TIFF, kinematografia finlandeze me Aki Kaurismaki
Kulturë

TIFF, kinematografia finlandeze me Aki Kaurismaki

ATSH

Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit (TIFF), i cili së shpejti do të mbahet në Tiranë, përveç filmave që do të garojnë për çmime, organizatorët kanë bërë edhe një përzgjedhje të veçantë me filmat e Aki Kaurismaki. Adhuruesit e kinemasë, e në veçanti ata të kinematografisë finlandeze, do të mund të ndjekin një përzgjedhje prej 8 filmash, nga krijimtaria e Kaurismakit, si tribut ndaj karrierës së këtij kineasti.

Të vendosur në kategorinë RetrospecTIFF, filmat janë “Crime and Punishment” (1983), “Hamlet Goes Business” (1987), “Ariel” (1988), “Leningrad Cowboys Go America” (1989), “The Match Factory Girl” (1990), “La vie de Boheme” (1992), “Drifting Clouds” (1996) dhe “The man without a past” (2002).

Aki Kaurismaki është një personazh i pazakontë. Tashmë njëri prej regjisorëve më të njohur finlandezë, dikur bënte lloj-lloj punësh, duke nisur nga postieri e pjatalarësi, e deri tek kritiku i filmit. Të gjitha profesione të cilat Kaurismaki i bëri përpara se të ngrinte kompaninë e tij të prodhimit e distribucionit, të cilën e quajti Villealfa, në nder të “Alphaville” të Jean-Luc Godard. Bashkëpunimet e tij nisën me vëllain Mika, edhe ai kineast. Thuhet se të dy së bashku kanë realizuar 1/5 e gjithë filmografisë finlandeze prej 1980 e deri me sot. Puna e Aki Kaurismakit, që do të mund ta ndjekim në TIFF, njihet më tepër jashtë atdheut të tij, Finlandës. Karakteristikë e filmave të tij, është koha e shkurtër e zhvillimit të ngjarjeve, e shumta 90’. Ato janë parodi ekscentrike të zhanreve të ndryshme, ku përfshihen edhe “film noir” apo “musicals”.

Tirana International Film Festival do të nisë në 24 shtator. Për herë të parë Agjencia Telegrafike Shqiptare do të jetë “Official Partner”.


MË SHUME NGA Kulturë