PSD fton qytetarët të protestojnë kundër Gjykatës Speciale
BKT
Lajme

PSD fton qytetarët të protestojnë kundër Gjykatës Speciale

M. MIftari/RTKlive

Kreu i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, në një konferencë për medie, të mërkurën, ka folur për vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila më 21 shtator 2022, do të mbajë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Gjilan, në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.

Molliqaj ka paralajmëruar se më 21 shtator, në orën 10:00, PSD-ja do të mbajë protestë kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova dhe kësaj gjykate, duke ftuar që të marrin pjesë në protestë edhe veteranët dhe ata qytetarë që janë mbështetës të lirisë.

“Më datën 21, në orën 10:00, në vendin ku do të mbahet ky takim do të kemi protestë. Ftojmë veteranët dhe mbështetësit e lirisë, që të jemi bashkë me ne, sepse protesta duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, tha Molliqaj i PSD-së.

Ai e ka cilësuar këtë gjykatë si politike dhe rrjedhimisht, siç tha ai, ka pasur në vazhdimësi veprime politike.

“Edhe më herët kishte paralajmëruar që do ta bëjë këtë vizitë, ku më pas kishte thënë që kjo vizitë do të shtyhet dhe do të mbahet më datë 21, praktikisht, sot një javë, e mërkurë, ora 10:00, në Gjilan. Që nga fillimi i këtyre dhomave e kemi thënë duke e cilësuar se kjo gjykatë është politike dhe, rrjedhimisht, ka pasur në vazhdimësi veprime politike”, tha Molliqaj.

Sipas tij është tërësisht e papranueshme për sistemet demokratike, ku janë të ndara pushtetet të kemi kësi lloj veprime të gjykatës.

“Nuk besoj që keni dëgjuar ndonjëherë që një gjykatë të flasë për sondazhe dhe mbështetjen që ajo gjykatë e ka në sondazhe, ose në matje të opinionit publik. Unë nuk kam dëgjuar në jetën time e s’kam lexuar gjykata e vendet demokratike flasin për mbështetje ose jo popullore”, tha ai.

Madje, Molliqaj shprehet i befasuar që asnjëherë nuk ka dëgjuar që gjykatat të mbajnë takime të mbyllura.

“Nuk kam dëgjuar asnjëherë që gjykatat të mbajnë takime të mbyllura. Që edhe medieve e gazetarëve t'ju imponohet që bëjnë kërkesë paraprakisht për pjesëmarrje dhe të tjerëve t'ju thonë që mund të kenë linkun e transmetimit 'live' të takimit”, tha Molliqaj, duke shtuar se edhe kur ishte për herë të parë në Kosovë, na pati ftuar që të kemi një takim të përbashkët.

Ai tha se  kësaj radhe kur e pati lajmëruar takimin ‘'ne i bëmë ftesë zyrtare dhe i shkruam Dhomave të Specializuara dhe morëm një përgjigje negative. Duke pas parasysh që proceset në këtë gjykatë janë duke shkuar në mënyrë shumë negative'’.

Madje, sipas Molliqajt, kërkesat e kësaj gjykate janë më të larta, sesa ato të Hagës për krime lufte.

“E dini që i kemi pasur dy grupe të UÇK-së në Hagë, ai i Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt. Te këta dy liderë, kërkesa e asaj prokurorie ka qenë 20 vite dhe janë liruar. Ndërsa tani për një udhëheqës të rangut të mesëm, kërkesë 35 vite burg”, tha Molliqaj.

Këto veprime, sipas tij, janë të dëmshme, të rrezikshme dhe po ndodhin pikërisht në këtë kohë, kur dialogu Kosovë-Serbi po normalizohet marrëdhënia e Kosovës me Serbinë, duke mos e njohur Serbia – Kosovën.


MË SHUME NGA Lajme