Sulmet kibernetike ndaj PTK-së kanë vazhduar edhe të mërkurën|Video
Ahmet Maholli/RTK
Sulmet kibernetike ndaj Postës dhe Telekomit të Kosovës kanë vazhduar dhe sot, por me intensitet me të vogël. Këto sulme nuk kanë arritur të shkaktojnë dëme të mëdha, thonë përfaqësuesit e këtij institucioni. Qeveria e Kosovës në mbledhjen e rregullt, ka miratuar projektligjin për sigurinë kibernetike, nëpërmjet të cilit, institucionet vendore synojnë që të krijohen kushtet ligjore për të mbrojtur sistemin e informacionit në Kosovë.
Kanë vazhduar edhe sot sulmet kibernetike nëpër serverët e Telekomit të Kosovës, megjithëse me një intensitet më të ulët. Në Telekom nuk kanë arritur të identifikojnë ende se prej nga po vijnë këto sulme.
“Po është e vërtetë, dje në Telekomin e Kosovës ka pasur sulme kibernetike, sulme ka edhe sot por me intensitet më të vogël, më të rralla më shkurta... ne kemi arrit të mbrohemi është një lloj sulmi që shkakton vetëm ngarkesë nga jashtë duke ngarkuar pajisjet, nuk arrijnë të bëjnë ndonjë dëm tjetër po edhe nëse është ai qëllim, ne kemi pajisjet kemi mjetet, tashmë I kemi edhe masat për tu mbrojtur”, ka thënë Halil Krasniqi, u.d i Drejtorit Teknik në Telekom.
Ditët e fundit cak i sulmeve ishin edhe serverët qeveritarë. Ekzekutivi ka njoftuar se Kosova i ka përballuar këto sulme kibernetike, përderisa në mbledhjen e Qeverisë është miratuar projektligj për siguri kibernetike, që krijon bazën për parandalim të sulmeve kibernetike.
“Në këtë drejtim, përmes këtij ligji do të krijohet baza ligjore për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik, dhe rrjedhimisht synohet që të krijohen kushtet ligjore që të mbrohen sistemet e informacionit, përdoruesit e sistemit, që mund të preken nga sistemet kibernetike për të ofruar siguri kibenetike në Republikën e Kosovës “, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.
Ditë me parë Shqipëria ka qenë cak i sulmeve të tilla, ku tërë serverët shtetërorë ishin jashtë funksionit. Pas hetimeve u zbulua se sulmet erdhën nga Irani.























