Flocken pas takimit me Kurtin e Jasharajn: Mbështesim SBASHK-un
N. Mekolli /RTKlive
Greva në arsim dhe administratë vazhdoi edhe sot. Kështu ka konfirmuar kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, përkundër paralajmërimeve se kjo organizatë ka hequr dorë nga kërkesa për 100 euro shtesë.
Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, gjatë konferencës së përbashkët për media me drejtoreshën e Përgjithshme të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), Susan Flocken, falënderoi atë për mbështetjen që i ka dhënë sindikatës dhe për përkushtimin e sajë në gjetjen e një zgjidhjeje për ndërprerje të grevës.
Jasharaj tha se drejtoresha Flocken ka ndërprerë të gjitha vizitat në vendet tjera, për të ardhur në Kosovë dhe për të kërkuar një zgjidhje për dalje nga kjo situatë.
Ai njoftoi se drejtoresha e Përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, Susan Flocken, kanë pasur një takim të mërkurën me kryeministrin Albin Kurti
“Me gjithë argumentet dhe mbështetjen e paraqitur nga zonja Flocken, duket se Qeveria nuk ka ndërruar nga qëndrimet e veta”, tha Jasharaj.
Ai tha se falënderon 11 milionë sindikalistët e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës që e kanë përkrahur këtë grevë.
Edhe drejtoresha e Përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, Susan Flocken theksoi se nuk kanë arritur që të gjejnë një zgjidhje për grevat në arsim.
“Unë erdha nga Brukseli veçanërisht për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, duhet të ju them që patëm një shkëmbim të gjatë, por nuk arritëm të gjejmë zgjedhje për këtë”, u shpreh ajo.
Flocken edhe me këtë rast tha se vazhdojnë ta mbështesin SBASHK-un dhe anëtarët e saj dhe shprehu keqardhjen për moszgjidhjen e situatës.
“SBASHK-u është një nga anëtaret e organizatës sonë. Ne e mbështesim SBASHK-un dhe anëtaret e saj, që janë mësimdhënës këtu në Kosovë. Edukimi është shumë i rëndësishëm edhe profesioni i mësimdhënësit është shumë i rëndësishëm prandaj ata meritojnë tërë mbështetjen e nevojshme. Zyra jone është në Bruksel dhe ne jemi në kontakt të ngushtë me Komisionin Evropian. Ne i kemi njoftuar ata në baza të rregullta mbi situatën në Kosovë dhe do t’i informojmë ata për takimet që patëm sot me kryeministrin Kurti dhe sindikatat. Erdha këtu në mënyrë të veçante per të gjetur zgjidhje për situatën”, tha Flocken.























