Filmi “Zgjoi” në shtypin gjerman-apo histori suksesi edhe pa Oscar
Rtklive
Foto: DW
Në Fokus

Filmi “Zgjoi” në shtypin gjerman-apo histori suksesi edhe pa Oscar

DW

Filmi “Zgjoi” i Blerta Bashollit hyri javën e kaluar për të herë të parë në programin e kinemave gjermane. Ja çfarë shkruajnë kritikët e kulturës:

Filmi i Blerta Basholli "Zgjoi" nisi javën e kaluar shfaqjen në programin zyrtar të kinemave gjermane. Filmi kosovar,i cili këtë vit bëri histori duke qenë filmi i parë që hyri në listën e shkurtër të nominimeve Oscar,është nderuar me një mori çmimesh. Rishtazi regjisorja Blerta Basholli u nderua me çmimin e të drejtave të njeriut, Horizonte, në Festivalin e Pesë Liqeneve në Mynih.

Annett Scheffel në Sueddeutsche Zeitung shkruan në një koment për filmin "Zgjoi". "Tepër e madhe është dhimbja, tepër të ngurta rolet. E kaluara rëndon në debutimin mbresëlënës të regjisores Blerta Basholi, që rrëfen gjendjen e shokut që ka mpirë Kosovën e pasluftës. Një fshat i tërë është kapur pas shpresës që çdo gjë do të bëhet si më parë. Mendërisht lufta nuk ka përfunduar. Në mes të kësaj jete të ngurtësuar, nëna e re Fahrije, i shoqi i të cilës prej vitesh është në kërkim, guxon të hedhë vështrimin përpara. Bashkë me disa gra të tjera ajo themelon një sipërmarrje të vogël, që i trondit strukturat patriarkale. Një dramë e heshtur dhe prekëse me një protagoniste të paepur.”

Simon Rayß nga "Tagesspiegel”: Në "Hive", edhe gjestet më të vogla zhvillojnë efekte të fuqishme. Yllka Gashi, në Kosovë një yll televizioni, sjell një Farhije të përqendruar dhe të tërhequr. Figura e saj mbetet qendra e forcës, nga jashtë ajo duket si e patundshme. Por kur është vetëm në dush, atë e godet dhimbja. Basholli lë hapësirë të mjaftueshme që edhe gratë e tjera të fshatit të fitojnë profil. Grupi vepron pa filtra dhe me energji aq të madhe, kështu që "Hive” që në fillim zhvillon një intensitet të jashtëzakonshëm. Këtë mbresë e përforcon edhe inskenimi preciz i Bashollit. Madje ajo lejon edhe disa momente humori të lehtë, të cilat shumë shpejt i prish realiteti, në formën e ndonjë sharjeje që burrat u bënë vejushave në rrugë, ose në formën e një tulle që thyen xhamin e pasëm të makinës së Fahrijes. Në një farë mënyre, "Hive" është një film plotësues i "Quo Vadis, Aida?": Ndërsa regjisorja e tij Jasmila Žbanic vë në qendër tmerrin historik të Srebrenicës së Bosnjës, "Hive", i cili ka fituar tre çmime në Festivalin Sundance, merret me pasojat e tmerreve të luftës në Kosovë. Por filmi i Bashollit është edhe një manifest feminist për ballafaqimin e diferencuar me traditën dhe rendin patriarkal.

Bert Rehbandl në Frankfurter Allgemeine Zeitung: "Beteja e Fahrijes është beteja e shumë grave nga Bangladeshi në Burkina Faso. Në të njëjtën kohë, historia më e fundit e Kosovës është përfshirë me mençuri në skenar. (...) Fakti që "Zgjoi” u sjell grave të Krushës së Madhe më shumë gjallëri sa për të kaluar një krizë mjalti, e bën filmin e Blerta Bashollit një manifest shprese, që mund të shërbejë edhe për ta ndihmuar një shtet në periferi të Evropës për ta nxjerrë në qendër të vëmendjes së vendeve të pasura.”

 

 


MË SHUME NGA Në Fokus