Lajçak befas në Kosovë, analistët nuk çuditën me vizitat e papritura
BKT
Foto: Miroslav Lajçak/ Twitter
Lajme

Lajçak befas në Kosovë, analistët nuk çuditën me vizitat e papritura

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Në Kosovë po qëndron emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Për këtë vizitë të papritur, ka njoftuar zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Ai tha se Lajçak është duke u takuar me kryeministrin Albin Kurti.E analistët deklarojnë se dinamika tash është tjetër dhe e njëjta do të vazhdojë.

Sidoqoftë, më 18 gusht u zhvillua takimi mes drejtuesve shtetëror nga Kosova e Serbia, në kuadër të dialogut mes vendeve në Bruksel.

Ky takim arriti të zhvillohej pas më shumë se një viti bllokadë e takime të këtij niveli lehtësuesi i këtij procesi, emisari i veçantë i BE-së, Miroslav Lajçak ka paralajmëruar se do të ndodhin çdo muaj.

Derisa ende nuk dihet se kur sërish do të jenë përballë njëri-tjetrit, kryeministri kosovar e presidenti serb, analistët në Kosovë thonë se procesi ka hyrë në një dinamikë tjetër, tash kur janë gjashtë emisarë specialë që merren me çështjet në Ballkanin Perëndimor, si dhe dy këshilltarë, njëri i presidentit Macron e tjetri i kancelarit gjerman, që janë kyçur direkt për të lehtësuar procesin.

Analisti, Dorajet Imeri ka thënë për RTKlive se emërimet e emisarëve dhe këshilltarëve tregojnë për interesimin që kanë SHBA, BE-ja e secili vend evropian veç e veç për Ballkanin Perëndimor, meqë shihen si vende me potenciale të mëdha të krizave të cilat mund të dalin jashtë kontrollit si procese që varen prej krizës, Ukrainë-Rusi.

“Për këtë arsye problemi Kosovë- Serbi duhet të mbyllet sa më parë në mënyrë që të eliminohen mundësitë reale të trazirave në Ballkan”, thotë Imeri për RTKlive.

Dhjetë ditë më parë, në adresë të kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, arritën letra të përbashkëta nga dy liderët e fuqishëm evropian, presidentit francez e kancelari gjerman, ku ndër të tjera u kërkuan dyshes në Kosovë e Serbi, vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira.

Analisti Imeri thotë se dinamika tash është tjetër dhe kjo dinamikë do të vazhdojë.

“Konsideroj që dinamika është tjetër dhe do të vazhdohet me këtë dinamikë, kjo është e sigurt derisa palët nuk guxojnë të marrin ndonjë hap vetjak si për shembull nga Serbia përmes përdorimit të serbëve lokal me barrikada e çështje të tjera që do ta nxiste Kosovën të reagonte, kjo nuk mund të ndodhë tash në këtë fazë”, shtoi ai.

Imeri thotë se e veçanta ose specifika e kësaj faze është se çfarë do të ndodhë me çështjen e Asociacionit.

“Ka dy mundësi, që Asociacioni të draftohet ose të bëhet pjesë e marrëveshjes përfundimtare, gjithmonë duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI tha për RTKlive se progresi në procesin e dialogut varet nga vullneti politik i dy liderëve të Kosovës dhe të Serbisë.

“Pavarësisht vullnetit të shtuar të BE-së dhe shteteve perëndimore për të shënuar progres në dialog, progresi varet në fund nga vullneti politik i liderëve në Kosovë dhe Serbi. Natyrisht emërimi i disa emisarëve dëshmon për një interes të shtuar të këtyre vendeve që të ketë rezultate në dialog dhe ka kërkese të shtuar ndaj palës kosovare e serbe për të arritur marrëveshje. Kjo është rezultat edhe i tensioneve në terren dhe interes parësor i shteteve perëndimore është që të shmangen tensionet dhe të ruhet paqja”, tha Haxholli.

Tutje ajo shtoi se arritja e marrëveshjes për kalimin e kufirit me dokumente shtetërore është një hap pozitiv, megjithatë, mbeten ende shume çështje mbi të cilat duhet të arrihen marrëveshje.

“Asociacioni mbetet një çështje sfiduese për Qeverinë e Kosovës. Qeveria duhet t’i qaset kësaj çështje me kujdes dhe në bazë të rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Haxholli.

Thirrjet për t’u zbatuar marrëveshjet e arritura mes Kosovës e Serbisë përfshirë edhe atë për Asociacionin janë shtuar.

E fundit thirrje për ekzekutivin ishte ajo nga emisari gjerman Manuel Sarrazin që tha se korniza dhe standardet janë të qarta, sepse  janë marrëveshje të Brukselit, por edhe  vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Shtimin e dinamikës rreth procesit të dialogut e tregojnë edhe vizitat e shpeshta të emisarëve special në vendin tonë.

Vetëm brenda një muaji emisari BE-së erdhi në Prishtinë hiq më pak se tri herë.

Në fund të gushtit këtu ishte me emisarin e Shteteve të Bashkuara Gabriel Escobar pak ditë pas takimit që u zhvillua mes Kurtit e Vuçiqit në Bruksel.

Tjetra vizitë e tij ishte bashkë me dy këshilltarët e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz ndërsa sot i vetëm erdhi në një vizitë të paparalajmëruar më herët.


MË SHUME NGA Lajme