Premiera e “Monade” nga Robert Bisha dhe Filharmonia e Kosovës
Rtklive
Kulturë

Premiera e “Monade” nga Robert Bisha dhe Filharmonia e Kosovës

Sh. Gashi/RTKlive

Fondacioni Lumbardhi do të prezantojë premierën botërore të veprës “Monade” të kompozuar nga kompozitori, pianisti dhe poli-instrumentalisti Robert Bisha, ko-komisionuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës, të shtunën me 17 shtator, me fillim nga ora 20:00 te Kino Lumbardhi.

Pas performancës në solo piano “Home Neverland” në vitin 2020, Bisha u rikthye në Prizren këtë pranverë për një rezidencë artistike, ku filloi procesin e hulumtimit dhe kompozimit, duke u njoftuar me historinë e Kino Lumbardhit dhe rrethanat e ndryshueshme përgjatë 70 viteve të saj, përmes studimeve dhe takimeve me pjesëtarë të komunitetit artistik.

Duke u nisur nga ky kërkim, ai kompozoi “Monade”, një suitë sinfonike për pianoforte, orkestër, kor, solistë instrumente të folkut të rimodernuar dhe kinema, ku kinemaja konsiderohet si një instrument i përfshirë në orkestër. Kino Lumbardhi merret si epiqendër  për shqyrtimin e tematikave kyçe që i përkasin historisë së qytetit të Prizrenit.

Kështu, nga perspektiva e kompozitorit, qyteti merret si vend shembullor për angazhimin e tij shoqëror përmes ndryshimeve që kanë nisë te Kino Lumbardhi. Regjisurën e filmimeve të qytetit Bisha i ka realizuar gjatë qëndrimit në Prizren, ndërkohë që ato ndërthuren në një qasje poetike nga një grup i regjisorëve dhe kontribuesve, për të krijuar ndërveprim instrumental pamor si pjesë të koncertit.

Për premierën e “Monade” me 17 shtator Robert Bisha do të jetë i shoqëruar nga pjesëtarë të orkestrit dhe korit të Filarmonisë së Kosovës që e përkrahën Lumbardhin në këtë iniciativë dhe e mirëpritën suitën, me rast të hapjes së sezonit koncertal.

Ky koncert u mundësua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim si dhe Komunës së Prizrenit.


MË SHUME NGA Kulturë