Balkan Booster 2022: Sivjet me reportazhe televizive
Foto / DW
Kulturë

Balkan Booster 2022: Sivjet me reportazhe televizive

DW

Nis edicioni i ri i projektit Balkan Booster për gazetarët e rinj nga Ballkani Perëndimor. Pas dy vjetësh pandemie, pjesëmarrësit iu kthyen trajnimeve me prani fizike.

Melisa nga Durrësi është në hapat e para të karrierës së saj si reportere. Ajo do të marrë autobusin për Shkup, ku do të takojë Viktorian. Dy gazetaret e reja do të xhirojnë për një javë rresht videoreportazhe në tandem. Të njëjtën gjë ato do ta bëjnë më pas në Shqipëri. Melisa dhe Viktoria janë dy nga 12 pjesëmarrëset dhe pjesëmarrësit e edicionit të gjashtë të Balkan Booster. Për dy reporteret e reja bashkëpunimi në tandem do të jetë një përvojë e re.

Dy temat e para ato i kanë përzgjedhur me ndihmën e redaktorëve të Deutsche Welles (DW). Me ta gazetaret e reja kanë biseduar edhe se si do t'i realizojnë temat në gjuhën filmike. Ka shumë aspekte që duhen pasur parasysh, por dy reporteret janë tejet të motivuara. Ato thonë se duan të rrëfejnë ngjarje, që nuk gjenden në median vendase.

"Në Shqipëri mediat flasin vetëm për droga, banda dhe kushtet e këqija të punës për të rinjtë”, kritikon Melisa. "Sigurisht që media duhet të raportojë edhe për problemet më të mëdha të vendit, por ne nuk duhet të harrojmë njerëzit që na frymëzojnë dhe shërbejnë si shembull për të përmirësuar vendin”. Vetëm dhunë dhe ngjarje të rëndomta për të shtuar numrin e klikimeve? Ky nuk është koncepti i gazetarisë që ka Melisa.

Edhe Viktoria dëshiron një panoramë mediatike të larmishme dhe formate që raportojnë përtej horizontit kombëtar. Në Maqedoninë e Veriut ka shumë diskutime për rolin e pakicës së madhe shqiptare, por nuk ka shumë informacione për të”, thotë Viktoria.

„Në vendin tim mungon toleranca ndërmjet etnive. Gazetaria ‘crossborder” (përtej kufijve) mund të bëjë shumë për ta ndryshuar këtë. Nëpërmjet historive tona ne kemi shansin të rrëfejmë se, megjithëse kemi kultura dhe fe të ndryshme, kemi të njëjtat probleme të përditshme. Ne duhet të luftojmë së bashku për t'i zgjidhur këto probleme. Në media mungon sidomos zëri i rinisë”.

Në fund të gushtit Melisa dhe Viktoria morën pjesë në trajnimin e parë në Shkup: prodhimi i videove me celular, përzgjedhja e temave, xhirim dhe montazh, një sfidë kjo për Melisën 21-vjeçare. "Seminari kaloi mirë. Ishin tri ditë plot informacione dhe ndoshta unë nuk do të mund t'i zbatoj të gjitha, sepse ndjehem ende fillestare si video-reportere. Por jam optimiste dhe do të jap maksimumin."

Viktoria nuk është fillestare. Si gazetare televizioni në Shkup ajo i njeh fare mirë sfidat e përditshme të profesionit. Me pjesëmarrjen në Balkan Booster ajo dëshiron të zgjerojë horizontin profesional: "Balkan Booster është një përvojë krejt e re për mua. Unë punoj prej shumë vitesh si gazetare televizioni. Por këtu në seminar m'u bë e qartë, se sa shumë thotë një imazh dhe se sa e rëndësishme është cilësia. Një histori e mirë rrjedh nga njerëzit. Problemet e tyre janë fillimi i çdo historie."

Balkan Booster në TV

Balkan Booster është tashmë një histori suksesi. Shifrat e klikimeve të viteve të kaluara dëshmojnë se sa i madh është interesimi për formate të reja dhe histori të afërta me publikun. Vetëm vitin e kaluar 15 pjesëmarrësit prodhuan gati 500 video në 5 gjuhë duke gjeneruar 17 milionë klikime në kanalet e Deutsche Welles në median sociale.

„Është mbresëlënëse kur shikon se si rritet familja Balkan Booster”, thotë Adelheid Feilcke, drejtoreshë e Programeve për Europën dhe përgjegjëse për projektin Balkan Booster prej fillimit të tij në vitin 2017.

Me Balkan Booster kemi arritur të krijojmë një rrjet me gazetare dhe gazetarë të rinj. Reporteret dhe reporterët e rinj xhirojnë ngjarje që vijnë drejtpërdrejt nga jeta e bashkëmoshatarëve të tyre, histori të cilat ne i postojmë në kanalet e medias sociale. 20 milionë komentet dëshmojnë se kemi prekur nervin e këtij publiku”.

Edhe media televizive në vendet e Ballkanit Perëndimor është bërë e vëmendshme ndaj projektit. Për Feilcke-n ky është një rast i mirë për t'i përfshirë kanalet e televizive në këtë program, si partnerë "Premium”. Kjo do të thotë se videoreportazhet e Balkan Booster transmetohen edhe në platforma të tjera. Me këtë ne edhe promovojmë gazetarët e rinj edhe vendosim një trend në Ballkanin Perëndimor që e zhvendos më në qendër gazetarinë përtej kufijve.

Gjashtë bashkëpunime në tandem do të hedhin tani një vështrim të ri në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi. Pikërisht në një kohë, kur kanë filluar të ngjallen konfliktet e vjetra, mbështetja e gazetarëve të rinj është më e rëndësishme se kurrë.

Gazetaria për të rinj – rezonancë e madhe

Të rinj dhe zëra të rinj, kjo është filozofia e Balkan Booster edhe në këtë edicion të gjashtë, shpjegon Aida Sofić Salihbegović, koordinatore e projektit dhe redaktore pranë redaksisë së gjuhës boshnjake në Deutsche Welle në Bonn. Ajo gëzohet që takimet tani sërish po bëhen në prani fizike. „Më në fund jemi të gjithë së bashku, në një ambient. Dy vitet e fundit, kemi mësuar se edhe me komunikimin virtual mund të bëhen shumë punë, por ai nuk e zëvendëson dot praninë fizike. Kur janë të gjithë në një ambient krijohet thjesht një tjetër intensitet dhe një tjetër afërsi mes kolegeve.”

Nëpërmjet historive të njerëzve përtej kufijve Balkan Booster synon të rrëzojë barrierat ndarëse. Si boshnjake, Salihbegovic e di fare mirë se sa e vështirë është kjo zakonisht në Ballkan: "Është me të vërtet frymëzuese të shohësh, se sa shpejt pjesëmarrëset dhe pjesëmarrësit gjejnë një gjuhë të përbashkët, qoftë në planin personal, qoftë në planin profesional. Kjo tregon sesa potencial përmban ky rajon”.


MË SHUME NGA Kulturë