Osmani: Kosova e interesuar të zgjerojë marrëdhëniet me shtetet e OKB-së
Lajme

Osmani: Kosova e interesuar të zgjerojë marrëdhëniet me shtetet e OKB-së

N. Mekolli /RTKlive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në New York, në selinë e OKB-së, ka takuar nënsekretaren e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Çështjet Politike dhe Ndërtim të Paqes, Rosemary DiCarlo.

Sipas presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare. Ajo ka thënë se Kosova është gjithashtu e interesuar të zgjerojë marrëdhëniet me shtetet anëtare të OKB-së dhe synon anëtarësimin në OKB, njofton zyra për informim e Presidentes.

Bëhet e ditur se në takim është diskutuar situata politike dhe e sigurisë në rajon e më gjerë, implikimet e agresionit të Rusisë në Ukrainë, kriza energjetike dhe ushqimore, si dhe dialogu me Serbinë.

“Një pjesë e diskutimit në takim ndërmjet Presidentes Osmani dhe nënsekretares DiCarlo iu kushtua agresionit rus në Ukrainë. Presidentja Osmani theksoi se Kosova e ka dënuar agresionin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë dhe se krahas BE, SHBA-ve dhe shteteve demokratike i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast presidentja Osmani ka shprehur shqetësimin për rritjen e ndikimit rus në rajon nëpërmjet Serbisë dhe tendencave destabilizuese të saj.

Ndërkaq në raport me dialogun e Serbinë, presidentja Osmani ka përsëritur se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të rajonit është njohja e ndërsjellë.

 


MË SHUME NGA Lajme