Inkuizicioni i partisë së Millosheviqit ndaj deputetit Shaip Kamberi
BKT
Foto: Shaip Kamberi/Facebook
Lajme

Inkuizicioni i partisë së Millosheviqit ndaj deputetit Shaip Kamberi

Jeton Musliu/RTKlive

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i ka cilësuar si inkuizicion, deklaratat e një deputeteje të Partisë Socialiste, drejtuar atij.

Kjo pasi deputetja dhe nënkryetarja e Parlamentit,  Snezhana Paunoviq e Partisë Socialiste, që dikur drejtohej nga Sllobodan Millosheviqi, gjatë seancës së Kuvendit, kërkoi që Kamberi të dëbohet.

 "Nëse kemi gabuar me lirimin e Albin Kurtit nga burgu, mos të gabojmë me mos arrestimin e Shaip Kamberit", deklaroi Paunoviq, gjatë kësaj seance të mbajtur një ditë më parë, e ku u debatua për dialogun Kosovë-Serbi.

“Nëse nuk është e mundur kjo, ta shpërngulim nga këtu” ka vazhduar Paunoviq, duke iu referuar deputetit Kamberi, raporton RTKlive.

Në lidhje me këtë qëndrim, deputeti Kamberi  është shprehur se kjo deputete, ka  propozuar arrestimin e tij, sepse një ditë më parë, gjatë fjalimit që kishte mbajtur  rreth Kosovës, ka theksuar domosdoshmërinë e udhëheqjes së politikës me ambicie realiste.

“Zonja Paunoviq kërkon të arrestohet deputeti i cili në seancën parlamentare, duke shfrytëzuar lirinë e mendimit dhe shprehjes - liri kjo e “garantuar” me Ligjin për Kuvendin - rreth një pike të rendit të ditës duke kërkuar udhëheqjen e politikës së ballafaqimit me realitetin”, u shpreh deputeti Kamberi.

“Kur është në pyetje Kosova, inkuizicioni në Serbi që moti ka marrë hov, duke i cilësuar tradhtarë apo armiq të  Serbisë ata që hapur flasin se cili është realiteti rreth Kosovës”.

Kamberi u shpreh se sot ky inkuizicion është bërë edhe parlamentar.

“Po fole të vërtetën të kërcënojnë se do të djegin në turrën e druve. Kjo është ajo që ka kërkuar deputetja  Paunoviq - nënkryetare e parlamentit”, theksoi deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë.

Sipas Kamberit, inkuizicioni romak e kishte dënuar Xhordano Brunon, për herezi, me akuzën se ka “mohuar disa doktrina themelore katolike”.

“Heretikët parlamentar serb po bëjnë të njëjtën”.

Kamberi tha se i vjen  keq për kokëfortësinë e tyre  të refuzimit të realitetit rreth Kosovës. “Politika serbe karshi Kosovës vazhdon të mbetet dogmatike jo realiste”.

Ai tha se vërteta  mund të jetë e hidhur, por nuk duhet ta mohosh.

“Me apo pa mua -toka do të vazhdojë të rrotullohet. Me apo pa mua, Kosova do të mbetet e pavarur”.


MË SHUME NGA Lajme