Në Pragë jetësohet ideja franceze e Bashkësisë Politike Evropiane
Rtklive
Foto: RTKLive
Lajme

Në Pragë jetësohet ideja franceze e Bashkësisë Politike Evropiane

Gjeraqina Tuhina/ RTK/ Bruksel

Bashkimi Evropian u ka dërguar ftesa të gjitha shteteve të kontinentit evropian për pjesëmarrje në samit ku do të diskutohet Bashkësia Politike Evropiane.

Sipas zyrtarëve evropian, ftesat janë dërguar edhe në adresë të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Samiti do mbahet më 6 tetor, në kryeqytetin ҫek, Pragë.

Bashkësia Politike Evropiane (BPE) sipas burimeve evropiane, përbën një platformë për koordinimin politik për vendet evropiane në të gjithë kontinentin.

BPE-ja synon të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për të adresuar çështjet me interes të përbashkët në mënyrë që të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian.

Takimi do të bashkojë liderë nga vendet evropiane në baza të barabarta dhe në një frymë uniteti, idealisht një ose dy herë në vit.

Kjo Bashkësi është iniciativë e presidentit francez Emmanuel Macron i cili synon që të tubojë të gjitha vendet e kontinentit që ndajnë vlerat e përbashkëta demokratike.

Për këtë nismë, liderët evropian tashmë kanë zhvilluar debatin e parë në samitin e qershorit ndërsa në Pragë do jetë hera e parë që ideja për këtë Bashkësi të shtjellohet me pjesëmarrjen edhe të vendeve tjera që nuk janë pjesë BE-së, por që llogaritën të bëhen pjesë e Bashkësisë Politike Evropiane.

 


MË SHUME NGA Lajme