TIFF, edhe online për ndjekësit nga Shqipëria e bota
Rtklive
Kulturë

TIFF, edhe online për ndjekësit nga Shqipëria e bota

ATSH

Edicioni i 20-të i Tirana International Film Festival (Oscar & European Film Awards qualifying) do të mbahet në datat 24-30 shtator 2022.

Ky edicion jubilar do të zhvillohet në kinema Millenium, Liceu Artistik “Jordan Misja”, Open Air Cinema Millenium si dhe online për ndjekësit e shumtë në Shqipëri dhe në botë, që nuk mund të frekuentojnë sallat.

Nga rreth 3000 filma që aplikuan këtë vit, nga 109 vende të botës, janë përzgjedhur 243 filma, nga të cilet 209 filma të shkurtër dhe 34 filma të metrazhit të gjatë. Të gjithë filmat e përzgjedhur janë premiera kombëtare, por janë edhe shumë premiera botërore, nderkombetare, europiane dhe ballkanike.

Ceremonia e hapjes do të organizohet në bashkëpunim me Ambasadën italiane dhe Institutin Italian të Kulturës. Filmi që do të hapë këtë festival do të jetë filmi i regjisorit të mirënjohur Giuseppe Tornatore për mjeshtrin e muzikës Ennio Morricone.

Konkurrimi zyrtar për kategoritë kryesore si, Feature, PerspecTIFF, Documentary dhe Short Films: Fiction, Animation, Video Art & Experimental, Balkan shorts si dhe In ALBANIAn do të zhvillohet në kinema Millenium dhe do të vlerësohet nga 4 juri ndërkombëtare të formuara nga personalitete të njohur të industrisë kinematografike. Në përbërje të jurive do të jenë: Monica Lăzurean-Gorgan (Rumani), regjisore, anëtare e Academy of Motion Pictures, Arts and Sciences, që akordojnë çdo vit çmimet Oscar; Cristina Groșan (Hungari), e cila sapo fitoi ne Venezia çmimin e larte Best Director 2022; Eliza Petkova (Gjermani), Robert Rombout (Belgjike), Margot Mecca (Itali), Ivan Đurović (Mali i Zi), Bruno Carnide (Portugali), Katia Bayer (Belgium), si dhe një grup kineastesh të njohur nga Shqipëria e Kosova, si Gentian Koçi, Zgjim Terziqi e Benart Laze.

Festivalin do ta nderojë edhe prezenca e Gerardo Prat, anëtar i bordit të Hollywood Foreign Press Association, që organizon e akordon çdo vit çmimet Golden Globes.

TIFF përveç atributit si Oscar® & European Film Awards qualifying, është që prej vitit 2013 pjesë e 110 festivaleve më të rëndësishme në botë, që ndiqen me vëmendje të posaçme online, por edhe fizikisht nga HFPA.


MË SHUME NGA Kulturë