Drejtueset e SHSKUK-së përballë Komisionit për Shëndetësi
Foto: RTKlive
Lajme

Drejtueset e SHSKUK-së përballë Komisionit për Shëndetësi

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Po vazhdon mbledhja e Komisionit për Shëndetësi aty ku po raportojnë kryesuesja e Bordit të Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës Aida Rexhepi dhe ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu- Raçi.

Kryesuesja e Bordit fjalën e saj para Komisionit e nisi me sfidat që kanë përcjellë gjatë kësaj periudhe, sukseset gjatë kohës së udhëheqjes aty si dhe për gjetjet e auditorit.

Rexhepi tha para parlamentarëve në Komisionin për Shëndetësi tha se pandemia Covid 19 ka qenë sfidë për të gjithë, sfidë që ka nxjerrë pikat e forta e të dobëta në secilin institucion, përfshirë edhe ata si SHSKUK.

Mungesa e infermierëve, mungesa e barnave kanë qenë vetëm disa nga sfidat që i përmendi ajo.

Mungesa e anesteziologëve aktualisht është një nga sfidat që po e përcjellë SHSKUK-në dhe kjo sipas saj ka bërë që të rritet lista e pritjes sidomos në rastet kirurgjike.

Derisa përmendi një numër suksesesh , ajo ka renditur edhe të gjeturat.

Tha se kur erdhën gjetën organogram të jashtëligjshëm të cilin është dashur ta shfuqizojnë.

“Për çdo gjë që kemi pasur dyshime kemi kërkuar auditim nga njësia e brendshme, pastaj pas marrjes së raportit kemi marr masa dhe për çdo rast të dyshimtë kemi dërguar lëndët në Prokurori dhe presim reflektim nga ky organ”, tha kryesuesja e Bordit para Komisionit.

“Njëkohësisht janë gjetur kontrata të jashtëligjshme e pastaj janë shkëputur e për shkak të shfuqizimit të atij organogrami janë shuar disa pozita që nuk kanë pasur bazë statusore”.

Ndërkohë, Pranvera Zejnullahu- Raçi – ushtruese e detyrës së Drejtoreshës së Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës që detyrën e mori nga 3 gushti i këtij viti tha se prej ditës së parë e deri tash është fokusuar në skanimin e situatës të cilën e gjeti në SHSKUK.

“Tash po hyjmë në fazën e planifikimit 2023 dhe mendojmë të bëjmë një plan se si do të realizohen ato projekte. Kam një interes që problemet që janë akumuluar për një kohë të gjatë të zgjidhen në një afat të shkurtër”.

“Këta tre muaj duhet të bërë punë të madhe për planifikime të mirëfillta për vitin që vjen”, tha para Komisionit ajo.

Ajo tha se buxheti është sfida aktuale për këtë institucion, por asgjë sipas saj nuk është jashtë kontrollit. Ka shtuar se ka raste kur vendimet duhet t’i marrin aty për aty.

Zejnullahu- Raçi tha se një problem është se disa projekte që duhet t’i fillonin sot për shkak të procedurave nuk mund të fillojnë

“Është një problem që disa projekte që duhet t’i fillojmë sot për shkak të procedurave nuk mund t’i fillojmë tash, por bashkë me stafin po punojmë intensivisht që projektet të fillojnë impelemtimin në pranverë”.

Kryetarja e Komisionit për shëndetësi Fatmire Mulhaxha Kollçaku pyeti se si është situata me furnizimin me barna dhe me listën e pritjes për çka ka raportime të ndryshme në media. Zejnullahu-Raça tha se gjendja nuk ka qenë e keqe dhe për herë të parë është ndarë buxhet i tillë nga Qeveria, por tha s eka keqplanifikim me barna në Onkologji.

“Në Klinikën e Onkologjisë ka keqplanifikim sa i përket furnizimit me barna, mund ta them publikisht”, tha ajo.

Kohë pas kohe kjo mbledhje u përcoll me përplasje mes kryetares Mulhaxha me nënkryetarin e Komisionit nga LDK-ja, Armend Zemaj që ishte ministër i Shëndetësisë.

Ai e ka pyetur kryesuesen e Bordit të SHSKUK-së nëse kanë bashkëpunim të mirëfilltë me Ministrin e Shëndetësisë, pse shkarkuan Drejtorin e SHSKUK-së Valbon Krasniqin dhe nëse janë të vërteta ato që thuhen se Bordi ka ndërhyrë siç tha Zemaj në mënyrë eklatante në përzgjedhjen e drejtorëve në klinika?.

Kjo u mohua nga  Aida Rexhepi, kryesuese e Bordit.

Tha se komunikimet me ministrin i ka shumë të mira derisa ka mohuar se kanë shkarkuar Valbon Krasniqin.

“Ish- drejtori ka dhënë dorëheqje, nuk është shkarkuar nga ne. Nuk ka pasur asnjë lloj presioni. Kemi diskutuar rreth të gjeturave të auditorit, ai është dorëhequr vetë, nuk është shkarkuar,” tha ajo.

Derisa kur foli për përzgjedhjen e drejtorëve në Klinika tha se kjo u bë në bazë të meritokracisë.

“Asnjë drejtor i Klinikave nuk është shkarkuar, por iu ka kaluar mandati. Unë nuk e di që është shkarkuar ndonjë drejtor. Ne jemi ata që nuk iu kemi vazhduar mandatin e tyre sepse janë mësuar me qenë për 20 vjet drejtor të Klinikave në baza partiake. Drejtorët janë zgjedhur nga komisionet vlerësuese të caktuara nga Drejtori i Përgjithshëm, përveç të një anëtari që sipas statutit caktohet nga Bordi”, tha ajo.

 


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme