Boletini: Sfidat për RTK-në, mungesa e financimit të qëndrueshëm dhe prona
BKT
Lajme

Boletini: Sfidat për RTK-në, mungesa e financimit të qëndrueshëm dhe prona

E.Hoti/RTKlive

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, në një intervistë në RTK, ka folur për të arriturat dhe sfidat e transmetuesit publik. Në përvjetorin e 23-të të themelimit, ai tha se në këta muaj që janë në mandat, e kanë gjetur RTK-në në një gjendje të vështirë dhe me sfida të shumta.

“Sa i përket sfidave, e kemi gjetur RTK-në goxha në një gjendje të vështirë, fatkeqësisht me 1.6 milionë euro borxhe. Sigurisht janë dy probleme që e kanë shoqëruar RTK-në ndër vite, siç është prona dhe financimi i qëndrueshëm”, tha Boletini, i ftuar në edicionin qendror të lajmeve.

“Ndërkaq, sa i përket pronës, jemi duke punuar maksimalisht sa i përket aspektit tonë si Bord dhe fuqisë sonë", tha ai.

Boletini u shpreh se ka pasur takime të rëndësishme për këtë çështje dhe indikacionet e para janë pozitive.

“Ka një disponim për të zgjidhur çështjen e pronës, sepse dihet edhe në bazë të Ligjit për RTK-në se Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të merr një vendim që ta përcaktojë  pronën e RTK-së”, tha Boletini.

Ai u shpreh se janë duke punuar edhe sa i përket financimit të qëndrueshëm që duhet të jetë përmes parapagimit.

“Presim që kur të amandamentohet ligji i ri dhe shpresojmë në fund të këtij viti ta kemi propozimin konkret, se si ne mendojmë ta bëjmë parapagimin”, tha Boletini.

“Kësaj i ka paraprirë një punë intensive në përmirësimin e kushteve dhe mënyrës së funksionimit të RTK-së, që nënkupton që ne para qytetarëve duhet të tregojmë korrektësi, profesionalizëm dhe objektivitet në mënyrë që qytetarët të jenë të bindur se duhet ta paguajnë Transmetuesin Publik, i cili është dritarja kryesore dhe më e rëndësishme për informim në Kosovë”, tha Boletini.

Po ashtu ai tha se me të marrë mandatin, e kanë parë gjendjen fillestare në të cilën e kanë  gjetur RTK-në me probleme të shumta.

Njeri prej tyre, sipas tij, dhe më kryesori ka qenë ai i buxhetit i cili ka qenë 2 .2 milionë euro më pak se buxheti i vitit paraprak.

“Dhe kjo na ka detyruar që të bëjmë shkurtime drastike në projeksionin buxhetor dhe në njëfarë mënyre ky ka qenë një buxhet emergjent me të cilin ne kemi funksionuar”, thotë ai.

“Pavarësisht kësaj ne kemi arritur që në bashkëpunim me menaxhmentin, të bëjmë një menaxhim më të mirë, e të bëjmë kursime në disa linja buxhetore”.

Ndërkaq, se a ka gjasa që të kthehet buxheti i vitit të kaluar, Boletini tha tashmë janë duke punuar në këtë drejtim, që RTK të ketë buxhetin ashtu siç përcaktohet me ligj e që është buxhet shumë më i madh se ai i vitit paraprak.

Por sipas tij, njëkohësisht duke pasur parasysh edhe të gjitha ato investime të munguara dhe pajisje që kanë qenë donacion dhe që nuk janë zëvëndësuar për 20 vjet në RTK.


MË SHUME NGA Lajme