TIFF në ditën e tretë, filma për fëmijë dhe dokumentarë
Kulturë

TIFF në ditën e tretë, filma për fëmijë dhe dokumentarë

ATSH

Në ditën e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit (TIFF) janë shfaqur filmat e Programit Special mbi tabutë.

Një prej gjashtë filmave të përzgjedhur është Lets TalkPERIOD i Fatma Haxhialiut, dokumentar prej 10 minutash. Filmat e tjerë ishin nga Nepali, Franca, Gjermania dhe një bashkëprodhim Belgjikë-Portugali-Hungari-Kinë.

Ndërkohë në Liceun Artistik “Jordan Misja”, paraditja iu dedikua fëmijëve. Programi i tyre, KIDs nis si gjithnjë me filmat për fëmijë deri në 10 vjeç, të gjithë filma të shkurtër, të animuar, duke ju përshtatur shijeve dhe moshës.

Më pas, po në sallën e kinemasë së Liceut, nisën filmat për fëmijët mbi 11 vjeç, filma që i përkasin kategorisë “PANORAMA Competition”.

Njëkohësisht në Kinema Millennium, në ora 12:00 nisi shfaqja e kategorisë “StudenTIFF On FILM”, me filma studentorë shqiptarë.

Në këtë seksion janë prezantuar filmat e Eva Markut, Rolanda Nikës, Mauro Maces, Tedi Arifit, Rigers Shimës e Klaudia Pasnjarit, të gjithë filma të shkurtër, fiksion, prodhime të vitit 2021.

Gjatë gjithë ditës, mes Kinema Millennium e Liceut Artistik, do të ketë një numër të madh projeksionesh. Një nga më interesantët, që pritet të tërheqë vëmendjen e publikut do të jetë “Winter Fireflies” (Xixellonjat e dimrit) i regjisorit Artur Gorishti.

Agjencia Telegrafike Shqiptare është partner zyrtar i edicionit të 20-të të TIFF.


MË SHUME NGA Kulturë