110 vjetori i shtetit shqiptar, bashkon Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë
BKT
Foto: RTKLive
Lajme

110 vjetori i shtetit shqiptar, bashkon Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë

Jeton Musliu/RTKlive

Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë, nënshkruan sot në Tiranë, Memorandum të bashkëpunimit. Firmat i hodhën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe ajo e Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në fjalën e tij, kryeparlamentari Konjufca deklaroi se qytetarët e Kosovës e meritojnë që në fund të këtij viti të mos kenë regjim vizash për të lëvizur në  Evropë.

“Kontributi e ndihma juaj janë me të vërtetë për t’u vlerësuar dhe çmuar, meqenëse në çdo rast që ju jepet ju, edhe në takime të niveleve të rëndësishme ndërkombëtare, e ngrini vazhdimisht çështjen e Kosovës, e mbroni atë që është interes edhe i popullit tonë duke i qëndruar gjithmonë afër popullit të Kosovës dhe interesave tona”, tha Konjufca në fjalën e tij.

Ai tha se Shqipëria dhe Kosova, pavarësisht se janë dy shtete, kanë një interes të përbashkët.

“Edhe sa i përket domosdoshmërisë së njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, edhe sa i përket të gjithave iniciativave të Republikës së Kosovës për anëtarësim në institucione të rëndësishme ndërkombëtare e evropiane”, u shpreh kryeparlamentari Konjufca.

Ai theksoi ndër të tjera se Serbia është shumë armiqësore ndaj Kosovës.

“Republika e Kosovës e ka një proces të vështirë përpara që është relacioni me shtetin serb. Serbia e Aleksandër Vuçiqit mund të themi që nuk ka ndryshuar drejtim politik, por vetëm i ka ndryshuar mjetet prej kohës së Millosheviqit”, u shpreh Konjufca, duke shtuar se Serbia duhet ta dijë çdo shqiptar që është shumë armiqësore ndaj Republikës së Kosovës dhe këtë nuk e kemi zgjedhur ne.

“Këtë e ka zgjedhur elita udhëheqëse politike shtetërore serbe e cila e mohon pavarësinë e Kosovës, e cila e lufton pavarësinë e Kosovës me çdo mjet që ka në dorë, dhe në këto muaj ku po bëheshin përpjekje nga qeveria jonë për realizimin e marrëveshjes  së letërnjoftimeve dhe të targave e patë si presidenti i Serbisë Vuçiq nuk heziton fare edhe për ta sfiduar kornizën e sigurisë në Ballkan dhe Evropë përmes kërcënimit të Kosovës dhe dërgimit të trupave të armatosura të kontrolluara prej Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës”.

Nga ana e saj, kryeparlamentarja  e Shqipërisë, Lindita Nikolla, deklaroi e konkretizimi i marrëdhënieve mes dy parlamenteve, është konkretizuar gjatë kësaj legjislature me 18 vizita pune.

Ajo tha se bashkëpunimi po vazhdon për akordimin e qëndrimeve edhe në organizatat ndërkombëtare.

Nikolla u shpreh se ky bashkëpunim i deritanishëm do të mbështetet edhe në memorandumin e nënshkruar për bashkëpunim mes dy kryesive të Kuvendeve.

“Qëllimi i këtij memorandumi është rritja e cilësisë së partneritetit parlamentar, vënien në zbatim të  marrëveshjeve të dy qeverive, forcimin e bashkëpunimit të dy Kuvendeve për çështjet e integrimit, përfaqësimin ne organizatat ndërkombëtare dhe çështje të tjera me interes të përbashkët”, u shpreh Nikolla në fjalën e saj.

Kryeparlamentarja Nikolla u shpreh se në këtë takim u diskutua për mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve, në kuadër të shënimit të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Ajo më tej foli edhe për rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me 21 korrik 2022, mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore Kosovë-Shqipëri.

“Teksti i Rezolutës i është përcjellë zyrtarisht Këshillit të Evropës dhe i kemi kërkuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të rishikojë rezolutën 1782 të vitit 2011, të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim organesh njerëzore gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të hartojë një raport vijues dhe si rrjedhojë, një rishikim thelbësor të Rezolutës”, deklaroi kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Ajo tha se Shqipëria mbështet çdo verim që synon të zbulojë të vërtetën dhe e konsideron këtë nismë si shprehje kuptimplotë të këtij vullneti.


MË SHUME NGA Lajme