Të enjten seanca e Kuvendit, shtyhet interpelanca e ministrit Murati
M.Miftari/RTKlvie
Kryesia e Kuvendit ka caktuar për të enjten seancë të re plenare, ndërkohë që interpelanca e ministrit Murati është shtyrë për më vonë.
Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë ka folur nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili që në fillim bëri të ditur pikat e rendit të ditës së seancës së re, ku ndër të tjera, do të diskutohet edhe për pikat e papërfunduara nga seancat e shkuara.
Hoxhaj, mes tjerash, ka folur edhe për grevën, që, teksa ka kërkuar që në janar të viti të ardhshëm të hyjë në fuqi Ligji për Paga, Qeveria të reflektojë që ta zgjidhë këtë problem.
“Besoj që është në interes të Qeverisë, në interes të mësimdhënësve që të gjendet një zgjidhje”, ka deklaruar, ndër të tjera, Hoxhaj.
Ndërsa përmendi seancën e kaluar, ku ishte mbajtur një debat parlamentar për këtë çështje, Hoxhaj shtoi se “qëndrimi ynë është që të gjendet një zgjidhje e përkohshme dhe që nga janari të jetë ligji i pagave i implementuar.”
Duke kërkuar zgjidhjen e çështjes së grevës, me ç’rast përmendi numrin e orëve të humbura Hoxhaj shtoi se “e jona është që nxënësit të kthehen në shkollë dhe të ndërpritet kjo grevë.”
























