Trajneri i Dritës: Djemtë mezi presin të bëjnë një ndeshje të madhe
Sport

Trajneri i Dritës: Djemtë mezi presin të bëjnë një ndeshje të madhe

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Të mërkurën mbrëma sërish stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të jetë arenë e ‘nxehtë’ futbolli.

Dy rivalët e vjetër, Prishtina dhe Drita do të përballen në ndeshjen e mbetur të këtij sezoni.

Derbi mes këtyre dy skuadrave më nam në vendin tonë, pritet të mbush tribunat e stadiumit të Prishtinës.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu në konferencën një ditë para ndeshjes, ka thënë se Prishtina ka skuadër të mirë, por motivi te futbollistët e tij është i madh për të shfaqur një ndeshje të madhe.

“Kemi një ndeshje e cila gjithmonë sjell interesim të madh te tifozët dhe për këtë pres që stadiumi të jetë i mbushur. Kjo është një mundësi e artë për futbollistët tanë për t’i shprehur vlerat e tyre, por edhe për ta parë vlerën e kampionatit që vazhdimisht po rritet. Kundërshtari mendoj se ka futbollistë cilësorë, duke mos harruar që edhe skuadra jonë ka potencial. Motivi te skuadra është i lartë, djemtë mezi presin të dalin në fushë dhe të bëjnë një ndeshje të madhe”, ka thënë Nuhiu.

Ai është i bindur se skuadra e tij do të ketë përkrahjen e madh nga tifozët e tyre ‘Intelektualët’.

“Intelektualët’ nuk lënë asnjë ndeshje. Ata gjithmonë janë bashkë me ne dhe nuk e diskutoj se do të jenë në numër të madh edhe të mërkurën për të na mbështetur në maksimum. Besoj se po kënaqen me performancën e djemve, sepse po luajnë futboll cilësor dhe me shumë gola. Uroj që do ta bëjmë maksimumin për të marrë më të mirën”, ka thënë Nuhiu.

Ndeshja Prishtina-Drita do të fillon në orën 19:00.


MË SHUME NGA Sport