Kurti: Kemi nevojë për Republikën e tretë
Rtklive
Foto: LVV
Në Fokus

Kurti: Kemi nevojë për Republikën e tretë

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

(Plotësuar) Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalos platformën e tij për mandatin e ri katër vjeçar në krye të kësaj partie. Në fillim, fjalën e mori Arben Vitia, kryetar i degës së LVV-së në Prishtinë, e ku të pranishëm ishin edhe partia “Guxo”, ‘Alternativa’, Partia e Re Demokratike dhe Iniciativa e Re Demokratike.

Ndërkohë, kështu e nisi fjalimin e tij kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që është kryetar i Vetëvendosjes dhe që synon të marr edhe një tjetër mandat katër vjeçar në Lëvizje këtë të diele.

“Ndoshta edhe e mbani në mend në këtë dimrin që shkoi kur dikush thoshte se në shtator ka zgjedhje. Është e vërtetë që në shtator ka zgjedhje dhe ka në Lëvizjen Vetëvendosje me 25 shtator dhe është mirë që të gjithë anëtarët e LVV-së ta shfrytëzojnë këtë drejtë”, tha ai.

Kurti tha se është hera e parë që anëtarësisë i kërkon mbështetje për një tjetër mandat kryetari, si kryeministër i Republikës. Tha se periudha prej kur erdhën në pushtet ishte e mbushur me sfida, por edhe me suksese.

 “Në tetor të vitit 2019 dolëm të parët për herë të parë, në shkurt të vitit 2021 u bëmë shumicë për herë të parë e këtë të premte bëhen një vit e gjysmë që jemi në drejtimin e Republikës sonë. Periudha nga fitorja plebishitare e 14 shkurtit ka qenë e mbushur me sfida, por edhe me suksese. Ne të Lëvizjes Vetëvendosje duke qenë aktivist që nga themelimi i organizatës tonë i njihnim hallet e shoqërisë e popullit tonë, por siç e dini gjatë kësaj periudhe u desh të përballeshim edhe me shumë sfida që pak kush mund t’i parashikonte. Pandemia Covid- 19 e agresioni ushtarak rus mbi Ukrainën që shkaktoi krizë energjetike e ekonomike e pa i harruar ndryshimet evidente klimatike. Të dyja këto kanë prodhuar pasoja të rënda si për shëndetin publik ashtu edhe për ekonominë e vendit tonë. Fati ka dashur që të dyja këto të koincidojnë me bërjen tonë si organizata më e madhe politike në vend dhe me marrjen e drejtimit të shtetit. Sigurisht këto nuk janë sfida të vendit tonë, por janë globale”, tha Kurti.

Tutje ai tha se detyrë e tyre si parti është t’ia dëshmojnë popullit që duke i besuar Vetëvendosjes bënë zgjedhjen duhur.

“Pa organizatën qeverisja ynë e humbet kontaktin me popullin, kontakt që është jetik për të pasur një qeverisje të popullit nga populli e për popullin. Prandaj është kaq e rëndësishme të mos e lëmë pas dore organizatën e Lëvizjes. Organizata është hallka që garanton besnikërinë tonë si përfaqësues të popullit”, tha kreu i Vetëvendosjes, njëherësh kryeministër, Albin Kurti.

Derisa u kërkoi mbështetjen për zgjedhjet e së dielës, Kurti shpalosi 10 pikat themelore të platformës së tij politike.

“Platforma ime programore për periudhën 2022 -2026 është e mbështetur në këto 10 pika themelore: 1. Rritja e numrit të anëtarëve të moshave të reja 2. Rritja e anëtarësisë së vajzave dhe grave. 3. Krijimi i kohezionit midis brezave, grupeve shoqërore e botëkuptimore. 4. Forcimi i shkollës politike dhe  dimensionit ekzekutiv të saj. 5. Promovimi i organizimit sindikal në sektorin privat. 6. Përgatitja e burimeve njerëzore dhe programore për zgjedhjet lokale 2025. 7. Përgatitja e platformës politike për mandatin e dytë të qeverisjes. 8. Rritja e rrjetit të qendrave të LVV-së në mërgatë. 9. Angazhimi i aktivistëve dhe studentëve dhe profesionistëve në organizatën politike të Lëvizjes. 10. Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ai jashtë shtetit e brenda kombit tonë”, ka numëruar kështu Kurti pikat e tij programore.

Tutje lideri i LVV-së tha se tash Kosova ka nevojë për një Republikë të tretë, pas asaj të 2 korrikut 1990 e pas shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.

“Republika e Kosovës e shpallur me 2 korrik 1990 ishte Republika e parë e Kosovës si Republikë për rezistencë. Pavarësia e Kosovës e shpallur me 17 shkurt 2008 ishte Republika e dytë e Kosovës që shpesh doli të jetë Republikë për shitje. Ne kemi nevojë për Republikën e tretë të Kosovës që ta shpëtojmë Republikën si të tillë e ta avancojmë atë. Pra, për Republikën e tretë për drejtësi e bashkim, për demokraci e zhvillim, për barazi e mirëqenie. Kjo nënkupton reforma aq të thella, reforma transformuese, transformim të institucioneve të sistemit, një punë që e kemi filluar tashmë, por që duhet ta vazhdojmë fuqishëm edhe në mandatin e  dytë qeverisës. Platforma politike për mandatin e dytë qeverisës  do të jetë më precize sepse informuar nga mësimet dhe përvojat që kemi nxjerrë e do të vazhdojmë përgjatë këtij mandati qeverisës. Jemi zotuar që shteti i së drejtës në konceptimin tonë bënë aktualizimin e LVV-së prej kushtetimit modern të shtetit tonë, ku burim sovraniteti duhet të jetë populli dhe vetëm ai si në të gjitha shtetet demokratike”, tha kryeministri gjatë fjalimit të tij para anëtarëve të Vetëvendosjes.

Konjufca: LVV arriti deri këtu falë një njeriu të pathyeshëm si Kurti

Përmes një video lidhje para të pranishmëve foli kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Kreu i Kuvendit ka thënë se ndonëse rrugëtimi i Vetëvendosjes me numër të viteve nuk është shumë i gjate, me ngjarje e aktivitete rruga nuk ishte aspak e shkurtër.

Ai tha se Vetëvendosje është përfaqësim i dëshirave dhe ëndrrave të popullit.

“Ne dolëm të parët në zgjedhje, na besoi populli se jemi të drejtë të pa korruptuar, kombëtar dhe të panënshtrueshëm”, tha Konjufca.

E deri këtu sipas Konjufcës, Lëvizja arriti vetëm pse drejtues pati një njeri të pathyeshëm siç e quajti ai Albin Kurtin.

“Në fund të viteve të 90’ kur populli ynë ndodhej përballë mizorisë së gjenocidit të Serbisë ai e ndau fatin e vështirë bashkë me popullin e vetë kurse si i burgosur politik pastaj ishte shembull i qëndresës dhe padyshim i frymëzoi edhe të tjerët me këtë qëndresë. Gjithnjë ishte i gatshëm që ta jepte edhe jetën në ato rrethana. Edhe pas themelimit të LVV-së dhe gjatë aktiviteteve tona të panumërta ai ishte i pari i gatshëm për sakrificë, i pari që arrestohej dhe gjithsesi me imunitetin më të lartë në mesin tonë edhe ndaj presionit edhe ndaj privilegjeve”, tha Konjufca, një nga bashkëpunëtorët e afërt të Kurtit.

Ai tha se Kurti është njeriu që kurrë nuk drejton i vetëm.

“Prandaj më vjen mirë që jemi në këtë moment dhe që përpara nesh do ta kemi njeriun që na drejtoi deri këtu, por njeriun që kurrë nuk drejton i vetëm dhe i vetmuar dhe këtu po flas si një dëshmitar si një bashkëthemelues i LVV-së së bashku me Albin Kurtin, si një bashkë aktivist që kemi qenë në krah të njëri tjetrit gjatë gjithë kohës. Po e bëj një dëshmitar duke e dhënë dëshminë time se Albin Kurti nuk është njeri që drejton individualisht”, tha Konjufca.

Haxhiu i përshkruan gratë në LVV-së si shtylla e Lëvizjes

Anëtarja e kryesisë së kësaj partie dhe aktualisht ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj deklaroi se rrugëtimi i grave në lëvizje për barazi sociale, ka një histori të gjatë dhe i jep kuptim më të thellë përpjekjes për t’i parë kauzat e barazisë, të bëhen realitet në shoqërinë tonë.

“Vetë themelimi i GVV-së, pra gratë për Vetëvendosje, është  paramenduar si vazhdimësi e kësaj përpjekje të gjatë për të krijuar hapësirat e nevojshme që gratë e vajzat, të jenë të përfaqësuara në të gjitha nivelet e LVV”, tha Haxhiu.

Ajo u shpreh se sot në LVV, gratë nuk janë të kënaqura vetëm me përfaqësim si të tilla,  por duhet të bartin edhe me krenari, prej nga vjen ky përfaqësim, nga tejkalimi i kuotës si përqindje dhe si mjet.

“Kjo është  puna dhe mundi i vajzave, atyre që e kanë shkruar me sprej dhe kanë folur me megafon”, tha haxhiu.

“Kanë shkruar komunikata, kanë mbajtur qëndrim politik, janë arrestuar e burgosur disa herë, si dhe kanë denoncuar shovinizmin e aferat korruptive…pra këto janë gratë e lëvizjes”.

Haxhiu deklaroi se  aktivistet i kanë sjellë LVV-së,  mendimin dhe aksionin. Ajo tha se gruaja në LVV ka prodhuar ngjarjen politike dhe si e tillë  ka qenë faktor i patejkalueshëm për vendimmarrje.

“Andaj na duhet feminizmi i LVV-së, një feminizëm socialdemokrat që nuk e sheh pushtetin për të shtypur, por si platformë për të çuar tutje politikat e barazisë”.

Haxhiu tha se përpjekja e grave për të drejta të barabarta përmban zjarrin e vrullin e LVV-së.

“Ne kemi trashëguar një histori përpjekjesh të grave në historinë  e  Kosovës.  Gratë në ilegale, gratë e pajtimit të gjaqeve, aktivistet e viteve 90,  gratë në UÇK, gratë e Krushës, Thirrjet e Nënave,  gratë e dhunuara dhe aktiviste që e denoncojnë shtypjen çdo ditë”.

“Ky vrull i grave është padyshim përpjekje e aktivisteve dhe anëtareve tona. Fitorja së pari u takon vajzave e grave”.

Ndërkohë, Behar Jashari i cili ka paraqitur platformën “Rinia për Vetëvendosjen” tha se organizimet politike të rinisë janë emri nën të cilin janë nënshkruar lëvizjet më të thella politike që janë shquar sipas tij për guximin e vrullin transformues.

“LVV që nga themelimi edhe sot asnjëherë nuk e ka parë rininë si pjesë të ndarë, por pjesë integrale e Lëvizjes”, tha ai .

“Sot po nisim një organizim të ri krah për krah me Lëvizjen që t’i japim shpejtësinë dhe intensitetin e kërkuar organizimit politik të të rinjve dhe të rejave. Përveç mbështetjes që ka Lëvizja nga grupmoshat e reja gati 20 mijë të rinj e të reja janë anëtarësuar në Lëvizje, prandaj “Rinia për Vetëvendosje” është strukturë e domosdoshme”, shtoi ai.

Jashari ka prezantuar pikat e platformës së tij për mandatin 4 vjeçar.

“Pikat e platformës janë: rritja dhe shtrirja e RVV-së, emancipimi politik dhe përgatitja profesionale e aktivistëve, aktivitete dhe puna vullnetare, socializimi, arti, muzika e sporti e anëtarësimi në Organizata Ndërkombëtare të orientimit socialdmeokrat”.

Vitia: Kurti i palëkundur, i vendosur e me vizion të qartë zhvillimi

Gjithashtu  në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, prezent ishin edhe delegatët e Këshillit të Përgjithshëm, deputetë, ministra, kryetarë të komunave e asamblistë.

“Pas disa muajsh, saktësisht nga mesi i marsit kur filluam procesin e zgjedhjeve të brendshme, jemi të bashkuar në përgatitje të rrugëtimit të ardhshëm”, tha Vitia në fillim të fjalës së tij.

“Besoj të gjithëve na kujtohet që para 4 vitesh në këtë sallë, pas disa përpjekjesh për ta dobësuar e zvogëluar, u nis një projekt reformues për organizatën që dha frytet e veta për lëvizjen, por edhe Kosovën”, tha kryetari i degës së LVV-së në Prishtinë.

Ai u shpreh se LVV-ja është organizata e cila synon që së bashku me gratë e vajzat,  me të rinjtë e të rejat,  zhvillimin, e me popullin, barazinë.

“Ne jemi lëvizje që synojmë progresin, jo të grupacionit, por të shoqërisë, triumfin jo të vetjakes, por të përbashkët. Ne  këmbëngulim për ndryshimin e gjendjes e jo të pozicioneve”.

Vitia i cili ishte ministër i Shëndetësisë, u shpreh se para 100 ditësh, LVV-ja  shënoi 17 vjetorin e saj.

“17 vite ide, punë, angazhim, aksion e çdoherë në të mirë të vendit dhe për vendin”.

Ai deklaroi se sot, kryeministri e kryetari i LVV-së, Albin Kurti, e shpalosë platformën.  “Në gjithë këto vite, emri i tij çdoherë është  lidhur ngushtë me vendosmërinë, punë të palodhshme  e zell”.

Sipas Vitisë, Kurti është njeri i palëkundur, i vendosur e me vizion të qartë për mbrojtjen e  zhvillimit. “Ky është drejtuesi ynë”.

 


MË SHUME NGA Në Fokus