Infantino vjen për vizitë në Kosovë
BKT
Sport

Infantino vjen për vizitë në Kosovë

B. Halimi / RTKlive

I pari i futbollit botëror, Gianni Infantino, do të vjen në një vizitë historike në Kosovë. Lajmi është bërë i ditur nga Federata Futbollit e Kosovës. Presidenti i FIFA-s, do të qëndrojë në Kosovë më 30 shtator.

“KE u njoftua nga presidenti Agim Ademi se FFK-në do ta vizitojë i pari i futbollit botëror, presidenti i FIFA-s, z. Gianni Infantino, i cili më 30 shtator do të vijë në Kosovë, që është një vizitë historike për futbollin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv.

Sipas njoftimit, FFK, do të marrë të gjitha masat dhe përgatitjet e duhura për pritjen sa më të mirë të presidentit Infantino, duke ditur se kjo vizitë bëhet në prag të fillimit të Kampionatit botëror ‘Katari 2022’.

Kësisoj, për herë të parë Kosovën do ta vizitojë kreu i FIFA-s, teksa më herët vendin tonë e ka vizituar presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin.

Në këtë mbledhje KE i FFK-së ka analizuar edhe rrjedhën e garave në futbollin kosovar, duke konstatuar se deri më tash pati një rrjedhë të mirë të garave, por që është kërkuar nga Komisionet dhe nga gjyqtarët që të jenë në nivel të detyrave.

Po ashtu, KE i FFK-së vlerësoi paraqitjen e mirë të skuadrave tona në Evropë, në veçanti nga kampioni në fuqi, FC ”Ballkani”, që ka arritur të jetë pjesë e fazës së grupeve në Ligën e Konferencës dhe të ketë paraqitje dinjitoze. KE i FFK-së ka vlerësuar se kjo ka bërë që imazhi i futbollit të Kosovës të rritet.

KE shqyrtoi edhe përgatitjet për ndeshjet e Kombëtareve dhe u vlerësuar se ato po shkojnë sipas dinamikës dhe plan-programit të paraparë.