Nikolla: Koha që Indonezia të njohë pavarësinë e Kosovës
Lajme

Nikolla: Koha që Indonezia të njohë pavarësinë e Kosovës

ATSH

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot zëvendëskryetarin e Asamblesë Konsultative të Republikës së Indonezisë, dr. H. Muhammad Hidayat Nur Wahid, dhe delegacionin që e shoqëronte.

Kryetarja Nikolla nënvizoi se Shqipëria ka vullnetin për të zgjeruar marrëdhëniet pozitive dhe bashkëpunimin me Indonezinë, në fusha me interes të përbashkët: ekonomia, investimet, tregtia, arsimi, kultura, turizmi, infrastruktura, energjia, transporti detar etj.

Ajo shprehu gjithashtu vullnetin për intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar mes Kuvendit dhe Asamblesë Konsultative të Republikës së Indonezisë.

Kryetarja Nikolla i shprehu Zëvendëskryetarit të Asamblesë Konsultative të Republikës së Indonezisë, dr. H. Muhammad Hidayat Nur Wahid kërkesën që Indonezia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Nga ana e tij, Zëvendëskryetari i Asamblesë Konsultative të Republikës së Indonezisë, dr. H. Muhammad Hidayat Nur Wahid, theksoi vullnetin e parlamentit, presidentit, qeverisë dhe institucioneve të Indonezisë për zgjerimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe u shpreh se institucionet  e Indonezisë janë përfshirë në një komunikim e diskutim politik për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme