Qeveria e Kosovës për RTKlive tregon arsyet e takimit urgjent Kurti-Rama
Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Qeveria e Kosovës deklarohet për takimin e papritur që kryeministri Albin Kurti, pati sot në Tiranë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
“Kryeministri Kurti ka zhvilluar sot një takim pune me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama”, thotë Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës.
“Në këtë takim dy kryeministrat kanë folur për çështjet e politikave publike e qeveritare dhe socio-ekonomike në Kosovë e Shqipëri”, tha Kryeziu për RTKlive.
“Me theks të veçantë në sfidat energjetike dhe shkëmbimin që po bëjnë KEK me KESh”, tha Kryeziu, në përgjigje me shkrim për RTKlive.
Pasditën e sotme, kryeministri Kurti, bashkë me zëvëndëskryeministrin Besnik Bislimi, udhëtuan në Tiranë ku në takim joformal, u pritën në ‘Vilën 31’, rezidencë kjo qeveritare, nga kryeministri Edi Rama.
Takimi zgjati rreth dy orë dhe për mbajtjen e tij dhe arsyen, nuk u dha asnjë sqarim, deri në orët e mbrëmjes.
Video Ekskluzive: Përfundon takimi i papritur Kurti-Rama në Tiranë
Udhëtimin e papritur drejt Tiranës, kryeministri Albin Kurti nuk e përmendi në konferencën për media që mbajti paradite e sotme në orën 11:30 minuta në Prishtinë.
Në atë konferencë, Kurti foli pas takimit të tij me Këshillin Grevist ku palët nuk arritën marrëveshje për ndërprerjen e grevës në arsim dhe administratë.
Sidoqoftë në fund të konferencës, duke iu drejtuar gazetarëve, Kurti u shpreh: “Faleminderit, por mua më duhet të shkoj në një takim urgjent, por do të jem para jush edhe nesër edhe ditëve të tjera për pyetjet tuaja”.
E në orët e pasdites, mediat në Shqipëri raportuan se në vilën qeveritare 31 në Tiranë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po mbajnë një takim kokë më kokë.
Takimi i papritur, zgjati rreth dy orë. Në pamjet që ka siguruar RTK, shihet se në takim ka marrë pjesë edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, shef i ekipit kosovar në bisedimet Kosovë-Serbi.
Sidoqoftë, arsyet e këtij takimi të papritur, zyrtarisht ende nuk janë bërë të ditura.
RTKlive ka siguruar fotografi por edhe video nga përfundimi i këtij takimi mes dy kryeministrave.
Ndonëse nga larg, shihet se Rama, Kurti e Bislimi kanë pasur një bisedë konsultative.
Duhet rikujtuar se ky takim i papritur pasohet nga një telefonatë që Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, pati gjatë ditës me kryeministrin Rama, ku sipas deklaratës së lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, temë ishte mbështetja amerikane ndaj Tiranës zyrtare, për sulmet kibernetike që kësaj të fundit po i bëhen nga Irani.
Në anën tjetër, ky takim i papritur Kurti-Rama në Tiranë, ndodhë në ditën kur në Serbi vazhdon të debatohet në Parlament, puna njëvjeçare e presidentit të këtij vendi, në raport me bisedimet me Kosovën, e ku është duke raportuar presidenti Aleksandar Vuçiq.
Përfundon takimi Kurti-Rama në Tiranë|Foto ekskluzive
Përfundoi takimi i papritur i cili zgjati rreth dy orë, mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrit Albin Kurti.
Takimi mes dy liderëve u mbajt në vilën qeveritare 31 në Tiranë.
Nga fotografitë e siguruara nga RTKlive, shihet se në takim ishte edhe Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i cili është i ngarkuar edhe me dialogun Kosovë-Serbi.
Në anën tjetër, sot gjatë ditës, Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se ka pasur bisedë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, e ku tema ishte sulmet kibernetike të Iranit në Shqipëri.
Gjithashtu, sot Kuvendi i Serbisë, po mbanë seancë për bisedimet Kosovë-Serbi, me një raport njëvjeçar që ka prezantuar presidenti Alesandar Vuçiq.
Sidoqoftë, sqarime zyrtare për këtë takim urgjent mes Kurtit e Ramës në Tiranë, ende nuk janë dhënë.
E kryeministri Kurti, udhëtimin e tij të papritur drejt Tiranës, nuk e përmendi as në konferencën për media që mbajti paradite në orën 11:30 minuta në Prishtinë.
Në atë konferencë, Kurti foli pas takimit të tij me Këshillin Grevist ku palët nuk arritën marrëveshje për ndërprerjen e grevës në arsim dhe administratë.
Sidoqoftë në fund të konferencës, duke iu drejtuar gazetarëve, Kurti u shpreh: “Faleminderit, por mua më duhet të shkoj në një takim urgjent, por do të jem para jush edhe nesër edhe ditëve të tjera për pyetjet tuaja”.
Vazhdon takimi i papritur Kurti-Rama në Tiranë|Foto
Mediat në Tiranë raportojnë se dy liderët janë duke mbajtur takim në vilën qeveritare në zonën e “Bllokut”.
Kryeministri Rama ka shkuar në këtë vilë e cila ndodhet pranë Kuvendit të Shqipërisë, rreth 30 minuta më parë, ndërsa më vonë ka mbërritur aty edhe kryeministri Albin Kurti.
Deri më tani nuk dihet tema që do të diskutojnë Kurti e Rama.
Ndërkohë, RTKlive është në pritje të marrjes së përgjigjes zyrtare nga ana e qeverisë së Kosovës, për arsyet e këtij takimi.



Kurti papritur në Tiranë për takim me Ramën
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pa ndonjë njoftim paraprak, ka udhëtuar drejt Tiranës.
RTK ka mësuar se kryeministri Kurti, pas takimeve që pati në orët e paradites dhe disa të tjera në mesditë, ka udhëtuar drejt kryeqytetit shqiptar.
Atje, ai ndodhet në një takim kokë me kokë me takim me kryeministrin Edi Rama.
Takimi mes Kurtit dhe Ramës ka nisur prej disa minutash dhe është zhvilluar larg vëmendjes së medieve.
Ende nuk dihet arsyeja e këtij udhëtimi dhe takimi.























