17 milionë dollarë kushton funerali i Abe, kundërshtohet nga shumë japonezë
Foto: bloomberg.com
Në Fokus

17 milionë dollarë kushton funerali i Abe, kundërshtohet nga shumë japonezë

Përgatiti: Jeton Musliu/RTKlive

Një funeral luksoz me praninë e yjeve të politikës dhe fushave të tjera, për ish-kryeministrin japonez Shinzo Abe, i cili u vra në korrik,  mbahet sot në Tokio.

Por ngjarja, e cila u kushton taksapaguesve japonezë gati 17 milionë dollarë, ka nxjerrë në pah ndarje të thella mbi trashëgiminë e politikanit.

Abe u qëllua pas shpine nga një burrë i armatosur me një armë të bërë vetë, derisa ish kryeministri mbante një fjalim fushate në Nara më 8 korrik.

Burri mbante inat ndaj ish-kryeministrit për shkak të lidhjeve të tij me një kishë misterioze që ka një reputacion për presion agresiv ose shtrëngues për donacione të mëdha nga mbështetësit dhe anëtarët e saj.

Që nga vrasja, publiku është zhvendosur ndjeshëm kundër kishës dhe pjesëve të elitës japoneze që kanë lidhje me grupin, veçanërisht pasi media zbuloi se familja e të armatosurit të dyshuar kishte falimentuar rreth 20 vjet më parë për shkak të donacioneve të tilla.

Funerali shtetëror për Abe është tani aq i diskutueshëm sa javën e kaluar një burrë i vuri flakën vetes në Tokio si një formë proteste.

Pavarësisht nga sondazhet që tregojnë se shumica e votuesve japonezë nuk e miratojnë funeralin shtetëror, ngjarja do të zhvillohet në orën 15:00 sipas kohës lokale, apo ora 07:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

Funerali do të mbahet në Nippon Budokan, një arenë ikonë e mbyllur në Tokio që mund të strehojë më shumë se 14 mijë njerëz.

Abe shërbeu si kryeministër i Japonisë për një vit në 2006, dhe përsëri nga 2012 në 2020, kështu që ai krijoi shumë lidhje me liderë të tjerë botërorë.

Përafërsisht 6 mijë e 400 njerëz pritet të marrin pjesë në funeral, duke përfshirë personalitete nga rreth 190 vende.

Ndër liderët botërorë në listën e të ftuarve janë zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris dhe kryeministri indian, Narendra Modi.

Por përfaqësimi i Australisë është ndër më të gjerët. Kryeministri Anthony Albanese ka marrë me vete tre nga paraardhësit e tij: John Hoëard, Tony Abbott dhe Malcolm Turnbull.

Turnbull e ka përshkruar Abe si "të sinqertë, autentik dhe të ngrohtë", si dhe "të qetë dhe të mençur", ndërsa ish-kolegu i tij i partisë liberale, Abbott e ka cilësuar atë një "lider të madh historik".

"Nuk ka asnjë dyshim për këtë, në kohën time si kryeministër, dy liderët e shquar globalë ishin [kryeministri indian] Narendra Modi dhe Shinzo Abe," tha Abbott për ABC.

Abe vlerësohet gjithashtu për përpjekjet e tij për të ringjallur ekonominë japoneze, duke zbatuar politika të njohura si 'Abenomics' dhe si njeriu që solli Olimpiadën në Japoni.

Ai gjithashtu filloi përpjekjet për të hequr elementët pacifistë nga kushtetuta e vendit, diçka që kryeministri aktual Fumio Kishida është zotuar të përfundojë për nder të Abe.

(Marrë me shkurtime nga ABC Australia)


MË SHUME NGA Në Fokus