Nesër seanca e parë e Kuvendit për këtë sesion me rregullore të re
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do t’i kthehen sallës plenare, në seancën e parë për sesionin e ri vjeshtor pas më shumë se një muaji pushim.
Aty në rend ditë do të jenë 16 pika, ndër to si pika e 8-ë edhe debati parlamentar për Grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës e thirrur nga opozita.
E kjo seancë përveç që është e para për sesionin e ri, është e para edhe për punën që do ta ndjekë bazuar në Rregulloren e re.
Për këtë çështje ka folur sot në emisionin INFO PLUS në RTK, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi.
Ai tha legjislatura në të cilën ai bënë pjesë arriti që pas më shumë se 10 vitesh të miratojë Rregulloren e re të punës si akti më i rëndësishëm i funksionimit të Kuvendit.
“Natyrisht në të shkuarën përkundër përpjekjeve e punës që ishte bërë kishin dështuar të gjitha tentativat, kjo në mungesë të stabilitetit politik. Uroj që Rregullorja e re ta rritë efikasitetin e punës së Kuvendit, të garantojë produktivitet brenda Kuvendit dhe të kemi deputet që përmbushin përgjegjësitë dhe mandatin e tyre politik”.
(Intervisten me z. Rrustemi, mund ta ndiqni në këtë video duke filluar nga minuta e 30:30)
Ai tha se me Rregulloren e re janë përpjekur maksimalisht që praktikat e mira të shfaqura përgjatë viteve t’i normojnë sikurse t’i eliminojë defektet e identifikuara përgjatë punës.
“Megjithatë duhet ta kemi parasysh që puna e Kuvendit apo rritja e ndërgjegjësimit të deputetëve nuk mund të rregullohet me akte juridike, ajo është përgjegjësi më shumë politike që përfaqësuesit e popullit të jenë në nivel të kësaj përgjegjësie për të garantuar miratimin e projektligjeve e përmbajtje cilësore të tyre”, tha ai
Ai ka folur edhe për masat disiplinore për deputetët. Ka thënë se tash është obligim i Kryesisë që të nxjerrë një akt të brendshëm përmes së cilit përcaktohen kushtet e kriteret e asaj që konsiderohet administrim i pjesëmarrjes në seancë.
“Përgjegjësitë e deputetëve janë përgjegjësi politike para votuesve të tyre dhe në këtë dimension sado mekanizmave që e përforcojnë detyrimet dhe obligimet, nuk mund ta garantojnë. Rregullorja në rrafshin e përgjithshëm tenton të stimulojë pjesëmarrjen aktive në komisione e seancë, por megjithatë në mënyrë shprehimore ka përcaktuar aty një obligim të Kryesisë që duhet ta nxjerrë një akt të brendshëm, të përcaktojë kushtet e kriteret e asaj që konsiderohet administrim i pjesëmarrjes në seancë. Pres që Kryesia brenda një afati të përcaktuar të nxjerrë aktin e brendshëm dhe kjo besoj ta do ta rriste përgjegjshmërinë e deputetëve që të qëndronin gjatë tërë kohës në seancë e jo vetëm për tu nënshkruar e larguar më pas”, ka thënë në INFO PLUS, Rrustemi.
Ai ka folur edhe për masat që përcakton kjo rregullore për gjuhën jo parlamentare.
“Po janë përcaktuar, përveç asaj që konsiderohet gjuhë jo parlamentare, standardet dhe vlerat e në anën tjetër masat e gjobat apo sanksionet në rastet kur kemi gjuhë jo parlamentare është precizuar saktë përgjegjësia e deputetëve që përdorin gjuhë jo parlamentare. Natyrisht e kuptoj që Kuvendi është arena më e rëndësishme e përballjeve politike, por duhet të jetë arenë e përballjeve të argumenteve e jo e fyerjeve e cenimit të integritetit personal të deputetit”, ka thënë ai.























