 ligje apo 75.65% e agjendës legjislative derisa në procedurë janë edhe 28 ligje të tjera apo përkthyer në përqindje 24. 35%.


MË SHUME NGA Lajme