Rruga e Kosovës drejtë BE-së, bisedë në takimet e Bislimit me ambasadorët
Fadil Sertolli/ RTKlive
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një takimi me Ambasadorin e ri të Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund kanë diskutuar mbi zhvillimin e Kosovës, ku Bislimi theksoi se vendi ynë është në një trajektore të re të zhvillimit dhe të avancimit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Progresi i shënuar në fusha të ndryshme, përtej sfidave të kohës, duhet të shërbejë si incentivë pozitive në avancimin e vendit. Ky vit ka sjellë një dinamikë të re në agjendën evropiane të Kosovës, ku përveç nevojës për liberalizimin e vizave, synojmë të aplikojmë brenda vitit për anëtarësim në BE”, thuhet në një komunikatën e dërguar nga zyra e Bislimit.
Gjithashtu, sipas njoftimit, në takim u trajtua dhe objektivi i thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në shkëmbimet tregtare, prodhimtarinë, rritjen e investimeve të kompanive suedeze në Kosovë dhe projekteve me interes të përbashkët.
Po ashtu Bislimi e falënderoi ambasadorin për takimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Republikës së Kosovës.
Ndryshe, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, shteti i Suedisë do të marrë dhe Presidencën e Këshillit të BE-së.
Gjithashtu numri dy i qeverisë, Besnik Bislimi ka pritur në takim edhe ambasadorin e ri të Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen. Në këtë takim të parë zëvendëskryeministri e njoftoi atë me të arriturat e Qeverisë.
Synimi për aplikim për anëtarësim në BE brenda këtij viti e nevoja për liberalizim vizash ishin pjesë e bisedës mes dyshes në këtë takim.
“Gjatë bisedës, e njoftoi atë me të arriturat e Qeverisë, synimin për aplikimin për anëtarësim në BE brenda këtij viti dhe nevojën për liberalizimin e vizave. Bislimi e falënderoi për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Finlandës ndaj Republikës së Kosovës’, citon komunikata zëvendëskryeministrin Bislimi.

Ndërkohë siç thuhet ambasadori Nissinen ka vlerësuar rëndësinë e vendeve demokratike si Republika e Kosovës dhe është mbështetës i progresit, zhvillimit të Kosovës dhe rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Evropian.























