Kurti: Komisioni Ekzekutiv i hap rrugë reformës në shëndetësi
Blerim Halimi / RTKlive
Kryeministri Albin Kurti tha se shëndetësia është edhe praktikë e efikasitet në punën e përditshme, edhe akademi e shkencë që edukon brezat e rinj të profesionistëve dhe akademikëve.
Kreu i ekzekutivit me ftesë të kryetarit të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, njëherit ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Kongresit të Dytë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, njofton zyra për media e kryeministrit.
“Më vjen mirë që po ju takoj në Kosovë, në Prishtinë. Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Dr. Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Kurti, në fjalën e tij të rasti në këtë ceremoni, e ku të pranishëm ishin shumë profesionistë mjekësorë, në mesin e të cilëve edhe mërgimtarë.
Ai i njoftoi të pranishmit edhe për formimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi me vendim të Qeverisë. “Meqë shëndetësia është një domen i shtrirë ndër shumë sektorë e instanca, e kemi ngritur Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, që e kryesoj unë, për të siguruar funksionim normal të sistemit shëndetësor e për t’i hapur rrugë reformës në shëndetësi”, shtoi më tej kryeministri.
Në fund të fjalës, ai u uroi pjesëmarrësve punime të mbara në këtë kongres që do të mbahet nga 15 deri me 18 shtator, në Prishtinë.























