Vazhdon greva në arsim
Në Fokus

Vazhdon greva në arsim

RTK

Sindikata e Arsimit mbrëmë ka njoftuar opinionin se greva do të vazhdojë. Sipas sindikatave, deklaratat djeshme të kryeministrit Albin Kurti dhe anëtarëve tjerë të Qeverisë, nuk japin shpresa për zhbllokim të situatës.

“Kryeministri dhe qeveria me deklarimet e tyre sikur po angazhohen dhe kanë dëshirë që greva të vazhdojë. Të gjendur në këtë situatë e të zhgënjyer nga këto deklarime të Kryeministrit të gjithë  pjesëmarrësit e takimit me kryetarët e Këshillave greviste me keqardhje janë shprehur se kjo mungesë e vullnetit të Kryeministrit e Qeverisë për dialog dhe injorimi i kërkesave legjitime të grevistëve po bën që greva të vazhdojëedhe në ditët ne vijim”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e djeshme të SBASHK-ut .

Derisa është bërë një muaj nga fillimi i grevës në arsim e administratë, as dje, Qeveria e Sindikatat nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre. Madje kryeministri Kurti thotë se grevat po bëhen edhe për inate politike, ndërsa SBASHK-un e quajti sindikatë të PAN-it. SBASHK-u i është kundërpërgjigjur Kurtit, duke thënë se nuk mbështeten nga asnjë parti politike.

Pas akuzave të kryeministri Kurti për SBASHK-un, kanë reaguar edhe partitë opozitare. Kryetari i PDK -së ,Memli Krasniqi, tha se kryeministri Kurti i ka mbyllur shkollat për nxënës, por i ka hapur për zgjedhje të Vetëvendosjes.

Krasniqi shtoi se Kosova ka nevojë për lidership që e ruan dinjitetin e secilit qytetar e jo për lider që krijon ndasi edhe më të mëdha në shoqëri.

Ish-ministrja e Arsimit, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka rekomanduar SBASHK-ut të pranojë ofertën e Qeverisë për shtesën prej 50 eurosh, por kjo shtesë të vazhdojë deri në hyrjen në fuqi të ligjit për pagat. Edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të gjejë zgjidhje për grevën. Sipas Haradinajt, kryeministri ose duhet të gjejë zgjidhje, menjëherë, ose duhet ta pranojë se është i paaftë dhe të lëshojë rrugë.

 


MË SHUME NGA Në Fokus