Kurti i përkushtuar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë|Video
BKT
Lajme

Kurti i përkushtuar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë|Video

Elmina Osmani/ RTK

Në medie ka qarkulluar një dokument i cili përmban një kornizë se si do të përmbyllen negociatat Kosovë-Serbi. Megjithatë subjektet politike opozitare në vend thonë se ende nuk kanë pranuar ndonjë dokument të tillë. Ato madje po e kritikojnë qeverinë për jotransparencë karshi dialogut.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që të ketë bisedime çdo muaj për dialogun. Kurti është shprehur i përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Për Partinë Demokratike të Kosovës, marrëveshja finale me Serbinë duhet të ketë njohjen reciproke dhe ulësen në OKB për Kosovën.

Ndërkaq, AAK po konsideron se qeveria nuk po tregohet transparente për çështjen e dialogut derisa thotë se ende nuk janë në dijeni për dokumentin që po qarkullon.

Nga ana tjetër, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, shpreson që qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të udhëtojnë në shtete të Bashkimit Evropian pa viza.

”Siç e dëgjuat edhe komisionarin evropian, edhe Ballkani Perëndimor i takon Evropës. Ju ende e keni regjimin e vizave por shpresojmë shumë shpejt që kjo të largohet dhe ju të mund të udhëtoni pa viza”, tha ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.

Kohët e fundit është rritur presioni ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, teksa janë përmendur edhe veprime konkrete në drejtim të liberalizimit të vizave.


MË SHUME NGA Lajme