Lajçak: Vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Naser Mekolli /RTKlive
(E plotësuar) I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se qëllim i vizitës së tij, sot në Prishtinë, është vazhdimi i dialogut në rrugën drejtë normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Ai, në një postim në rrjetin social, Twitter, tha se përveç bisedimeve me kryeministrin Kurti ka diskutuar edhe me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, me të cilin ka folur edhe për lirinë e lëvizjes dhe energjinë.
“Sot në Prishtinë kam vazhduar bisedën e javës së kaluar me kryeministrin, Albin Kurti, për të vazhduar rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Shfrytëzova rastin, për të diskutuar çështje aktuale edhe me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, në veçanti për lirinë e lëvizjes dhe energjisë”.
Lajçak dhe këshilltarët e Qeverisë gjermane e asaj franceze për dialogun qëndruan edhe të premten e kaluar në Prishtinë, ku, po ashtu, takuan kryeministrin Kurti.
Qeveria jep detaje nga takimi Kurti - Lajçak
Blerim Halimi / RTKlive
Kryeministri Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, pritën në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Gjatë takimit u potencua vullneti dhe gatishmëria që tashmë e ka treguar Republika e Kosovës, për t’u angazhuar në një dialog parimor e të balancuar, nga i cili përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, njofton kabineti qeveritar.
Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.
“U bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, falënderuan z. Lajçak për angazhimin e tij të vazhdueshëm në këtë proces”, thuhet tutje në njoftimin e ekzekutivit.
Lajçak: Patëm diskutime të dobishme
Jeton Musliu & Qëndresa Duraku-Xharra/ RTK
Fotot: Qëndresa Duraku -Xharra/ RTK
(Plotësuar) Përfundoi takimi mes emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Erdha në Prishtinë për të vazhduar diskutimet me kryeministrin Kurti lidhur me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçak.
“Po ashtu takova edhe zv/kryeministrin Bislimi me të cilin folëm rreth çështjeve aktuale të lirisë së lëvizjes, personave të pagjetur dhe energjisë”.
Emisari Lajçak u shpreh se BE-ja dëshiron të sigurohet që të gjejë zgjidhje të cilat shmangin tensionet dhe eskalimin.
"Kishim diskutime të dobishme dhe ato do të vazhdojnë”.
Lajçak në përgatitje të takimit të radhës Kurti-Vuçiq
Jeton Musliu/ RTKlive
Pas takimit, Lajçaku tha se me Kurtin ka diskutuar për vazhdimin e dialogut, e po ashtu edhe për përgatitjet e takimit të radhës.
Ai nuk pranoi të japë datë të takimit të ardhshëm. Megjithatë, Lajçak u shpreh se është habitur kur ka dëgjuar për kornizë të re të dialogut, të cilën e ka paralajmëruar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Lajçak fillimisht është takuar me Kurtin, e më pas ndaras edhe me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi. Në qeveri është parë të hyjë edhe zëvënds-shefja e misionit të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Takimit Lajçak- Kurti u bashkohet edhe diplomatja amerikane
Rreth një orë pasi ka filluar takimi mes emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, me kryeministrin Albin kurti në Qeveri, ka arritur në takim edhe në zëvendës-shefja e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Alyson Grunder.
Gazetarja e RTK-së, Qëndresa Duraku-Xharra, e cila ndodhet para qeverisë së Kosovës, duke pritur të marrë informacione shtesë për këtë takim të papritur të Lajçakut, ka arritur të fotografojë edhe diplomaten amerikane, duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Deri më tash, përveç deklarimit të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziut, i cili ka njoftuar se Lajçak ndodhet në Kosovë dhe për këtë arsye kryeministri Kurti nuk ka mundur të qëndrojë më gjatë në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për grevën në arsim, informacione të tjera shtesë ende nuk ka.
Ky takim mes Lajçakut e Kurtit i nisur në orën 14:00, edhe më tej po vazhdon.


Miroslav Lajçak në takim me kryeministrin Kurti
Në Kosovë po qëndron emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Për këtë vizitë të papritur, ka njoftuar zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Ai tha se Lajçak është duke u takuar me kryeministrin Albin Kurti.
“Kryeministri Kurti nga ora 14:00 po zhvillon takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Lajçak që po qëndron në Kosovë”, deklaroi Kryeziu.
“Pastaj vazhdon agjendën ditore të takimeve zyrtare. Kjo është arsyeja se pse nuk mund të qëndronte më gjatë në Kuvend”, u shpreh Kryeziu, duke aluduar në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po zhvillohet debat parlamentar për grevën në arsim dhe administratë publike.
“Gatishmëria për të debatuar në Kuvend nuk ka munguar e as nuk do të mungojë asnjëherë”.
Ardhja e Lajçakut në Kosovë ndodhë vetëm disa ditë pasi ai qëndroi në Prishtinë e pastaj në Beograd, i shoqëruar nga dy këshilltarët e tij, gjerman e francez.
(Foto: Arkiv)























