Trendafilova për RTKlive: Gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve nis në pranverë?
Jeton Musliu/RTKlive
(Lajmi i plotë) Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekatarina Trendafilova, deklaroi se procesi gjyqësor ndaj ish presidentit Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, pritet të fillojë nga pranvera e vitit që vjen.
Tha se kishte planifikuar të vinte në Kosovë, e të jepte të dhëna për punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Por kur pa se do të protestohet ndaj vizitës së saj, të planifikuar për sot (e mërkurë) në Gjilan, vendosi që konferencën për media ta mbajë online.
Kështu, Ekaterina Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara, tregoi për 19 vendime që ka marrë Gjykata e Apelit e për 8 të tjera ajo Supreme, që funksionojnë brenda Dhomave të Specializuara.
Tha se edhe Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara ka pasur punë, ndonëse për asnjërën, përveç shifrave, nuk dha detaje.
Trendafilova u përkujdes të rikujtojë opinionin se të akuzuarit po gjykohen për vepra që dyshohet se i kanë kryer në mënyrë individuale dhe se nuk janë të akuzuar si organizatë.
Tha se është e vetëdijshme për kritikat që drejtohen ndaj Dhomave të Specializuara, se i përket punës së saj, e gjithashtu se shumë të tjerë, nuk besojnë fare në mandatin e këtij institucioni.
Për të gjitha këto dyshime e dilema, dha një përgjigje.
“Si gjykatë, ne nuk merremi me vendime politike dhe nuk lëshohemi në argumente të çështjeve apo rasteve që janë trajtuar”.
Trendafilova rikujtoi se janë aty, për të përmbushur mandatin ligjor që kanë.
“Ky ishte qëllimi i vizitës sime në Kosovë, për të informuar se çfarë ka ndodhur deri më tani në Dhomat e Specializuara”.
Premtoi se do të angazhohet që gjithçka të jetë transparente dhe e hapur.
“Arsyeja kryesore e vizitës sime në Kosovë ishte për të takuar gazetarë, kolegë e shoqëri civile dhe të flas hapur”, tha Trendafilova.
“Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë. Por edhe ne kemi të drejtë të mos përfshihemi në situata të tilla”.
Ajo foli edhe për rastin e Salih Mustafës, ndaj të cilit, prokuroria ka kërkuar 35 vjet burg.
“Nuk do të flisja më shumë për këtë rast, por mund të them se gjyqtarët e rastit do të shqyrtojnë të gjitha rrethanat”.
E kur foli për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u shpreh se është e vetëdijshme se procesi gjyqësor ende nuk ka filluar.
Por, për qëndrimin e tyre tash e dy vjet si të paraburgosur, nuk e cilësoi si periudhë të gjatë, bazuar sipas saj në faktin, për numrin e madh të dokumenteve që duhet të shqyrtohen.
“Deri në pranverën e ardhshme, pritet se do të fillohet procedura gjyqësore ndaj këtyre të akuzuarve”, tha Trëndafilova, në përgjigje për RTKlive.
“Ka arsye përse është zgjatur fillimi i procesit gjyqësor, sepse janë katër të akuzuar”, tha Trendafilova, kur u pyet nga RTKlive, nëse ndaj tyre, Dhomat e Specializuara që supozohet se janë krijuar për të vendosur drejtësi, janë duke bërë padrejtësi, e duke shkelur të drejtat e njeriut, pasi të paraburgosurit kanë dy vjet që presin.
“Ka arsye, sepse siç thashë më herët, janë katër të akuzuar të cilët akuzohen për disa pika të ndryshme”, përsëriti Trendafilova.
Në pyetjen e RTKlive se avokatët e të akuzuarve janë duke u ankuar se prokuroria është shumë jo bashkëpunuese me ta, në raport me dhënien e dosjeve dhe të dhënave të tjera që u duhen, për të përgatitur mbrojtjen, Trendafilova tha se –“pala mbrojtëse ka bërë një referencë dhe numri i faqeve të përfshira në të gjithë rastin është aq i madh, sa duhet t’i shqyrtojmë në mënyrë ekspeditive duke respektuar me kujdes provat”.
Por, Trendafilova u shpreh e bindur në punën dhe angazhimin e gjyqtarëve që ajo drejton.
“Gjyqtari i procedurës paraprake është duke punuar në çdo moment, duke anashkaluar edhe festat e pushimet, por rasti është shumë voluminoz”, përsëriti ajo, duke iu referuar aktakuzës së Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

“Nuk po e them si arsyetim, por kjo është fakt”.
Ajo deklaroi se gjyqtarët janë shumë kërkues dhe duan të njohin çdo aspekt të materialeve.
Në pyetjen tjetër të RTKlive, se si e shikon miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë, të rezolutës ku i kërkon Këshillit të Evropës, rishqyrtim të rezolutës mbi të cilin u krijuan Dhomat e Specializuara, Trendafilova tha se nuk e di se çfarë mund të ndodhë.
“Nuk po e them këtë për t’u larguar nga përgjegjësia, por nuk e di me të vërtetë se çfarë do të ndodhë”, tha ajo.
“Dhe në shumë raste e kam cekur se politikanët duhet të jenë persona shumë të shkathtë e të arsimuar në shkenca politike, e të gjithë duhet ta kenë lëminë e vet”.
Trendafilovës iu rikujtua se Dhomat e Specializuara u krijuan duke u bazuar në raportin e ish senatorit Dick Marty, i cili në thelb kishte dyshimet se në Kosovë janë kryer trafikim organesh.
Por, në rastet konkrete, asnjë nga të akuzuarit nuk ngarkohet me dyshime, por gjykata ka vite që merret me raste të publikimit të disa dokumenteve konfidenciale të prokurorisë.
“Por, neni 1 i rregullores së Dhomave të Specializuara flet për çështjet e procedurës paraprake dhe të procedurës së mandatit të Dhomave të Specializuara, ku thuhet se puna e saj, nuk duhet të kufizohet vetëm në atë raport”, tha Trendafilova.
“Fuqia e jonë është transparenca dhe jemi të sinqertë. Ne nuk shpikim gjëra”.
E pyetur nëse ishte e brengosur për të ardhur në Kosovë, për arsye të sigurisë, ajo u shpreh se nuk e ka pasur këtë shqetësim.
“Nuk e di nëse do të vijë në Kosovë deri në fund të këtij viti sepse gjithashtu kam shumë punë”, tha ajo, duke rikujtuar se –“kemi punuar me të gjithë gjykatësit edhe gjatë kohës së pushimeve”.
Megjithatë, tha se do të vijë, por ende nuk e di kur. “Natyrisht se varet nga rrethanat, por do të vij sërish në Kosovë, por nuk dua të shihem sikur dua ta sfidoj dikë”.
Krejt në fund, Trendafilova u shpreh se nuk ka ndonjë informacion se prokurori ka gati ndonjë aktakuzë tjetër për ndonjë person tjetër, ndonëse u shpreh se relacionet gjykatës-prokurorë janë shumë të mira.
“Nëse ka aktakuzë tjetër për dikë, unë do të informohem që të caktoj gjyqtarin e procedurës paraprake, por tani për tani nuk kam ndonjë informacion”
























