Miratohen 12 projektligje, këto janë të gjitha vendimet e Qeverisë
BKT
Blerim Kokolli/RTKlive
Lajme

Miratohen 12 projektligje, këto janë të gjitha vendimet e Qeverisë

Blerim Halimi / RTKlive

(E plotësuar) Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar dymbëdhjetë projektligje, tri nisma për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe trembëdhjetë vendime tjera.

Është miratuar Projektligji për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë, që përcakton themelimin, organizimin, funksionimin dhe përcaktimin e  kompetencave të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili do të funksionojë si Agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Me qëllim të themelimit të parimeve bazë, standardeve minimale të sigurisë si dhe një sistemi unik për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, u miratua Projektligji për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Me këtë ligj themelohet Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe përcaktohet  misioni, organizimi, funksionimi, detyrat dhe përgjegjësitë e saj, njofton kabineti qeveritar.

Në drejtim të reformave të sistemit prokurorial u miratua projektligji për Prokurorinë Speciale dhe ai për Prokurorin e Shtetit.

U miratua Projektligji për Sigurinë Kibernetike, që përcakton parimet e sigurisë kibernetike, institucionet që zhvillojnë dhe zbatojnë politikën e sigurisë kibernetike, përgjegjësitë e autoriteteve në fushën  e sigurisë kibernetike, detyrat e subjekteve të sigurisë kibernetike në Republikën e Kosovës si dhe themelon Agjencinë për Siguri Kibernetike.

Qeveria miratoi edhe projektligjin për Tubimet Publike, atë për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me ligjin për procedurën e përgjithshme administrative.

Miratimin e qeverisë e morën edhe dy Projektligje për ratifikim të marrëveshjeve në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrje të Kosovës në "Fiscalis", Programi i Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Fushën e Tatimit, si dhe për pjesëmarrje të Kosovës në "Doganat", Programi i Bashkimit Evropian për bashkëpunim në fushën e doganave.

U miratuan dy projektligje, ai për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për projektin Parku i Inovacionit dhe Trajnimit Prizren ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, si dhe ai për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2021.

Qeveria e ka miratuar vendimin për emërimin e drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Qendrore Kompania për Menaxhimin e Deponive, Sh. A.

Me vendim të miratuar në mbledhje është themeluar Komisioni për Ankesa për të Huajt, si dhe Autoriteti Qeveritar për Migrim.

Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi me qëllim të ndërtimit e koordinimit më të mirë të politikave, dhe avancimit të shërbimeve, të cilin do ta kryesojë kryeministri Albin Kurti.

Është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Masa 4.1 – Mbështetja e shëndetësisë, për pagat e specializantëve të rregullt dhe të atyre me vetëfinancim në periudhën shtator-dhjetor 2022.

Qeveria ka miratuar vendimin për shfuqizimin e vendimit për ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe ri eksportit të produkteve themelore agro-ushqimore të datës 13 prill 2022. Bazuar në vlerësimin se ka përmirësim të situatës në furnizim me produktet esenciale ushqimore dhe të furnizimit me lëndën e parë në tregun e vendor, Qeveria miratoi këtë vendim për të evituar humbjet e bizneseve prodhuese në Kosovë.

Me qëllim të sigurimit të mjeteve për realizim të pesë projekteve kapitale në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara mes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarëve të komunave të Rahovecit, Lipjanit, Junikut, Suharekës dhe Mamushës, qeveria ka miratuar vendimin për rialokim të mjeteve financiare në MAPL.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për transfer të mjeteve në shumë prej 1.539.814 (një milion e pesëqind e tridhjetë e nëntë mije e tetëqind e katërmbëdhjetë) euro për projektin e Objektit të Teatrit dhe Operës si dhe mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 17/92 të datës 10 gusht 2022, me të cilin plotësohet pozita e kryesuesit të Bordit të Drejtorëve në Ndërmarrjen Publike “Infrakos”, pas dorëheqjes së ish-kryesuesit të këtij bordi.

Qeveria ka ndryshuar dhe plotësuar, me qëllim të harmonizimit me legjislacionin evropian, vendimin për  zbatimin nga Republika e Kosovës të Pakos së 6 të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë.

Është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në vlerë prej 18 milionë eurove për zbatim të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, në kuadër të masës 2.5 – Ringjallja e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizmit.

Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe Programi për parandalimin dhe zvogëlimin e barrës administrative 2022-2027 dhe Plani i veprimit 2022-2024. Zbatimi i këtij programi dhe plani do të ulë koston dhe do të rrisë efikasitetin e subjekteve juridike, qytetarëve dhe bizneseve në Republikën e Kosovës.

Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, janë miratuar edhe masat obliguese për sektorin publik për kursimin e energjisë elektrike, që përfshinë 20 masa të ndryshme të cilat do të ndikojnë në përballimin e krizës energjetike.

Kanë marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe nismat për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare:

-Nisma për lidhjen Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë për Njohjen Reciproke të Patentë Shoferëve;

-Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Programi i Evropës Dixhitale për periudhën 2021-2027" ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe

-Nisma për negocimin e Memorandumit të Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit për zbatimin e projekteve të infrastrukturës së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Kurti e Sveçla prezantojnë Projektligjin për Paga dhe për Zyrtarët Publikë

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla në një konferencë për media kanë prezantuar Projektligjin për Pagat dhe Projektligjin për Zyrtarët Publik.

“Sot jemi këtu për dy projektligje shumë të rëndësishme për administratën shtetërore, pra Projektligjin për Pagat dhe Projektligjin për Zyrtarët Publik. Ashtu siç kemi sqaruar para deputetëve të Kuvendit dhe opinionit hartimi i këtyre dy projektligjeve nuk ka qenë proces i lehtë dhe as punë që ka mundur të kryhet shpejt. Për rreth 40 përqind të pozitave nuk dihej se ku janë të klasifikuar. Më shumë se 34 mijë zyrtarë nuk e gjenin veten në Ligjin e shfuqizuar të pagave. Kishte përafërsisht 170 lloje të shtesave dhe të kompensimeve. Pastaj mungesë të kritereve në bazë të cilave janë marrë disa shtesa. Shtesat për 1 muaj që tejkalonin pagën vjetore të një qytetari dhe zyrtarë që merrnin pagë të ndryshme për punë të njëjtë“, ka theksuar Kurti.

Ai tutje ka thënë se të dhënat nga raportet e progresit prej vitit 2008 deri në vitin 2022 theksojnë se administrata publike ka qenë e ndikuar nga ndërhyrjet politike në procesin e emërimeve. Po ashtu, ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe nuk janë respektuar parimet e rekrutimit të bazuara në merita dhe nuk është zbatuar parimi i barazisë gjinore.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka theksuar se puna për dy ligjet jetike të administratës publike po hyn në fazë të re dhe domëthënëse - atë të konsultimeve publike.

“Gjatë konsultimeve paraprake brenda institucioneve, grupet punuese analizuan vërejtjet e sugjerimet, shumë prej të cilave u pranuan dhe u adresuan. Procesi i konsultimit publik për këto dy ligje është me rëndësi të jetë kuptimplotë dhe jo vetëm një hap procedural. I githë ky proces ka qenë i udhëhequr nga parimet e qarta: ligjshmëria, transparenca, parashikueshmëria, barazia dhe mosdiskriminimi”, ka theksuar Sveçla.

Ai ka thënë se për herë të parë e kemi një projektligj që rregullon sistemin e pagave në sistemin publik.

“Grupi punues ka pasur sfida të shumta, sepse sistemi, nëse ka pasur sistem, mbi të cilin është punuar deri më tani ka qenë i ndërtuar mbi bazën e paqendrueshmërisë, me dallime të paarsyeshme në mes pagave, praktika të përfitimeve dhe privilegjeve në mënyrë të pabarabartë dhe shpeshherë abuzuese, duke shkaktuar kaos total brenda sektorit publik. Ka pasur shkelje të parimit ‘pagë të barabartë për punë të barabartë‘, ku dallimet për pozita të ngjashme apo të barasvlefshme janë paguar në disa raste shumëfishë më shumë“, ka shtuar Sveçla.

Sipas tij situatë e njëjtë ka qenë edhe në hartimin e ligjit për Zyrtarët Publik, si një ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm për reformën në administratën publike.

“Ky ligj, i cili sot pjesërisht është në fuqi, ka pasur një numër problemesh në zbatim, me të cilat ne si ministri përgjegjëse për administratë po përballemi në vazhdimësi. Ligji aktual ka penguar dhe vështirësuar punën e përditshme dhe zhvillimin e administratës publike, duke përfshirë këtu vështirësi në procesin e rekrutimeve, mungesën e mjedisi konkurrues, që nxit motivimin dhe cilësinë, mungesën e mekanizmave efikas për matjen e performancës dhe mungesën e procesit të llogaridhënies”, ka nënvizuar Sveçla.

Miratohen Projektligjet për Prokurorin e Shtetit dhe Prokurorinë Speciale

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar dy projektligje të rëndësishme. Bëhet fjalë për projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe për atë të Prokurorisë Speciale.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se miratimi i këtyre dy projektligjeve do të mundësojë funksionim më të mirë të sistemit të drejtësisë.

Ajo ka bërë të ditur se për hartimin dhe finalizimin e këtyre draftligjeve është konsultuar edhe shoqëria civile.

Kurti: Kthesa drejt zhvillimit të shoqërisë s’mund të jetë e qëndrueshme pa sundimin e ligjit

Kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë ka folur për punën e ekzekutivit gjatë 1 viti e gjysmë. Ai e ka vlerësuar qeverisjen e tij si demokratike dhe progresiste, teksa ka thënë se gjatë kësaj periudhe e kanë luftuar krimin dhe korrupsionin, si dhe kanë avancuar në llogaridhënien ndaj qytetarëve.

“Në javën e ardhshme shënojmë një vit e gjysmë të qeverisë sonë demokratike e progresiste. Kthesa që kemi marrë drejt zhvillimit të shoqërisë, s’mund të jetë e qëndrueshme pa sundim të ligjit, siguri juridike e zbatim të të drejtave të njeriut. Pra, për të jetësuar ndryshimin e mirëfilltë demokratik vëmë theks mbi rendin dhe ligjin, parashikueshmërinë juridike dhe barazinë. Në vetëm një të tretën e mandatit kemi kaluar mbi 150 projektligje. Ndërkaq në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 sosh në Kuvendin e Republikës”, ka theksuar Kurti.

Ai ka uruar që sesioni vjeshtor i Kuvendit, i cili nis nesër, të jetë edhe më i suksesshëm.

“Shifrat rekorde korrospendojnë me vullnetin dhe kontributin ndaj fuqizimit të shtetit mbi parimet më të mira që mbrojnë të drejtat e liritë themelore dhe pamundësojnë shmangien nga zbatimi i ligjit”, ka shtuar Kurti.

Tutje shefi i qeverisë ka thënë se përmes projektligjeve të miratuara janë fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit dhe korrupsionit nëpërmjet reformës në Këshillin Prokurorial, deklarimin më efikas dhe transparent të pasurisë, potencimin e rolit parandalues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe inicimin e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

“Gjithashtu kemi ngritur llogaridhënien ndaj qytetarit përmes projektligjit për financimin e subjekteve politike dhe atij për Qeverinë. Për të siguruar efikasitet në trajtimin e kontesteve komerciale e kemi themeluar Gjykatën Komerciale. Përveç Vettingut si reformë thelbësore në sistemin e drejtësisë, të cilin ia kemi besuar përfaqësuesve të popullit, vazhdojmë edhe me trajtimin e temës nga e cila varet stabiliteti e kohezioni social”, ka nënvizuar Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ku janë miratuar projektligji për Prokurorin e Shtetit dhe projektligji për Prokurorinë Speciale.

 

Pas pak fillon mbledhja e Qeverisë, ky është rendi i ditës

Afet BELA/ RTKlive
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se një mbledhje e ekzekutivit do të mbahet në orën 10:00.

Në rend dite janë 28 pika. Në rend dite është edhe shqyrtimi i Projektligjet për Prokurorinë e Shtetit, Prokurorinë Speciale, Sigurinë Kibernetike, Tubimet Publike, shqyrtmi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare, shqyrtimi i disa vendimeve etj.No description available.

No description available.No description available.


MË SHUME NGA Lajme