OVL e UÇK-së i bashkohet protestës kundër vizitës së Trendafilovës
Fadil Sertolli/ RTKlive
U.d i kreut të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka bërë të ditur se jo vetëm që e mbështesin protestën e organizuar nesër në Gjilan, por edhe marrin pjesë të kundërshtuar vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
“Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se nuk po gjykohen krimet dhe masakrat e pushtuesit, por përkundrazi po përdoren shpifjet e tyre për ta gjykuar UÇK-në”, ka shkruar ndër të tjera Klinaku në Facebook.
Ai ka shkruar se roli i secilit gjykatës, e aq më pak roli i kryetares së një Gjykate (në këtë rast pseudogjykatës speciale), nuk është që të edukoi shoqërinë civile e mediat.
“Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se çfarë po ndodh me gjykimet politike në Hagë. Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se njerëzit mbahen pengje që dy vite në paraburgim atje. Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se nuk po gjykohen krimet dhe masakrat e pushtuesit, por përkundrazi po përdoren shpifjet e tyre për ta gjykuar UÇK-në”, ka shkruar Klinaku.
Prandaj, siç ka shkruar ai, edhe për shumë arsye të tjera, mbështesim dhe marrim pjesë në protestën e organizuar më 21.09.2022 (e mërkurë), ora 10:00, Hotel “Astoria”, Gjilan, për të kundërshtuar vizitën e znj. Ekaterina Trendafilova.























