Për herë të dytë, Trendafilova anulon ardhjen në Gjilan, shkak protestat
BKT
Foto: RTKLive
Lajme

Për herë të dytë, Trendafilova anulon ardhjen në Gjilan, shkak protestat

Jeton Musliu/RTKlive

Anulohet për të dytën e herë, ardhja në Kosovë e Ekaterina Trendafilovës, kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Planifikohej që ajo të mërkurën në Gjilan ajo të mbante një konferencë për media, e ku brenda do të ishin vetëm pjesëtarë të shoqërisë civile dhe gazetarë të akredituar, por pa kamera dhe pajisje të tjera për xhirim.

Në njoftimin zyrtar janë bërë të njohura arsyet për këtë anulim të ardhjes së saj, e që kanë të bëjnë me protestat që janë paralajmëruar të mbahen në Gjilan, në orën kur ajo do të mbante konferencë për media.

Një paralajmërim të tillë e ka bërë Partia Socialdemokrate, kurse sot edhe veteranët e UÇK-së, të cilët kanë deklaruar se gjithashtu do t’i bashkohen protestës, raporton RTKlive.

Sidoqoftë, siç shkruan në njoftim, këto aktivitete të kryetares  së Dhomave të Specializuara, do të mbahen përmes internetit.

Anulimi theksohet të jetë bërë pas shqyrtimit të kujdesshëm specifikohet, të situatës së krijuar me protestat e paralajmëruara.

”Pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës së re të krijuar lidhur me protestat e paralajmëruara kundër aktivitetit me shoqërinë civile të mërkurën në Gjilan, me Kryetaren e Dhomave të Specializuara, Gjykatëse Ekaterina Trendafilova, sot u vendos që aktiviteti të zhvillohet përmes internetit”, shkruan në njoftim.

Kryetarja Trendafilova citohet në deklaratë të ketë thënë se “mandati i Dhomave të Specializuara është administrimi i drejtësisë në mënyrë të drejtë, të pavarur, të sigurt dhe të paanshme”.

Sipas komunikatës, Trendafilova ndodhet në Kosovë për të biseduar me njerëz për punën e Dhomave të Specializuara në mënyrë transparente dhe të saktë, siç e ka bërë në disa raste më parë, dhe për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që mund të kenë njerëzit.

“Prandaj, në interes të sigurisë publike, u mor vendimi që kjo veprimtari të zhvillohet përmes internetit. Pjesëmarrësit e regjistruar dhe personat tjerë të cilët dëshirojnë të marrin pjesë, do të informohen se si mund t’i bashkohen veprimtarisë e cila do të zhvillohet përmes internetit në orën 10:00”.

Kjo është hera e dytë që anulohet një konferencë e tillë, për arsye të njëjta.

 


MË SHUME NGA Lajme