Për 18 muaj si kryeministër, Kurti i bën bilanc pozitiv qeverisjes së tij
Lajme

Për 18 muaj si kryeministër, Kurti i bën bilanc pozitiv qeverisjes së tij

M.Miftari/RTKlive

Kryeministri Kurti përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook ka paraqitur aktivitetin e qeverisë nën udhëheqjen e tij deri më tani, të arriturat dhe sfidat që ka kaluar, si dhe synimet në të ardhmen.

Që në fillim ai etabloi të arriturat në fushën  ekonomisë, ku, sipas tij, ka pasur një rritje prej 10,7% që është edhe rritja më e madhe në rajon. Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike. Ai, mes tjerash bëri të ditur për pakon e ringjalljes ekonomike, duke shtuar edhe pakon e  përballjes me inflacion mbështetja po i kalon edhe 350 milionë euro të tjera, duke përmendur edhe të kontributet tjera që përfshijnë shtresat e shumta të shoqërisë: “lehonat e fëmijët, pensionistët e personat me aftësi të kufizuara, mbështetje për prodhuesit e eksportuesit, fermerët e studentët, mësimdhënësit e stafin shëndetësor, për kursyesit e energjisë dhe 13 kuzhina popullore etj.”

Tutje, kryeministri Kurti vuri në dukje edhe rritjet në sferën e doganës, të hyrat e ATK-së që janë rritur për 30.8% dhe 28%, respektivisht, d.m.th. të dyja gati trefish më shumë se rritja e Bruto Produktit Vendor. Ai përmendi edhe luftimin e ekonomisë joformale, si dhe kontrabandën.

Ndërkaq në fushën  arsimit, kryeministri Kurti shpalosi buxhetin për arsim prej 12%, duke dhënë mbështetje financiare për studentë e nxënës, si dhe duke rritur përfshirjen në “Edukimin në Fëmijëri të Hershme”. Ai, më tej, shtoi se me lansimin e sistemit dual të edukimit, arsimi ka  hyrë në një etapë të re ku diploma siguron një vend pune pasi më në fund do të lidhim shkollat profesionale me tregun e punës.

Veç kësaj kryeministri Kurti bëri të ditur të arriturat në sistemin e drejtësisë, ku “përmes Vetting-ut për drejtësi, Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjet anti-korrupsion kanë filluar reformat e kërkuara nga qytetarët që synojnë të bëjnë gjyqësorin efikas dhe prokurorinë aktive në luftimin e kriminalitetit dhe në dhënien e drejtësisë, duke bërë  që Kosova të  renditet ndër të parët në rajon për sundimin e ligjit, duke u përmirësuar për 17 vende në indeksin kundër korrupsionit dhe për avancimin e lirë të medieve.”

Si të arritur të kësaj qeverie, kryeministri Kurti përmendi edhe aplikimin për në Këshillin e Evropës, duke adresuar të gjitha pengesat për liberalizimin e vizave, si dhe duke përgatitur aplikacionet për anëtarësim në BE dhe në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe.

Kryeministri Kurti, në fund, teksa renditi të arriturat dhe sfidat që na presin si shtet e si shoqëri, bëri thirrje që për progresin që kërkojmë e për Kosovën që ëndërrojmë duhet të punojmë të gjithë pa dallim e me qëllimet më fisnike.


MË SHUME NGA Lajme