Filmi i Gentian Koçit, gati për premierën botërore në Estoni
Kulturë

Filmi i Gentian Koçit, gati për premierën botërore në Estoni

ATSH

Qendra Kombëtare e Kinematografisë njofton se filmi artistik “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, me skenar e regji të Gentian Koçit, do të ketë premierën botërore në Festivalin e Filmit Tallinn Black Nights, në Estoni, duke qenë pjesë e garës zyrtare për çmimin “Filmi Artistik më i Mirë”.

Ky film është kandidatura zyrtare e Shqipërisë, për kategorinë “Filmi më i Mirë i Huaj”, në edicionin e 95-të të OSCARS.

Filmi i Gentian Koçit, prodhim i shtëpisë kinematografike “ARTALB Film Productions”, është realizuar në bashkëprodhim me Maria & Mayer (Portugali), Graal Films (Greqi) dhe Added Value Films (Kosovë).

Filmi artistik “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Radio-Televizioni Publik Shqiptar, Qendra Greke e Filmit, Televizioni Publik Grek, Qendra Kinematografike e Kosovës, Instituti Portugez i Kinemasë dhe Audiovizualit, Eurimages, Media-Creative Europe dhe bashkia e Tiranës.

Festivali “Tallinn Black Nights” është festival ndërkombëtar i kategorisë A, e njëjta kategori me Berlinin, Venecian dhe Kanën. Edicioni i 26-të i këtij festivali do të zhvillohet nga data 11 deri në 27 nëntor.


MË SHUME NGA Kulturë