Rrugëtimi tutje i Malit të Zi |Video
Rtklive
Foto: RTKLive
Lajme

Rrugëtimi tutje i Malit të Zi |Video

Muharrem Miftai/RTKlive

Për rrugëtimin tutje të Malit të Zi, ministri Dukaj theksoi se analizat tregojnë se do të ketë pak ndryshime.

“Ne në Mal të Zi nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, funksionale, sepse mungon kuorumi. Së pari të zgjidhet kjo çështje, pastaj puna e zgjedhjeve parlamentare”, vuri në pah ai, duke apeluar te shqiptarët që të dalin me listë të përbashkët.

“Apeloj që shqiptarët që të dalin me një listë të përbashkët. Ne duhet të jemi atje ku do të bisedohet për komunitetin tonë, do të jemi zë i tyre. Faktori shqiptar ta determinojë politikëbërjen në Mal të Zi”, deklaroi ministri Dukaj.

(E plotësuar) Ideja e të qenit shqiptar

Lidhur me zgjedhjen e Abazoviqit si kryeministër, ministri Dukaj theksoi se në aspektin politik zgjedhja e Abazoviqit si kryeministër ka fituar ndërkombëtarisht Mali i Zi.

Ai më tej shtoi se  Abazoviqi ka përmendur edhe çështjet tjera, jo vetëm atë të identitetit shqiptar, ndonëse ai kurrë nuk e ka mohuar përkatësinë e tij etnike, por ka përmendur edhe  çështjen e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërsa, sipas Spahiut, pas nënshkrimit të marrëveshjes shumë shqiptarë kanë dëshiruar rrëzimin e tij,sepse ka tradhtuar interesat e Malit të Zi.

“Njohja e shtetit të Kosovës nga Mali i Zi ka rëndësi të shumëfishtë dhe tani të tradhtosh interesat e atij vendi, pikërisht ndaj atij që neve na ka luftuar, ka bërë që në Kosovë e kanë ndierë keq këtë marrëveshje”, deklaroi Spahiu.

Kurse Imeraj konsideron se  Abazoviq është ndërtuar që nga fillimi si figurë që kundërshton politikën e Gjukanoviqit, ngase, sipas tij, “kjo e dëshmon vota e marrë nga shtresat e popullatës nga etni të tjera jo vetëm nga shqiptarët.”

Imeraj vlerëson se ky është një momentum politik që shqiptarët duhet të bashkohen në një listë që të nxjerrin më shumë deputetë dhe ministra në qeverinë e Malit të Zi.

(E plotësuar) Gjukanoviq- Abazoviq për ‘Open Ballkan’ e ‘Demarkacioni...’

Lidhur me  “Open Ballkan” dhe për  “Marrëveshjen për kufirin Kosovë-Mali i Zi”, sipas analistit Spahiu, Gjukanoviqi mbron interesat e Malit të Zi, sepse ai ka arritur ta pavarësojë vendin ndërkohë që në “Open Ballkan” ai e sheh ndikimin e Serbisë në Mal të Zi, ndërsa Dritani e shikon në aspektin ekonomik, si një person kozmopolit. Ky është dallimi kryesor mes tyre.

Derisa historiani Imeraj në raport me demarkacionin Gjukanoviq ka pasur një ndikim moral, sepse në krye të shtetit ka qenë Vujanoviq, i partisë së tij, ku ka qenë marrëveshja mes të dy presidentëve, Thaçi-Vujanoviq, ndaj Gjukanoviq ka shprehur gatishmërinë për ta ruajtur linjën zyrtare të politikës së shtetit të tij.

"Ndërsa sa i përket qëndrimit të kryeministrit, mendoj se politikën e jashtme e përfaqëson kryetari i shtetit, ndaj kryeministri nuk do të jetë pengesë e rishikimit të marrëveshjes", tha më tej, Imeraj.

“E për ‘Open Ballkan’ Gjukanoviq sheh veten inferior karshi Serbisë, sepse janë në marrëdhënie jo të mira mes vete”, shtoi Imeraj.

E për ministrin Dukaj, duke folur për rolin e Gjukanoviqit në raport me Kosovën, theksoi se edhe shqiptarët në Mal të Zi kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për Malin e Zi.

“Sa i përket çështjes së ‘Open Ballkan’, qoftë edhe si emër, nuk është prezantuar ashtu si duhet  edhe si ide, nga nismëtarët që, si kusht bazë, do të duhej të ishte njohja bazë e opinionit dhe atyre që kanë propozuar këtë ide. Të mos tentojnë që përmes dikujt tjetër të ndikojnë dikë tjetër për t’ju bashkuar kësaj ideje”, deklaroi, mes tjerash, Dukaj.

Sipas tij, prezenca e Abazoviqit në “Open Ballkan” si mysafir nuk ka ndonjë vlerë politike, derisa bëri të ditur se është biseduar të themelohet një grup pune që të shikohet se si do të jetë e ardhmja e kësaj çështjeje.

(E plotësuar) Ishte në dijeni Abazoviq  për pasojat e marrëveshjes?

Se a ishte i vetëdijshëm Abazoviq për pasojat e nënshkrimit të marrëveshjes me Kishën serbe, ministri Dukaj sqaroi se marrëveshja si e tillë u përdor si indikacion, por synimi është edhe diku tjetër, sipas tij, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe shumë çështje të tjera.

Derisa përmendi nismat ligjorë për çështjen e fesë, në vitin 2019 e tutje, ai shtoi: "Çfarë ka bërë shteti i Malit të Zi nga 2006, kur u pavarësua, deri me sot në pavarësinë e Kishës ortodokse malaziase. Ku kanë kryer ritet fetare malazezët? Ku është roli i Gjukanoviqit deri më tani? Malazezët patriotë e dinë këtë dhe vazhdimisht e theksojnë. Preambula e marrëveshjes është dashur të ndryshohet në bazë të ligjit të Kushtetutës së Malit të Zi dhe të nënshkruhet sikurse me komunitetet tjera fetare dhe të gjendet një periudhë dhe duke analizuar rrethanat tjera, që u përmendën këtu nga të pranishmit.”

Më tej ai përmendi edhe një fakt tjetër që ka të bëjë për mënyrën e reagimit të opinionit atje, ku për këtë marrëveshje u protestua nga 12 persona për 40 minuta dhe nuk u bë bujë tjetër.

Kurse për analistin Spahiu, vendet si Mal i Zi dhe Kosova janë kombe multifetare, ndërkohë që në shumë shtete të rajonit janë shtete monofetare.

Ndërkaq për historianin Imeraj, kjo çështje me delikatesën e saj ndikon për reflektim edhe në Kosovë, “sepse kemi të ngjashme problemet me Kishën Ortodokse Serbe, si fjala vjen me manastirin e Deçanit, etj.”

(I plotësuar) Imeraj: Nënshkrimi i marrëveshjes, e ngutshme

Ndësa për historianin Shkodran Imeraj nënshkrimi i  marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe është e dëmshme për Malin e Zi, ngase me këtë marrëveshje praktikisht humb identitetin e vet, sepse nuk njeh të kaluarën e Kishës Ortodokse të Malit të Zi që dikur e kishte, ndërsa tani njihet si trashëgimi serbe.

“Marrëveshja është e dëmshme për Malin e Zi, në atë përmbajtje që ka, sepse Mali i Zi humb identitetin e vet që ka, ngase kjo marrëveshje, praktikisht, nuk njeh të kaluarën e Kishës Ortodokse malaziase, por e njeh si trashëgimi serbe”, theksoi, mes tjerash, Imeraj në RTK Prime.

Më tej ai shtoi se Kisha Ortodokse Serbe, së bashku me Akademinë serbe, kanë qenë si një infuzion i politikës serbe.

Më tej historiani Imeraj sqaroi se nënshkrimi i marrëveshjes ka qenë një momentum i gabuar, i ngutshëm.

“Kjo marrëveshje është goxha e ngutshme, sepse nuk ka qenë momentumi i duhur, ngase të kujtojmë situatën në Ukrainë, rritjen e ndikimit rus në Ballkan, sidomos në Mal të Zi dhe në rast se kjo marrëveshje do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, mendoj se kjo marrëveshje do të kthehet në pikën zero”, tha Imeraj.

(E plotësuar) Spahiu: Abazoviq tradhtoi interesat e Malit të Zi

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike në rajon, Nexhmedin Spahiu, lidhur me rrëzimin e Qeverisë Abazoviq, theksoi se “qëndrimi i Abazoviqit karshi raportit delikat Mali i Zi-Serbi, ka qenë qëndrim i shqiptarit që nuk është i vëmendshëm për identitetin kombëtar të Malit të Zi.”

“Çështja e Kishës është natyrisht çështje delikate, sepse nuk mund të jetë një shtet i pavarur e sovran, ku politikisht të drejtohet nga Podgorica e shpirtërisht të drejtohet nga Beogradi. Kjo nuk është pavarësi e plotë, nuk është sovranitet i plotë. Që të drejtohesh politikisht nga Podgorica, duhet që edhe shpirtërisht të drejtohesh nga Podgorica”, deklaroi analisti Spahiu në RTK Prime.

Tutje, ai shpalosi historikun  kishës ortodokse në Mal të Zi, se si është zaptuar nga Kisha Ortodokse Serbe.

Sipas Spahiut, Abazoviq u bazua në mënyrë pragmatike, duke u bazuar në fuqinë e veprimit, ku Kisha Ortodokse malaziase ishte pothuajse inekzistente, ndërkohë që Kisha Ortodokse Serbe ishte shumë e fuqishme, prandaj edhe bëri këtë marrëveshje.

“Praktikisht me këtë marrëveshje, Abazoviq mbylli perspektivën që në një të ardhme të rithemelohet Kisha Ortodokse të Malit të Zi, natyrisht, në rast se kjo marrëveshje bëhet e plotfuqishme dhe kjo e rrëzoi atë nga pushteti", deklaroi, mes tjerash, Spahiu.

Sipas tij, kjo marrëveshje do të bie në ujë dhe është për keqardhje që ai ka tradhtuar interesat kombëtare malazeze.

(E plotësuar) Ja cila ishte arsyeja e rrëzimit të Qeverisë Abazoviq

Më 20 gusht Parlamenti i Malit të Zi votoi për rrëzimin e  qeverisë së Abazoviqit, pas 113 ditësh qeverisjeje dhe deri  tani kabineti qeveritar i Abazoviqit qeveris me mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Ndërkohë kryetari i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, nuk ka pranuar që për mandatar të ri të jetë Miodrag Lekiq, sepse, sipas tij, nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme, nuk ishin nënshkrimet e nevojshme, si dhe nuk pati takime që i kërkoi presidenti i Malit të Zi.

Lidhur me situatën politike në Mal të Zi pas rrëzimit të qeverisë së Malit të Zi, ku si kryeministër ishte Dritan Abazoviq, ministri i Administratës Publike në atë qeveri, Marash Dukaj, theksoi se për dallim nga shtetet e rajonit, Mali i Zi nuk ka Ligjin për Qeverinë, ku do të determinoheshin veprimet tutje në situata të tilla çfarë është tani Mali i Zi.

“Në Malin e Zi mungon Ligji mbi Qeverinë, që në situata të tilla qeverisja të mund të vepronte me mandat ligjor dhe na ndalon të bëjmë punën tonë me mandat të plotë. Dihet se pas rrëzimit të Qeverisë mandati i takon kryetarit të shtetit, por që për këtë duhet paraprakisht të bëhen disa veprime e njëra nga këto është konsultimet mes presidentit dhe partive politike parlamentare që pretendojnë ta formojnë qeverinë”, theksoi Marash Dukaj në “RTK Prime”.

Tutje ai sqaroi veprimet që kryetari i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka bërë pas rrëzimit të Abazoviqit nga posti i kryeministrit, duke çuar iniciativën për shkurtimin e mandatit të Kuvendit që do të thotë shkuarje në zgjedhje të reja, më së largu deri në 3 muaj.

Por edhe për këtë çështje ministri në detyrë, Dukaj, theksoi se ekziston “një çështje që nuk është e definuar, sepse për ta bërë këtë duhet pasur 41 deputetë, e gjithë kjo nëse Kuvendi nuk refuzon kërkesën e Gjukanoviqit”.

Çfarë e rrëzoi Qeverinë Abazoviq?

E sa i përket çështjes së rrëzimit të Qeverisë Abazoviq, ku janë hedhur ide e opinione të ndryshme, për ministrin në Qeverinë Abazoviq, Marash Dukaj theksoi se marrëveshja mes kryeministrit Abazoviq me Kishën Ortodokse Serbe ka qenë fakt i ditur, por që nuk kanë munguar edhe çështje të tjera.

“Kemi shumë zëra, opinione, lidhur me mosbesimin apo rrëzimin e Qeverisë Abazoviq. Në fakt me nënshkrimin e marrëveshjes më Kishën Ortodokse Serbe ka qenë e ditur dhe, që atë ditë, “DPS”, së bashku me socialdemokratët dhe me deputetin shqiptar të “Unionit Demokratik të Shqiptarëve” dërguan në Kuvend nismën për shkarkimin e qeverisë

Pse duhej kjo marrëveshje?

Se pse duhej të nënshkruhej kjo marrëveshje, ministri Dukaj sqaroi se, ndonëse jemi për marrëveshje, por jo në mënyrën dhe kohën që është bërë.

“Unë kam pohuar në të gjitha mediumet se, si zë i shqiptarëve që më kanë zgjedhur si përfaqësues i tyre, nuk kam qenë i kënaqur me atë marrëveshje, sepse mendoj se Kisha Ortodokse Serbe është e dyshimtë dhe mendoj se zbaton politikën zyrtare të Beogradit”, deklaroi Dukaj në RTK Prime.

Përveç kësaj, ai shtoi se “në fakt ne nuk jemi kundër marrëveshjes, por jo në këtë mënyrë dhe jo në këto momente, sepse në Mal të Zi të gjitha bashkësitë fetare i kanë të rregulluar me ligj këto gjera, përveç serbëve dhe malazezëve në raport me shtetin.“

Ndër të tjera ai vuri në dukje se  kjo çështje ka më se 10 vjet që po zvarritet dhe nuk ka gjetur zgjidhjen, ngase Kisha Ortodokse Serbe ka shtrirë ndikimin, siç po bëjnë edhe në vendet tjera, duke shtuar se kjo çështje ka ndikuar në rrëzimin e tri qeverive: atë të Gjukanoviqit, më 2019, të Krivokapiçit dhe tani të Abazoviqit.

"Më 2019 u miratua një ligj që rregullonte raportet mes shtetit dhe Kishës Ortodokse Serbe dhe për këtë arsye ra qeveria, ku si mandatar ishte Gjukanoviq, pastaj atij Krivokapiq dhe tani i Abazoviqit. Pra kemi tre qeveri  për këtë çështje dhe këtu më së miri dëshmohet ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe", sqaroi, mes tjerash Dukaj.

 


MË SHUME NGA Lajme