Hoti dhe Greig : Policia e Kosovës së shpejti me kamera në trup
Fadil Sertolli/ RTKlive
Ud. drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti dhe Tamra Greig, drejtoreshë në Zyrën për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL në mesin e temave ), kanë diskutuar edhe rreth pilot projektit të sistemit të kamerave për trup, të cilat shumë shpejtë pritet që zyrtarët policorë të pajisen me këto kamera.
Sipas një njoftimi për media thuhet se takimi përveç se ishte i karakterit njoftues me drejtoreshën e re të INL-it dhe në anën tjetër lamtumirës me ish drejtorin e INL-it z.Shawn Waddoups, u diskutuan tema mjaft të rëndësishme me interes në fushën e sigurisë.
“Temat në fushën e sigurisë përfshijnë mbështetjen me trajnime të avancuara dhe me projekte të ndryshme, siç është edhe pilot projekti i sistemit të kamerave për trup, ku pritet që zyrtarët policorë në të ardhmen të pajisen me këto kamera”, thuhet në njoftim.
Po ashtu u tha se Policia e Kosovës do të vazhdojë të punojë për ta forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet tashmë të mira me partnerët ndërkombëtar, e në veçanërisht me INL-in dhe ICITAP-in, të cilëve Policia u është mirënjohëse për mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer.
“Takimi rezultoi me zotimin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe partneritetit të fortë në mes komuniteteve për zbatim të ligjit në Kosovë dhe SHBA”, thuhet mes tjerash në njoftim të Policisë së Kosovës .























