Avokati Von Bone: Nuk ka asnjë provë kundër Salih Mustafës
N.Mekolli /RTKlive A.Bela / RTKlive
(E plotësuar) Në Dhomat e Specializuara në Hagë, po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa. Mbrojtja e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, paraqet deklaratat përmbyllëse, para trupit gjykues në Hagë.
Avokati mbrojtës i të akuzuarit Salih Mustafa, Julius von Bone, në fillim të deklaratës përmbyllëse, mohon akuzat e prokurorisë. Ai tha se në këto akuza ndaj klientit të tij flitet edhe për një organizim të BIA-së, të përbërë nga 500 ose 600 pjestarë dhe që një njësit ka vepruar në Zllash, por Von Bone thotë se kjo nuk qëndron.
“Nuk ka asnjë dokumentacion sa i përket asaj, për njerëzit që ishin pjesëtarë të BIA-s. Ajo organizatë nuk asnjë regjistër të pjesëtarëve, asnjë lloj trajnimi, nuk kishte as grada, as uniforma, nuk kishte asnjë strukturë komanduese dhe as që kishte grada”, tha ai.
Sipas avokatit, njerëzit ishin angazhuar në mbrojtje dhe çlirim të vendit të tyre prej njërit nga regjimet më shtypëse të kohës.
BIA, sipas tij, ka funksionuar vetëm në vende urbane dhe ata vetëm kanë përcjellë, vëzhguar dhe kanë njoftuar për lëvizjen e forcave të armikut, ata nuk kishin sulmuar trupat serbe. Ai thotë se BIA nuk funksiononte në Zllash, nuk kishte asnjë lloj organizimi atje.
“Krasniqi, një banorë vendas, ka lënë shtëpinë e tij në dispozicion dhe i tërë konstruksioni, se ai kompleks i është dhënë BIA-s në diskonim është i pavërtetë. Shtëpia ka qenë në dispozicion të qytetarëve që kanë ikur nga ndjekjet, por pretendimet se ka qenë kompleks i BIA-s është tërësisht i pasaktë", tha avokati mbrojtës.
Avokati i Salih Mustafës ka thënë se kompleksi i Zllashit është përdorur si një vend i sigurt për ushtarët dhe popullatën civile, të zhvendosur nga zona të tjera.
Sipas tij, pretendimet e prokurorit se BIA e kishte përdorur një ndërtesë të caktuar për qëllimet e marrjes në pyetje apo për qëllimet e ndalimit, janë gënjeshtra.
“Z. Mustafa as që ka bërë torturua, as që ka dhënë urdhër që dikush të torturohet. Nuk ka asnjë provë kundër tij. Z.Mustafa nuk ka pasur pushtet mbi atë çka ka ndodhur në Zllash, as që ka nxitur dikë që të bëjë krime për atë që fajësohet se ka bërë apo ka nxitur dikë tjetër të bëjë krime”, tha ai.
Sipas Von Bone, dëshmitarë, njëri nga ta edhe ai 679 dhe të shumë të tjerëve, “thonë se gjatë qëndrimit dhe në Zllash kishin ndërruar disa vende, shtëpi, gjatë marrjes në pyetje dhe këto deklarata bien ndesh me njëra-tjetrën”.
Avokati përmend faktin se disa nga dëshmitë që kundërshtojnë njëra-tjetrën në vendndodhjen e këtij kompleksi, këtyre shtëpive, ku janë mbajtur dhe janë keqtrajtuar.
Ai përmendi disa dëshmitarë dhe foli për pasaktësitë e tyre në përshkrimin e objektit, kompleksit në Zllash.
Von Bone: Pretendimet e dëshmitarëve për objektin në Zllash, të pasakta
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Sali Mustafa.
Tutje, avokat mbrojtës i të akuzuarit Salih Mustafa, Julius von Bone, prezantoi disa skica nga dëshmitë e disa dëshmitarëve që përshkruan ndërtesat ku mbajtën të ndaluarit, në Zllash, e që sipas tij, janë të pasakta dhe kundërshtojnë njëra tjetrën.
Von Bone mori shembull shumë dëshmitarë që nuk mundën të identifikonin ndërtesat ku thonë se janë mbajtur, (në mesin e tyre edhe ata 6007 e 03564), që, sipas akuzave të prokurorisë, ishin viktima të torturës nga Mustafa.
Avokatja e viktimave kërkon dënimin e Salih Mustafës
(E Plotësuar, ora 10:20) Edhe sot po vazhdon procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafës me deklaratat përmbyllëse të prokurorit të rastit dhe avokatës së viktimave.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, po vazhdojnë deklaratat përmbyllëse të mbrojtëses së viktimave në gjykimin kundër ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Avokatja Anni Pues, gjatë seancës së sotme, tha se, në bazë të dëshmive të shumë deshmitarëve, i akuzuari mban përgjegjësi për ndalim arbitrar, trajtim çnjerëzor, vrasje, torturë dhe, sipas saj, ai duhet të ndëshkohet.
Sipas avokates, krimet kanë lënë pasoja të thella te viktimat dhe trupi gjykues duhet ta ketë parasysh këtë gjatë shqiptimit të dënimit.
Avokatja Anni Pues ka thënë se një person nga të ndaluarit, që pretendohet të jenë mbajtur në Zllash, ka humbur jetën dhe, sipas saj, për këtë mban përgjegjës të akuzuarin Mustafa.
Ajo foli edhe për dëshmitarin 03954, dëshmia e të cilit, sipas saj, edhe pse nuk ishte bindëse tregojnë diçka nga ajo që ka ndodhur atje.
“Deklarata e këtij dëshmitari nuk janë shumë bindëse, sepse ai i ka ndërruar deklaratat nga ato të mëparme. Ai foli për disa hollësi që nuk janë edhe aq bindëse dhe tregoi se të ndaluarit ishin liruar para ofenzifes serbe”, tha avokatja e mbrojtjes së viktimave.
Avokatja Pues tha se ky dëshmitar minimizonte çdo veprim të asaj që është bërë atje, megjithatë ai tha ca hollësi për vendin e kampit, konfirmoi se kushtet në kompleksin e Zllashit ishin shumë të këqia dhe pranoi se është liruar.
“Por edhe ky pranoi disa keqtrajtime aty, përshkroi në detaje shtëpinë ku u mbajtën dhe pranoi faktin se u mbajtën arbitrarisht aty”, tha avokatja.
Avokatja ka thënë se Salih Mustafa ka qenë në dijeni se vartësit e tij po kryenin krime dhe nuk ka bërë asgjë për t’i ndaluar ata.
Avokatja Anni Pues përmendi edhe dëshmitarët të tjerët, të cilët kanë përshkruar objektin ku po mbaheshin, si dhe përshkroi se në njërën nga dhomat kishte edhe një kuti elektrike që përdorej për keqtrajtimin e të ndaluarve.
“Dëshmitarët e mbrojtjes së të akuzuarit nuk kanë qenë bindës, ata janë kryesisht anëtarë të BIA-së”, tha Pues.
LIVE|Gjykimi i Salih Mustafës
Vazhdon gjykimi i Salih Mustafës me deklaratat përmbyllëse të prokurorit
Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovë në Hagë, mbahet seanca ndaj të akuzuarit Salih Mustafa. Edhe sot do të ketë seancë me deklaratat përmbyllëse të prokurorit të rastit.
35 vjet burg për Salih Mustafën dje kërkoi prokurori i Prokurorisë Speciale në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, raporton RTKlive.
Në ditën e parë të paraqitjes së fjalës përfundimtare të organit të akuzës dhe mbrojtjes, prokurori Cezary Michalczuk tha se Mustafa duhet të dënohet për disa vepra të rënda penale.
Ai tha se ish komandanti i UÇK-së, duhet të dënohet për ndalim arbitrar, 10 vjet burg, për trajtim mizor 20 vjet burg, për torturë 25 vjet burg dhe vrasje 33 vjet burg.
Ndryshe prej dje e për katër ditë me radhë, deri me datën 16 shtator, fjalën përfundimtare në këtë rast do ta paraqesë prokuroria.
Në këtë rast, seancat fillojnë gjithmonë nga ora 9:30 dhe transmetohen drejtpërdrejtë në RTK.
Pas fjalës përfundimtare të prokurorisë, më pas gjykata do të caktojë seancat për të dhënë fjalën përfundimtare edhe mbrojtja.
Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës.
Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së paten të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.
Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.
Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022.
Më 21 dhe 22 korrik 2022, Mbrojtja e Mustafës dhe Prokuroria i dorëzuan dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare ndërsa dhënia e deklaratave përmbyllëse është paraparë të bëhet në periudhën nga 13 deri më 15 shtator 2022 dhe më 16 shtator si ditë rezervë.























