Presidenca Çeke shtyn përpara çështjen e vizave, procedurat nisin në tetor
BKT
Foto: Flamur S.Avdiu/RTKlive
Lajme

Presidenca Çeke shtyn përpara çështjen e vizave, procedurat nisin në tetor

Gjeraqina Tuhina/RTK/Bruksel

Presidenca Çeke e Bashkimit Evropian, mëton që në tetor të nisë procedurat që do të çojnë drejt vendimit përfundimtar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kështu qëndron në një letër të cilën presidenca e ka dërguar tek shtetet anëtare të BE-së, me anë të së cilës shprehet ambicia e Presidencës Çeke që të ndërtojë mbështetje në mes të shteteve anëtare, ndërsa paralajmëron se kjo çështje do jetë në agjendë të grupit punues për viza në takimin e tetorit.

 “Liberalizimi i vizave  është element kyç në procesin e integrimeve të Kosovës në BE që tashmë është tejet i vonuar. Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor (dhe një prej pak vendeve në Evropë) i cili akoma nuk e ka siguruar regjimin pa viza me BE-në. Ky fakt ka një ndikim të konsiderueshëm negativ në atmosferën në vend dhe në qëndrimet e qytetarëve të Kosovës rreth korrektësisë dhe kredibilitetit të BE-së” nënvizohet në këtë letër.

Në letër gjithashtu konfirmohet se Presidenca Çeke është në kontakt të ngushtë me Komisionin Evropian dhe se ekziston pajtimi për një përditësim teknik të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, që do të mbulonte periudhën nga raporti i publikuar në vitin 2018. Shtohet gjithashtu se Presidenca Çeke tërësisht beson se ky përditësim do të jetë pozitiv, si dhe do të konfirmojë rezultatet e gjetjeve të Komisionit në vitin 2018, që do t’i mundësojë Kosovës që më në fund të arrijë liberalizimin e vizave.

Pasi Presidenca Çeke, siç thuhet në dokument, konsideron se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për vendosjen e liberalizimit të vizave për Kosovën janë bindëse, ajo shpreson se  të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të arrin pajtim të brendshëm politikë për këtë çështje.

“Qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme. Rajoni ka nevojë për sinjal të qartë se procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe se BE është e gatshme të shpërblejë përpjekjet për reforma që bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor” thuhet në këtë letër- ndërsa çështja e liberalizimin përmendet si një shembull se si BE mund të rris kredibilitetin në rajon.

Ndryshe, çështja e vizave do të duhej të jetë në agjendën e grupit punues më 13 tetor. Nëse kjo ndodhë atëherë konsiderohet se kanë nisur procedurat e vendimmarrjes me qëllim të vendimit pozitiv dhe miratimit të regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës. Me skenarin me optimist, dhe në rast që gjithçka shkon në rregull, do të duhej që procedurat të përfundojnë deri në dhjetor të këtij viti, ndërsa hyrja në fuqi e vendimit pritet të ndodhë në muajt e parë të vitit 2023.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes në zonën Schengen. Serbia, Mali i Zi si dhe Maqedonia e Veriut kanë liberalizim të vizave nga dhjetori i vitit 2009 ndërsa Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina nga dhjetori i vitit 2010.

Kosova ka marrë udhërrëfyesin për vizat në vitin 2012. Në vitin 2018, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e regjimit te vizave për Kosovën, ndërsa secilin vit e ka përsëritur këtë rekomandim.

Pas rekomandimit të Komisionit Evropian, për liberalizim të vizave duhet të votojnë dy institucione evropiane: Parlamenti Evropian si dhe Këshilli i Ministrave. Parlamenti Evropian tashmë ka përfunduar procedurën e votimit, ndërsa çështja ka ngecur në nivelin politik përkatësisht tek Këshilli i Ministrave. Për çështje vizash, vendimi merret me shumicë të kualifikuar që nënkupton 55 për qind të shteteve të BE-së e që përfaqësojnë 65 për qind të popullatës së përgjithshme në BE.


MË SHUME NGA Lajme